Papa: të shtunën, do të shkojë për vizitë te kushërira në Portacomaro
R.SH. – Vatikan
Papa Françesku do të takohet me kushërirën e tij, Carla Rabezzana, të shtunën paradite në Portacomaro të Astit (Itali). Fillimisht, përshëndetja e Atit të Shenjtë me gruan 90-vjeçare ishte parashikuar në Asti. Njoftimin e dha kryetari i bashkisë së Portacomaro-s, Alessandro Balliano, në rrjetet shoqërore.
“Papa Françesku – shkruan ai – do të vijë këtu të shtunën, më 19 nëntor, në orët e vona të paradites e do të niset në orët e para të pasdites. Makinat do të kalojnë në fshat nga e përpjeta e Pozzetto-s, rruga Marconi, deri sa të arrijnë në rrugën Degiani. Rruga do të jetë e mbyllur për trafikun. Para mbërritjes së kortezhit, do të bllokohen rrugët provinciale. Do të jetë një vizitë private, prandaj, shërbimi i sigurimit do të kufizohet ngushtësisht rreth saj”.
Lidhja e Papës me kushërirën
Më 8 nëntor, Carla Rabezzana, kushërirë e dytë e Atit të Shenjtë, mbushi 90 vjeç e kjo vizitë e Papës është dhuratë ditëlindjeje për të. Françesku ka qenë disa herë në shtëpinë e saj në Torino, kur vinte në Itali si kardinal. Për këtë arsye, ndërmjet dy kushërinjve ka një lidhje shumë të fortë, që e nxiti “Giorgio”-n, siç e quan Carla me dashuri, të organizojë këtë fundjave vizitën në zonën e Astit. Kujtojmë se Carla është zhvendosur nga Torino në Portacomaro në vitin 2015. Nëse të shtunën, Papa do t’i urojë kushërirës 90-vjetorin, të dielën, Jorge (që në italisht do të ishte Giorgio e në shqip Gjergj), do të kremtojë meshën e do të thotë Engjëllin e Tënzot në katedralen e Astit, për t’u kthyer pasdite në Vatikan.