Kërko

Sclerosi multipla Sclerosi multipla 

Françesku: magjisteri i brishtësisë, karizëm që e pasuron Kishën

Mesazhi i Papës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara: “Çdo njeriu, pa merita dhe pa dallim, i jepet Ungjilli në tërësi dhe bashkë me të, detyra e gëzueshme për ta shpallur”.

R. SH. - Vatikan

Misteri i brishtësisë, karizëm, që e pasuron Kishën. E ky është një nga mendimet kryesore të mesazhit të Papës Françesku për Ditën ndërkombëtare të njerëzve me aftësi të kufizuara: “Mësimi i brishtësisë - lexohet në tekst - është një karizëm me të cilën ju, motra dhe vëllezër me aftësi të kufizuara, mund ta pasuroni Kishën: prania juaj mund të ndihmojë për shndërrimin e realiteteve, në të cilat jetojmë, duke i bërë më njerëzore dhe më mikpritëse. Pa dobësi, pa kufij, pa pengesa për t'u kapërcyer, nuk do të kishte njerëzim të vërtetë. Dhe kjo është arsyeja pse jam i kënaqur që udhëtimi sinodal është rast i favorshëm për të dëgjuar, më në fund, edhe zërin tuaj, ndërsa jehona e kësaj pjesëmarrjeje ka arritur në dokumentin përgatitor për fazën kontinentale të Sinodit”.

Ungjilli u përket të gjithëve

Të gjithëve - shkruan Papa - "u jepet Ungjilli në tërësi dhe bashkë me të, detyra e gëzueshme e shpalljes së tij. "Të gjithë jemi thirrur t'u ofrojmë të tjerëve dëshminë e dashurisë shëlbuese të Zotit e cila, përtej papërsosurive tona, na ofron afërsinë e Tij, Fjalën e Tij, fuqinë e Tij dduke i dhënë kështu kuptim jetës sonë" (Nxitja Apostolike “Evangelii gaudium"). "Të komunikosh Ungjillin nuk është detyrë që u përket vetëm disave, por bëhet nevojë kryesore për këdo që e përjetoi takimin dhe miqësinë me Jezusin”. "Besimi në Zotin, përvoja e butësisë së Tij, ngushëllimi që buron nga shoqëria e Tij nuk janë privilegje që u takojnë të paktëve, e as atyre që formohem kujdesshëm e gjatë. Mëshira e Tij njihet dhe ndeshet në një mënyrë shumë të veçantë nga ata. që nuk besojnë në vetvete dhe ndiejnë nevojën për ta lëshuar plotësisht veten në dorë të Zotit dhe për ta ndarë këtë çast me vëllezërit e tyre".

Magjisteri i brishtësisë

Papa nënvizon se "bëhet fjalë për mësimin e vërtetë të brishtësisë i cili, nëse do të dëgjohej, do t'i bënte shoqëritë tona më njerëzore dhe më vëllazërore, duke e nxitur secilin prej nesh të kuptojë se lumturia është  bukë, që nuk mund të hahet vetëm, se kemi nevojë për njëri-tjetrin”. E kjo do të mund të na ndihmonte për marrëdhënie më pak armiqësore, me ata që na rrethojnë! E edhe mendimi se as popujt nuk mund të shpëtojnë veten vetëm, do të na shtynte të kërkojmë zgjidhje për konfliktet e pakuptimta që po përjetojmë".

"Sot - vazhdon mesazhi - ne duam të kujtojmë vuajtjet e të gjitha grave dhe burrave me aftësi të kufizuara që jetojnë në situata lufte, ose të atyre   që  mbetën me aftësi të kufizuara për shkak të luftimeve. Sa njerëz - në Ukrainë dhe teatro të tjera të luftërave – mbeten të burgosur në vendet ku zhvillohen luftime dhe nuk kanë mundësi as të arratisen? Duhet t'u kushtohet vëmendje e veçantë dhe t'u lehtësohet në çdo mënyrë ndihma humanitare”.

Së bashku me invalidët, pranë njerëzimit

Së fundi Papa Françesku, në mesazhin e tij, kujton se muret e moskuptimit dhe diskriminimit shemben së bashku. “Mbi të gjitha, Sinodi, me ftesën e tij për të ecur së bashku dhe për të dëgjuar njëri-tjetrin, na ndihmon të kuptojmë se në Kishë - edhe në lidhje me aftësinë e kufizuar - nuk jemi ne dhe ata, por një “ne” e vetme, me qendër Jezu Krishtin, ku secili sjell dhuratat dhe kufizimet e veta. Ky ndërgjegjësim, i bazuar në faktin se ne të gjithë jemi pjesë e të njëjtit njerëzim të ligësht, të pranuar dhe të shenjtëruar nga Krishti, e zhduk çdo dallim dhe i hap derën çdo të pagëzuari, për pjesëmarrje në jetën e Kishës. Aq më tepër, atje ku Sinodi ishte vërtet gjithëpërfshirës, ndaj ​​bëri të mundur të zhduken paragjykimet e rrënjosura thellë:

“Nuk duhet harruar se janë takimi dhe vëllazërimi, ato që shembin muret e moskuptimit dhe zhdukin diskriminimin: prandaj shpresoj se çdo bashkësi e krishterë do t’ua hapë zemrat e portat motrave dhe vëllezërve me aftësi të kufizuara, duke siguruar gjithmonë mirëpritjen dhe përfshirjen e tyre të plotë”.

03 dhjetor 2022, 14:15