Kërko

UCRAINA, ODESSA E' SOTTO ATTACCO - UN RAID DI AEREI HANNO BOMBARDATO LA CITTA' - foto(ANSA/ANP) UCRAINA, ODESSA E' SOTTO ATTACCO - UN RAID DI AEREI HANNO BOMBARDATO LA CITTA' - foto(ANSA/ANP) 

Françesku: Maria ndërmjetësoftë për paqen në Ukrainë

Në fund të lutjes mariane, Papa kujtoi përsëri luftën në Ukrainë e edhe Ditën e lutjes e të mbledhjes së fondeve për Kishën, që po kremtohet në Poloni.

R. SH. - Vatikan

Françesku kujtoi sot solemnitetin e Zojës së Papërlyer, që Kisha e kremton më 8 dhjetor. Kujtoi kështu Marinë, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, për të kërkuar ndihmën e Saj, në mënyrë që ajo, Mbretëresha e Paqes, të ndërmjetësojë për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë:

“Ndërmjetësimit të Saj ia besojmë lutjet tona për paqen, posaçërisht për popullin martir ukrainas!”.

Ndërkohë në vend vazhdojnë luftimet. Në Donbas, sipas lajmeve të mediave ukrainase, vijon sulmi masiv rus dhe preken disa infrastruktura civile në rajonet e Kharkiv, Kramatorsk dhe Donetsk. Në Kiev ndjehet fort emergjenca e errësirës  e temperaturat kanë rënë nën pesë gradë.

 Falënderime Kishës polake

Përballë Sheshit, gjallëruar prej pranisë së besimtarëve nga e gjithë bota, Papa u drejtoi fjalë falënderimi shtegtarëve polakë:

“Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që mbështesin Ditën e Lutjes dhe Mbledhjes së Fondeve për Kishën në Evropën Lindore!”.

E themeluar nga ipeshkvijtë polakë në vitin 1989, është nismë që, zakonisht, bie të dielën e dytë të Ardhjes. Këtë vit i kushtohet në mënyrë të veçantë Ukrainës. Prelatët e vendit lindor, në një letër drejtuar Konferencës ipeshkvnore polake, i falënderojnë "për dashurinë vëllazërore që tregojnë ndaj Kishës së Ukrainës gjatë 30 viteve të fundit" si dhe për gjestet e shumta të solidaritetit, që nga fillimi i luftës. Gjeste - shkruajnë  - të cilat janë shprehje e fesë së gjallë. Ipeshkvijtë ukrainas kujtojnë edhe se janë në prag të katastrofës humanitare edhe për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe se ardhja e dimrit po përjetohet me ankth, frikë dhe shqetësim. “Sot – shkruhet në letër – lufta nuk është vetëm në front, ku zhvillohen betejat që shkaktojnë vdekjen dhe plagosjen e ushtarëve dhe civilëve. Më keq akoma, është paralizë e jetës së përditshme”.

Përshëndetje shtegtarëve të shumtë të pranishëm

Ndërmjet të tjerëve, në përshëndetjet e tij, Françesku iu drejtua edhe shtegtarëve spanjollë nga Madridi, Salamanca, Bolaños de Calatrava dhe La Solana, anëtarëve të Veprimit Katolik të Aversës që mbërritën në Sheshin e Shën Pjetrit me ipeshkvin, imzot Angelo Spinillo, besimtarëve nga Palermo, Sutrio dhe Saronno, të rinjve të sapokrezmuar të Pattada-s - dioqeza e Ozierit - dhe atyre të famullisë së Shën Enrikut në Romë.

Në përfundim, lutja që ta thonë një uratë për ipeshkvin e Romës!

04 dhjetor 2022, 13:44