Papa: t’i lutemi Zotit me duar të bashkuara e zemër të hapur
R.SH. - Vatikan
“Çdo herë që i bashkojmë duart dhe e hapim zemrën ndaj Zotit, ne gjendemi në një shoqëri shenjtorësh anonimë dhe shenjtorësh të njohur që luten me ne dhe ndërmjetësojnë për ne, si vëllezër dhe motra më të mëdhenj që kanë kaluar nëpër aventurën tonë njerëzore. #Lutje”. Kështu pohon Papa në një tweet, sot 22 nëntor 2022, botuar në faqen @Pontifex.
“Lutja e shndërron zemrën. Na bën ta kuptojmë më mirë si është Zoti ynë. Lutja është kohë e hapësirë, që nevojitet për të njohur më mirë Zotin, ashtu si bëhet me një mik, sepse Moisiu, na kujton Bibla, i lutej Zotit, duke folur me të si miku me mikun: “Bibla thotë se Moisiu flet me Zotin sy më sy, si miku me mikun. Kështu duhet të jetë lutja: e lirë, ngulmuese..”, kështu pati thënë mes tjerash Papa Françesku gjatë Meshës së 4 prillitn2014, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan.
Në çdo lutje, kujtoi Papa, "është i pranishëm Shpirti Shenjt. Është Shpirti i Zotit, që lutet në shpirtin tonë. Pa Shpirtin Shenjt nuk ka lutje. Ai na mëson të lutemi, ashtu si u lut Moisiu, e të diskutojmë me Hyjin me liri shpirti, me guxim. E Shpirti Shenjt, gjithnjë i pranishëm në lutjen tonë, na prin nëpër këtë udhë”.