Kërko

2022.12.07 olocausto shoah polonia deportazione ebrei seconda guerra mondiale 2022.12.07 olocausto shoah polonia deportazione ebrei seconda guerra mondiale

Françesku, sot lufta në Ukrainë, dje Shoah: "historia përsëritet"

Në përshëndetjet e audiencës së përgjithshme, Papa iu lut Zojës së Bekuar ta ngushëllojë, në prag të solemnitetit të Zënies së Saj të Papërlyer, "popullin martir" të Ukrainës së torturuar si dhe ata, që sot "vuajnë nga brutaliteti i luftës". Kujtoi edhe "ngjarjen e tmerrshme" të "Operacionit Reinhardt", me të cilin nazistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në verën e vitit 1942, shfarosën 1 milion e 700 mijë hebrenj polakë, që ky kujtim të frymëzojë "propozimet dhe hapet drejt paqes"

R.SH. - Vatikan

Në përshëndetjet e audiencës së përgjithshme, Papa iu lut Zojës së Bekuar ta ngushëllojë, në prag të solemnitetit të Zënies së Saj të Papërlyer, "popullin martir" të Ukrainës së torturuar si dhe ata, që sot "vuajnë nga brutaliteti i luftës" e kujtoi edhe "ngjarjen e tmerrshme" të "Operacionit Reinhardt", me të cilin nazistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në verën e vitit 1942, shfarosën 1 milion e 700 mijë hebrenj polakë, që ky kujtim të frymëzojë "propozimet dhe hapat drejt paqes".

Lutja e Papës Françesku drejtuar Virgjërës Mari, në prag të solemnitetit të Zojës së Papërlyer, është kërkesë ngushëllimi për ata që sot "vihen në provë të rëndë nga brutaliteti i luftës, veçanërisht për Ukrainën e stërmunduar", por edhe kujtim i mizorive të 80 vjetëve më parë, kujtime që nxisin tek të gjithë dëshirën konkrete për paqen.

Gjatë audiencës së përgjithshme, teksa përshëndeste shtegtarët polakë, Papa nënvizoi se dy ditë më parë Qendra për Marrëdhëniet Katolike-Hebraike e Universitetit Katolik të Lublinit përkujtoi përvjetorin e "Operacionit Reinhardt", të vendosur nga regjimi nazist gjerman i cili, gjatë Luftës II Botërore, ndërmjet korrikut dhe tetorit 1942…

“…shkaktoi shfarosjen e gati dy milionë viktimave, kryesisht me origjinë hebreje. Kujtimi i kësaj ngjarjeje të tmerrshme le të zgjojë tek të gjithë ne vendime dhe veprime për paqe. Sepse historia përsëritet. Le të shohim se çfarë ndodh sot në Ukrainë. E të lutemi për paqen”.

Tmerri i Operacionit Reinhardt, në verën e vitit 1942

Në kampet e shfarosjes të Belzecit, Sobiborit, Treblinkës dhe gjithashtu Aushvicit, në Poloni, në tre muaj vdiqën një milion e 700 mijë njerëz, një e katërta e viktimave të Holokaustit. Aktion Reinhardt u vendos nga Himmler-i, për ta thelluar aksionin e shfarosjes të kryer nga skuadrat e vdekjes SS, të cilat mblodhën dhe vranë hebrenjtë pas vijave të luftës. Zbatim i parë i metodologjisë së neveritshme "industriale" të shfarosjes naziste, të pashoqe në historinë njerëzore, ky operacion, për të cilin u përdorën 480 trena nga të gjitha fshatrat polake, pati një intensitet të llahtarshëm: gati 15 mijë viktima në ditë. Matematikani Lewi Stone llogarit se ishte më i tmerrshëm se ai i gjenocidit në Ruandë që, në vitin 1994, zhduku rreth një milion njerëz vetëm në njëqind ditë.

Lutje për popullin martir të Ukrainës

Në përfundim të përshëndetjeve për besimtarët italishtfolës, Françesku iu drejtua Zojës së Papërlyer me këto fjalë:

“Ty, o Nënë e ëmbël, të lutemi të jesh ngushëllim për ata që u vunë në provë nga brutaliteti i luftës, veçanërisht për Ukrainën e munduar. Të lutemi për këtë popull martir, që po vuan kaq shumë!”.

Pershëndetje lëvizjes së Fokolarëve, që "buzeqeshin gjithmonë"

Një çast më parë kishte përshëndetur mësuesit e seminareve të territoreve të Kishave të reja të veçanta, në Romë për një kurs të organizuar nga Dikasteri për ungjillëzimin dhe pjesëmarrësit në shkollën e formimit të Lëvizjes Fokolare, duke shtuar, pas ngazëllimit të tyre "gjithmonë buzëqeshin, këta”. Së fundi, përshëndeti ata që marrin pjesë në konferencën e promovuar nga Pax Christi International, dhe ndër të tjera besimtarët e Pontecurone, qyteti ku lindi Shën Luigi Orione.

Festa e së Papërlyerës: të kërkojmë gjithnjë vullnetin e Zotit

Në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi se nesër, 8 dhjetor, është solemniteti i Zojës së Papërlyer. “Me sytë e kthyer drejt Virgjërës – u bëri thirrje italianëve – të jeni gjithmonë të guximshëm në mbrojtjen e vlerave  shpirtërore”. Portugezët i ftoi “të kërkojnë vullnetin e Zotit në gjithçka dhe mbi gjithçka”:

“Ndërsa Eva u josh, duke mos iu bindur Zotit, Virgjëra Mari u bind nga Engjëlli e gjegji: ‘U bëftë sipas fjalës sate’. Kështu u bë shkaku i Shpëtimit tonë, duke na dhënë Shpëtimtarin... dhe u bë Krishtlindja! Ashtu si Maria, ne përgatisim zemrat tona për ta pritur dhe për ta ofruar Jezusin në Krishtlindje. Këto janë urimet e mia e edhe bekimi i Zotit”.

07 dhjetor 2022, 12:12