Françesku: të kujdesemi për cilësinë e shërbimeve shëndetësore territoriale
R.SH. - Vatikan
Papa priti sot, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, rreth 400 përfaqësues të rrjetit të farmacive Apoteca Natura, rreth, që kujdeset për njerëzit, duke respektuar fiziologjinë e organizmit dhe mjedisin. Gjatë takimit, Françesku theksoi se ndihmesa e farmacive mund të jetë shumë e dobishme: “figura e mjekut të familjes pothuajse është zhdukur. Lind kështu rreziku që, për të privilegjuar ‘të përkryerit’, të lihet pas dore cilësia e mirë e shërbimeve shëndetësore territoriale”
Intuitë tërësisht ekologjike
Përvoja juaj për t’i kërkuar në natyrë përgjigjet për problemet shëndetësore, më bëri të mendoj për Amazonën. E di se mund ta kuptoni mirë këtë shoqërim idesh. Popujt indigjenë - në Amazonë si dhe në pjesë të tjera të botës – janë shumë të pasur me mjekime natyrore; por edhe këto, për fat të keq, rrezikojnë të humbasin, nëse shuhen kulturat origjinale:
“Në punën tuaj shikoj një shenjë pozitive të kohës: një mënyrë frymëzuese për të krijuar punësim, duke u nisur nga një intuitë tërësisht ekologjike, intuitë që i përgjigjet nevojës parësore për harmoni të re ndërmjet njeriut dhe krijimit”.
Farmacitë mund t’i kompensojnë disa mangësi
Në rrjetin e farmacive tuaja shoh edhe një intuitë tjetër të dobishme – vijoi Papa - përpjekjen për të zhvilluar atë, që tashmë është karakteristikë e farmacistëve, pra marrëdhënie të personalizuara me njerëzit e zonës, një farë aftësie për të dëgjuar, për të qenë në gjendje të këshilloni, të udhëzoni…:
“Megjithatë, edhe nëse nuk është shpikja juaj, ju keni ndërmend të ‘investoni’ në këtë aspekt, i cili është shumë i rëndësishëm në këndvështrimin e kujdesit bazë shëndetësor”.
Fatkeqësisht, për arsye të ndryshme, figura e mjekut të familjes pothuajse është zhdukur. Krijohet kështu rreziku që, për të privilegjuar “ekselencën”, të lihet pas dore cilësia e mirë e shërbimeve shëndetësore vendase; ose që këto të burokratizohen dhe të kompjuterizohen aq, sa të moshuarit ose të paarsimuarit plotësisht të përjashtohen a të lihen fare mënjanë! Natyrisht, farmacitë nuk mund të kompensojnë atë, që i takon shërbimit shëndetësor kombëtar, por sigurisht që mund t’i përgjegjn një nevojë reale të njerëzve, duke plotësuar disa mangësi.
Harmonia dhe kujdesi
Harmonia është koncept, që e kam më shumë për zemër - kujtoi Papa - Ka vlerë të lartë teologjike dhe shpirtërore; madje mund të konsiderohet emër i Zotit, sepse Shpirti Shenjt është vetë Harmonia. Për këtë arsye, krijimi, pikërisht si i tillë, pra i “krijuar” nga Zoti që është harmoni, pasqyron planin e Krijuesit dhe, duke qenë i prekur nga e keqja, që e ndot, ka gjithmonë etje për të mirën dhe harmoninë. Shkrimi i Shën Palit drejtuar Romakëve e prek këtë realitet, duke na kujtuar se edhe vetë krijesa i nënshtrohet kotësisë, ndaj gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. (Rm 8,20.22). Në fenomenin shumëformësh të kozmosit dhe në veçanti të jetës, në të gjitha shprehjet e saj, ne mund të dallojmë një plan, madje Pali flet për "pritjen e zjarrtë të krijimit" (Rom 8:19), sikur shpresa e Zotit – shpresa e shpëtimit dhe të bashkimit, të pasqyrohej në krijimin e tij.
Britma e tokës dhe e të varfërve kërkon përgjegjësi në zgjedhjen e rrugëve
Sot, në një botë të globalizuar dhe të ndërlidhur, ndeshja ndërmjet dy kulturave është edhe më e dukshme: kultura e konsumizmit dhe e shpërdorimit, nga njëra anë - formë nihilizmi - dhe kultura e kujdesit, nga ana tjetër. Sot nuk na lejohet të qëndrojmë asnjanës. Na kërkohet të zgjedhim, sepse klithma e tokës dhe klithma e të varfërve kërkojnë përgjegjësi. Kultura e konsumizmit dhe e shpërdorimit është shumë e përhapur dhe prek një mori nga sjelljet tona të përditshme, e kështu edhe kultura e kujdesit shprehet në shumë zgjedhje të vogla dhe të mëdha nga secili, në varësi nga roli që luan në jetë.
“Enciklika Laudato si' synon të jetë për të gjithë Kishën dhe për të gjithë burrat dhe gratë vullnetmira, thirrje për të mbajtur qëndrim, me vetëdije dhe vendosmëri. Dhe, siç ju njoh, mendoj se puna juaj i përgjigjet kësaj logjike dhe këtij stili jete”.
E akoma:
“Secili, në rolin e tij, mund të kontribuojë në përhapjen e kulturës së kujdesit. Ju falënderoj për atë që bëni, duke filluar nga fusha juaj e punës e duke u përpjekur edhe për të dhënë një kontribut konkret për zhvillimin e një ekonomie të ndryshme, që ka në qendër njeriun dhe të mirën e përbashkët”.