Kërko

Pjesëmarrësit në Takimin për edukimin, paqen dhe kujdesin ndaj krijimit Pjesëmarrësit në Takimin për edukimin, paqen dhe kujdesin ndaj krijimit 

Papa, të rinjve: ëndërrojeni paqen gjithmonë, jo vetëm në rast sulmi bërthamor

Françesku takon në sallën Pali VI mijëra nxënës dhe mësues, të cilët marrin pjesë në takimin me temë edukimi për paqen dhe kujdesin e promovuar nga Rrjeti Kombëtar i Shkollave të Paqes. Atyre u drejtohet ftesa për të qenë “poetë të paqes” dhe për të “ëndëruar ëndrra të mëdha” frymëzuar nga shembulli i Martin Luther Kingut dhe Gjonit XXIII. Duke u ndaluar tek figura e Roncallit, Papa kujton "Pacem in Terris”, që mbush 60 vjet: "Lexojeni dhe studiojeni, është shumë aktuale"

R. SH. - Vatikan

Citon Borgesin dhe Shën Françeskun, më pas tregon një objektiv: të jesh "poet i paqes" si dhe dy modele, që duhen ndjekur: "Papa i mirë" Gjoni XXIII ("lexo dhe studio Pacem në Terris", thotë ai) dhe Martin Luter King, dy ëndërrimtarë, dy profetë. Papa takon në Sallën Pali VI rreth 6000 nxënës dhe mësues, që marrin pjesë në takimin e edukimit për paqen dhe kujdesin, promovuar nga Rrjeti Kombëtar i Shkollave për Paqen. Audienca me Papën është kulmi i një sërë aktivitetesh dhe nismash formuese, që do të përfundojë me Marshimin Perugia-Asizi, në maj të vitit të ardhshëm, gjatë të cilit do të paraqiten rezultatet e punës dhe propozimet e të rinjve dhe vajzave.

Të kesh kujdes

Të gjithë janë mbledhur sot në sallën e madhe të Vatikanit, thuajse tërësisht e mbushur, për të pritur Papën, i cili mbërriti gjysmë ore përpara kohës së caktuar. Shumë ndërhyrje dhe dëshmi, shumë çaste muzikore, të alternuara me minuta heshtjeje për viktimat e konflikteve dhe ata që mbyten në ujë. Pati gjithashtu shumë thirrje për "mospranimin e luftës" dhe  mbrojtjen e paqes. Një paqe që mbrohet duke u “kujdesur” për vëllezërit dhe motrat tona” - thotë Papa Françesku në fjalën e tij, duke cituar moton e manifestimit:

“Shpesh flasim për paqen, kur ndihemi të kërcënuar drejtpërdrejt, si në rastin e një sulmi të mundshëm bërthamor ose të një lufte që luftohet në pragun tonë. Ashtu siç na interesojnë të drejtat e emigrantëve kur kemi disa të afërm apo miq që emigruan. Paqja na shqetëson gjithmonë! Si gjithmonë, ka të bëjë me tjetrin, vëllanë dhe motrën dhe ne duhet të kujdesemi për këtë dhe për atë”.

Përgjigje Paktit Edukativ Global

Papa përshëndet programin edukativ të Shkollave për Paqe, i cili, vëren ai, është përgjigje ndaj thirrjes për një Pakt Edukativ Global, nisur tre vjet më parë për të gjithë ata që punojnë në fushën e arsimit, në mënyrë që të bëhen "promovues" të vlerave të kujdesit, paqes, drejtësisë, mirësisë, bukurisë, vëllazërisë. Jo vetëm shkollat, universitetet dhe organizatat katolike i janë përgjigjur thirrjes, vëren me gëzim Françesku, por edhe institucionet publike, laike dhe të feve të tjera.

Së bashku

Ky është çelësi, thotë Papa: të bashkohemi, të ecim përpara së bashku: “Edhe në kohën tonë mund të gjejmë dëshmi të vlefshme të njerëzve apo institucioneve që punojnë për paqen dhe kujdesen për nevojtarët. Le të mendojmë, për shembull, për ata që kanë marrë Çmimin Nobel për Paqen, por edhe për shumë njerëz të panjohur, që punojnë në heshtje për këtë kauzë”.

Modeli i Samaritanit të Mirë

Françesku tregon si "model par excellence i kujdesit" samaritanin e mirë të Ungjillit, i cili ndihmoi një të huaj të plagosur gjatë rrugës. “Nuk e dinte nëse fatkeqi ishte njeri i mirë apo horr, ishte i pasur apo i varfër, i shkolluar apo injorant... Nuk e dinte nëse ai fatkeqi “e kishte kërkuar” apo jo”. Ungjilli thotë: "Ai e pa dhe ndjeu dhembshuri për të", prandaj "nuk i bëri vetes kaq shumë pyetje" por "ndoqi lëvizjen e dhembshurisë".

