Kërko

Lotët e Papës për Ukrainën martire, përpara së Papërlyerës: "mbi luftën fitoftë paqja!"

Françesku u prek dhe u përkul nga dhimbja, gjatë homazhit dhe lutjes tradicionale para Shtatores së Virgjërës Mari: do të kisha dashur, kujtoi, të sjell te këmbët e Nënës, falënderimet e ukrainasve "për paqen që ia kërkojmë Zotit prej disa kohësh". Ndonëse "e dimë se është me ta dhe me gjithë vuajtjet e tyre". Pranë Papës, shumë romakë dhe turistë, pas 2 vitesh lutjeje vetëm në agim, për shkak të pandemisë

R. SH. - Vatikan

Para së Papërlyerës – pamë sot lotët dhe emocionin e një Bariu dhe një biri, që vuri tek këmbët e "Nënës", lulet dhe dhimbjet e të gjithë fëmijëve të botës, të të gjithë "burrave e grave të panumërta, jo vetëm të krishterë",  që për Atin e Shenjtë Françesku, i cili na ruan "të gjithëve” kanë “mirënjohjen më të thellë”. I prekur në shpirt, me lot në sy, i thyer më dysh nga dhimbja për  tokën e torturuar të Ukrainës, Papa Françesku do të kishte dashur ta sillte me vete, rrëzë monumentit të Zojës së Papërlyer, në Sheshin e  Spanjës në Romë, të mbushur më në fund nga romakët dhe turistët pas dy vitesh pa homazhe, për shkak të pandemisë…:

“Do të kisha dashur të sillja me vete falënderimet e popullit ukrainas për paqen, që ne ia kërkojmë Zotit prej  kohe. Ndërsa më duhet t'i paraqes ende lutjet e fëmijëve, të të moshuarve, të baballarëve dhe nënave, të të rinjve të asaj toke të torturuar. Por në të vërtetë ne të gjithë e dimë se Ti je me ta dhe me të gjitha vuajtjet, ashtu siç ishe pranë kryqit të Birit tënd”.

Duke parë Marinë, ne besojmë se "dashuria fiton mbi urrejtjen"

Ishte lutja e fundit, më dramatikja dhe më prekësja, e thënë mes lotëve, në një pasdite të butë romake me pak re, drejtuar Nënës që "nga qielli në të cilin Zoti e mirëpriti", dëgjon "thirrjet tona", “lutjet tona”, lotët e psherëtimat tona, për t’ia paraqitur Birit të Saj, Zemrës së tij plot mëshirë". Papa i përfundoi fjalët e shoqëruara me ngashërima para së Papërlyerës me një falënderim, i cili të kujton lutjen e thjeshtë, që besohet të jetë e Shën Françeskut:

“Faleminderit, Nëna jonë! Duke të parë Ty, që je pa mëkat, ne mund të vazhdojmë të besojmë dhe të shpresojmë se dashuria fiton mbi urrejtjen, e vërteta fiton mbi gënjeshtrën, falja fiton mbi fyerjen, paqja fiton mbi luftën.  E ashtu qoftë!”.

Dhurata e një shporte të madhe, me trëndafila të bardhë

I mbërritur në orën 15.47 në  Sheshin e Spanjës,  duke u mbështetur në bastunin e tij, Papa Françesku u prit nga kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri dhe nga kardinali Vikar, Angelo De Donatis. Pas bekimit të shportës së madhe me trëndafila të bardhë,  mbështetur në këmbët e bazës së madhe, duke dëgjuar litanitë për Virgjërën, intonuar nga kori i Dioqezës së Romës, Papa kujtoi se kurorat me lule, të vendosura nga shumë qytetarë "shprehin dashurinë dhe përkushtimin për Nënën, që na ruan të gjithëve, dhe që "shikon e mirëpret edhe ato lule të padukshme, a lutje të shumta: lutje të heshtura, ndonjëherë të mbytura, të fshehura për botën, por jo për të, që është Nënë. Para Saj mundesh edhe të dënesësh, pa frikë se çudit kënd, edhe të vajtosh, me besim se lotët e tu nuk do të derdhen më kot. Nëna do t’i çojë para fronit të Zotit, për të nxjerrë për ty çka do t’i terë lotët e do të bëjë që në buzët tua të çelin lulet e mëshirës hyjnore!

“Pas dy vitesh, në të cilat erdha për t'ju bërë homazhe vetëm në agim, sot po kthehem te ju bashkë me njerëzit e kësaj Kishe dhe të këtij Qyteti. Ju sjell me vete falënderimet dhe lutjet e të gjithë bijve tu, të afërt dhe të largët, të krishterë e jo!”.

Sepse – kujtoi - në mes të kaq shumë reve të errëta, ti, o Nënë, je shenjë shprese dhe ngushëllimi, i terë lotët e të gjithë atyre që qajnë për paqen e humbur,  të sigurt se Ti do t’ua rikthesh buzëqeshjen dhe gëzimin e të jetuarit në paqe”.

08 dhjetor 2022, 18:31