Kërko

UKRAINE-CRISIS/SOLEDAR UKRAINE-CRISIS/SOLEDAR

Ukrainë, Françesku: paqja është e mundur, të mos i dorëzohemi luftës

Thirrje e re e Papës, në përfundim të Engjëllit të Tënzot, për vendin e “torturuar” nga sulmet. Papa u kërkon besimtarëve afërsi “në lutje dhe solidaritet” për popullatën, viktimë e “mizorisë”, siç e kujtoi gjatë Meshës për ditën e të varfërve, në Shën Pjetër

R.SH. - Vatikan

Edhe në këtë të dielë, si në të gjitha të dielat duke nisur nga 24 shkurti i kaluar, dita e sulmit të parë rus kundër tokës ukrainase, mendimi i Papës Françesku rikthehet në “Ukrainën e torturuar”. Një mendim, në fund të Engjëllit, ashtu si në raste të tjera publike, që merr gjithmonë formën e thirrjes për paqe. Sot edhe premtimi se rrugëdalja nga tmerri ekziston!

 “Paqja është e mundur. Të mos i dorëzohemi luftës!”.

Pranë popullsisë

Nga dritarja e Pallatit Apostolik, përballë 30 mijë njerëzve mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, shumë prej të cilëve morën pjesë edhe në Meshën për Ditën Botërore të të Varfërve në Bazilikë, si dhe të gjithë besimtarëve, që e ndjekin transmetimin përmes internetit dhe TV, Papa Françesku kërkoi afërsi për popullsinë e vendit të Evropës Lindore:

“Të jemi gjithnjë pranë vëllezërve tanë të Ukrainës së martirizuar. Pranë me lutje dhe me solidaritet konkret”.

Mendimi, gjatë Meshës në Shën Pjetër

Papa i përmendi vuajtjet e popullit ukrainas edhe gjatë Meshës në Bazilikën e Vatikanit,

Edhe sot jetojmë në shoqëri të plagosura dhe jemi dëshmitarë, ashtu siç na kujton Ungjilli, në skena dhune - mjafton të mendosh për mizorinë që po vuan populli ukrainas - kujtoi - duke e dënuar haptazi atë, që e quajti "lufta e tretë mizore botërore". Përballë saj - shtoi edhe gjatë homelisë së Meshës - ne nuk duhet të kemi frikë, e as të largohemi. Të fortë në Krishtin, të krishterët duhet të pyesin veten “çfarë të mire duhet të bëjmë?".

Alarmet ajrore dhe bombardimet në vend

Ndërkohë lufta në vend vijon prej 260 ditësh. Ukraina u zgjua edhe sot nga fishkëllima e mprehtë e sirenave kundërajrore, të cilat ranë pak pas orës 9, si dhe nga alarmi i qeverisë ukrainase, që u bëri thirrje qytetarëve të shkojnë menjëherë në strehimet dhe të qëndrojnë atje deri në njoftimin e dytë. Shkak i alarmit – siç raportojnë mediat lokale - ngritja e një avioni Mig-31K, i aftë për të mbajtur raketa Kinzhal, nga aeroporti Machulishchi në Bjellorusi. Një tjetër aeroplan luftarak ishte nisur nga aeroporti Baranovichi disa minuta më parë. Në Zaporizhzhia, rajoni juglindor ku ndodhet termocentrali më i madh bërthamor në Evropë, policia evakuoi banorët e rrethit Shevchenkiv pas një sulmi me raketa ruse. Zona u godit me bomba nga Iskander-K. “Duke qenë se ai lloj municioni mund të shpërthejë në çdo çast, popullsia u evakua përkohësisht”. Ndërkaq – sipas policisë, cituar nga agjencia UNIAN, vijon pastrimi i minave. Në Nikopol, një qytet në Dnieper në rajonin e Dnipropetrovsk, jo shumë larg Zaporizhzhia, vijuan bombardimet e natës. Dy gra u plagosën, ndërsa u goditën rreth dyzet ndërtesa private banimi si dhe dhjetëra ndërtesa tregtare dhe infrastruktura energjetike.

13 nëntor 2022, 14:52