Kërko

2022.12.09 Movimento Cristiano Lavoratori 2022.12.09 Movimento Cristiano Lavoratori

Françesku: kontrata dinjitoze, jo të uriturish për kë punon, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë

"Puna po kalon në një fazë transformimi, që duhet shoqëruar" ndërsa format e skllavërisë dhe të shfrytëzimit "duhet të dëgjohen në mjediset tona kishtare". Këto fjalët që i drejtoi Papa Françesku Lëvizjes së Punëtorëve të Krishterë, MCL, në audiencën e sotme. Papa e ftoi organizatën të jetë "tharm i drejtësisë dhe i solidaritetit" në indin shoqëror italian

R.SH. - Vatikan

“Faleminderit për të mirën që mbollët në këto vite të jetës”. Me këto fjalë iu drejtua Papa Françesku anëtarëve të Lëvizjes së Punëtorëve të Krishterë, me të cilët u takua në Vatikan, me rastin e kremtimeve të 50-vjetorit të veprimtarive të tyre, lindur me bekimin e Papës Pali VI. “Faleminderit – vijoi Françesku – për angazhimin me të cilin i shërbyet shoqërisë italiane përmes veprimtarive formuese, klubeve, patronazhit, vëmendjes ndaj botës së punës, aspekteve të saj të ndryshme dhe shërbimit civil”.

Ngjarje, ky pesëdhjetë vjetor, që mund të jetë rast - pohoi Papa - për të kujtuar historinë, por edhe për të "ecur në dy drejtime”: drejt veprës së pastrimit dhe të mbjelljes së re". E më pas vërejti:

“Gatishmëria për kthesë, për ta pastruar veten, është shenjë guximi, fuqie, jo ligështie. Bëhet fjalë për të mirëpritur risinë e Shpirtit Shenjt, pa i krijuar pengesa: për t'i lejuar të rinjtë të gjejnë hapësirë, që fryma e dhurimit të ruhet dhe të ndahet e nisma e fillimeve të mos humbasë duke preferuar zgjedhje qetësuese, që nuk ndihmojnë për ta përjetuar risinë e kohërave”.

Inkurajimi i Papës është të "rigjindet hovi i fillimeve", me sytë e ngulur në "risinë e kohërave":

“Koncili na bëri thirrje të lexojmë shenjat e kohës - dhe mbi të gjitha na dha shembullin - prandaj, të vetëdijshëm për ndryshimet shoqërore, mund ta pyesni veten: si mund të jemi besnikë ndaj shërbimit të punëtorëve sot? Si ta jetojmë angazhimin për kthesën ekologjike dhe paqtimin? Si ta gjallërojmë shoqërinë italiane në fushën e ekonomisë, të politikës, të punësimit, duke kontribuar në përpjekjen për dallimin, me kriteret e ekologjisë integrale dhe të vëllazërisë?”.

Duhet shikim përpara, përkushtim për një mbjellje të re, tejet të nevojshme në stinën e vështirë dhe të zymtë që po jetojmë për shkak të pandemisë së pari, e më pas edhe të luftës. “Kjo ju bën thirrje të jeni mbjellës shprese”, theksoi Papa, veçanërisht për sa i përket botës së punës. Për të nënvizuar, më pas, rëndësinë që ka dëgjimi i punëtorëve dhe i problemeve të tyre:

 “Puna po kalon në një fazë ndryshimesh, që duhen shoqëruar. Pabarazitë sociale, format e skllavërisë dhe të shfrytëzimit, varfëria familjare për shkak të mungesës së punës apo punës së paguar keq, janë realitete që duhen dëgjuar në mjediset tona kishtare. Ju nxis ta keni mendjen dhe zemrën të hapur për punëtorët, veçanërisht për të varfërit dhe të pambrojturit; për t'i dhënë zë të pazërit; mos u shqetësoni aq shumë për anëtarët tuaj, por të jeni tharm në strukturën shoqërore të vendit, tharm i drejtësisë dhe i solidaritetit”.

Papa Françesku kërkoi edhe vëmendje të veçantë për punën e grave dhe të rinjve, punë e cila - saktësoi - duhet të ketë "kontrata dinjitoze, jo njerëzish të uritur" dhe  të mbrojë "kohën dhe hapësirën e frymëmarrjes për familjen". Më pas vërejti se Lëvizja vë në jetë doktrinën shoqërore të Kishës me parimet e solidaritetit dhe ndihmës në qendër dhe kujtoi se "familjet, kooperativat, bizneset, shoqatat janë indi i gjallë i shoqërisë", pa harruar se, siç thuhet në "Fratelli, tutti", "shoqatat dhe organizatat e shumta të shoqërisë civile ndihmojnë për të mbuluar dobësitë e bashkësisë ndërkombëtar".

Në përfundim, Françesku ftoi për të vijuar rrugën, me guximin e fillimeve:

“Lufta e tretë botërore, në vazhdim, na bën të vetëdijshëm se përtëritja lind nga poshtë, ku marrëdhëniet jetohen me solidaritet dhe besim. Të mos lejojmë të na grabitet guximi i fillimeve të reja të pajtimit dhe të vëllazërisë”.

09 dhjetor 2022, 13:08