Këtë kujtoi Papa, duke u ndaluar, më pas, tek dy figura të tjera, parë si "dëshmitarë" të kujdesit për njeriun. I pari është Shën Gjoni XXIII.

Ai u quajt "Papa i Mirë", e edhe "Papa i Paqes", sepse në ato fillime të vështira të viteve 1960, përplot me tensione të forta - ndërtimi i Murit të Berlinit, kriza e Kubës, Lufta e Ftohtë dhe kërcënimi bërthamor - botoi enciklikën e famshme dhe profetike Pacem in terris. Vitin tjetër mbush 60- vjet dhe është shumë aktual!

Papa Gjoni - vijoi të kujtojë Françesku - “iu drejtua të gjithë njerëzve vullnetmirë, duke kërkuar zgjidhjen paqësore të të gjitha luftërave përmes dialogut dhe çarmatimit. Ishte një thirrje, që u dëgjua me vëmendje të madhe në botë, shumë përtej bashkësisë katolike, sepse ishte kuptuar një nevojë e gjithë njerëzimit, ashtu si sot. Kjo është arsyeja pse ju ftoj të lexoni dhe studioni Pacem in terris dhe të ndiqni këtë rrugë për ta mbrojtur dhe për ta përhapur paqen”.

"Unë kam një ëndërr"

Nga ato vite vjen edhe dëshmia e “një profeti tjetër të kohës sonë”, Martin Luther King, fitues i çmimit Nobel për Paqe në vitin 1964, i cili mbajti fjalimin historik: “Unë kam një ëndërr”.

Në një kontekst amerikan të karakterizuar fort nga diskriminimi racor, ai i bëri të gjithë të ëndërronin idenë e një bote të drejtë, të lirë, të barabartë. Ëndërroi e tha: "Kam një ëndërr: që katër fëmijët e mi të vegjël një ditë të jetojnë në një komb, ku nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga dinjiteti i personit të tyre."

Ëndërroni ëndrra të mëdha, ëndërroni në Lisbonë

Kjo ishte dëshira e King-ut: “Po juaja? Cila është ëndrra juaj për botën e sotme dhe të nesërme?”- i pyeti Papa të rinjtë, për t’i inkurajuar më pas "të ëndërrojnë ëndrra të mëdha", ashtu si Gjoni XXIII dhe Martin Luther King.

Në këtë vazhdë, Françesku përsëriti ftesën për të marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë, në gusht 2023:

"Kush do të mund të vijë prej jush - nënvizoi - do të takojë shumë djem dhe vajza të tjera nga e gjithë bota, të gjithë të bashkuar nga ëndrra e vëllazërisë, bazuar në besimin në Zotin, që është Paqja, Ati i Jezu Krishtit dhe Ati ynë".

Dhe nëse nuk mund të vini fizikisht, ju ftoj ta ndiqni dhe të merrni pjesë, sepse tani, me mjetet e sotme, kjo është plotësisht e mundur – kujtoi.

Poetët e paqes

Në përfundim të audiencës, Papa Françesku u uroi të gjithëve "udhë të mbarë në Kohën e Ardhjes": "Udhë e përbërë nga shumë gjeste të vogla paqeje, çdo ditë: gjeste të mirëseardhjes, takimit, mirëkuptimit, afërsisë, faljes, shërbimit… Gjeste të bëra me zemër”.

Së fundi, citoi poetin Borges, një nga poezitë e të cilit mbaron, ose më saktë, nuk mbaron, me këto fjalë: “Të falënderoj dua hyjnorin/labirint të pasojave e shkaqeve/ për larminë e krijesave/ në një gjithësi të vetme...”, e dhe Uitmanin e Françeskun e Asizit, që  shkruan poezi të ngjashme, për faktin se kjo poezi është e pashterrshme, ngatërrohet me shumën e krijesave, nuk do të arrijë kurrë në vargun e fundit e ndryshon sipas njerëzve':

“Edhe ju - uroi Papa - mund ta pranoni ftesën e poetit për të vazhduar poezinë e tij, duke i shtuar secilit falënderimin, që dëshiron. Qoftë secili prej jush poet i paqes! Poet i paqes, kuptuat?”.

Ende me muzikë në sfond, në fund të audiencës Papa u kënaq me  turmën, duke kaluar me karrigën lëvizëse ndërmjet fëmijëve dhe të rinjve të pranishëm të cilët, pasi tundin pankartat dhe kartelat, përpiqen, secili me smartfonin e vet, për ta përjetësuar takimin me Ipeshkvin e Romës, që lëviz fare pranë, duke u shtrënguar duart në kalim!

28 nëntor 2022, 14:07