Papa për Kolegjin Papnor Nepomuçen: ndërtoni ura, që brigjet armike të komunikojnë sërish
R.SH. – Vatikan
Seminaristët e Kolegjit Papnor Nepomuçen u pritën sot në audiencë nga Papa Françesku në Vatikan. Gjatë bisedës, që pati me ta, Ati i Shenjtë u kujtoi dëshminë e pajtorit të kolegjit, Shën Gjon Nepomuçenit, i cili jetoi në Bohemi gjatë shekullit të 14-të. Rrëfyes i Mbretëreshës së Bohemisë, Shën Gjon Nepomuçeni refuzoi t'i tregonte Mbretit çfarë i thoshte bashkëshortja e tij në rrëfim. Për këtë arsye, u torturua dhe e hodhën nga një urë, duke e bërë martir të rrëfimit. Papa nënvizoi se guximi i tij është shembull për shumë meshtarë e ipeshkvij, që mbajtën të njëjtin qëndrim, duke refuzuar të tregojnë sekretet e besimtarëve njerëzve të regjimeve të çfarëdollojshme. Mjafton të kujtojmë njërin ndër të Lumët shqiptarë, për shembull, martirin e fesë Át Karl Serreqi, i cili, kur e pyesnin në burg, ose heshtte, ose përsëriste: “Vdes, por nuk flas! Sakramenti i Rrëfimit është sekret i shenjtë e nuk tregohet”.
Guximi për t'i thënë 'po' Krishtit
Qëndrueshmëria dhe guximi – tipare, që shihen qartë tek Shën Gjon Nepomuçeni – duhet të bëjnë gjithnjë pjesë në botëkuptimin e seminaristëve, vuri në dukje Papa. Aty duhet të gjejnë “rrënjët jetësore” për shërbimin e tyre në Kishë, të jenë në gjendje t’i thonë “jo” presioneve të botës, të shtuara e të shumëfishuara përmes mediave, pushtetit politik dhe ideologjive kulturore. “Po”-ja e Shën Gjon Nepomuçenit për Kishën dhe Krishtin, nënvizoi Ati i Shenjtë, të jetë shembull për “përparësinë e ndërgjegjes mbi çdo pushtet tjetër të kësaj bote”, qëndrim themelor për të qenë i krishterë i vërtetë.
“Shpresoj që Kolegji Papnor, i cili mban emrin e meshtarit dhe të martirit të madh bohem të jetë gjithmonë shtëpi dhe shkollë lirie, lirie shpirtërore, të bazuar në marrëdhëniet me Krishtin dhe me Shpirtin Shenjt”.
Ndërtoni ura
Mënyra më e përshtatshme për të nderuar kujtimin e Shën Gjon Nepomuçenit, vijoi Papa, është të “ndërtojmë ura” ndërmjet nesh dhe të dialogojmë me grupet e ndryshme të njerëzve, aty ku ka përçarje dhe keqkuptime.
“Ne duhet të jemi vetë ura, mjete të përvuajtura dhe të guximshme takimi e dialogu ndërmjet njerëzve dhe grupeve të ndryshme kundërshtare”.
Ky është tipar kryesor i "identitetit të shërbëtorit të Krishtit", pohoi Papa Françesku, duke vënë në dukje dëshminë e "shumë meshtarëve dhe ipeshkvijve të shenjtë", që kanë shërbyer si paqtorë gjatë çasteve historike të konflikteve dhe përçarjeve. E këtë, e bëjnë edhe më mirë gratë, vërejti Ati i Shenjtë, duke lënë mënjanë letrat e shkruara e duke iu drejtuar grave të pranishme. “Gratë dinë të ndërtojnë ura më mirë se ne burrat” e, duke qeshur, u tha murgeshave t’u mësojnë meshkujve si ndërtohen ura ndërmjet njerëzve.
Jezusi në qendër
Hapi i parë në ndërtimin e këtyre “urave” të vëllazërimit dhe të dialogut, theksoi Françesku, është lutja, ose “trokitja me këmbëngulje në zemrën e Krishtit”. Papa përmendi më pas një meditim të mbajtur nga kardinali i ndjerë Carlo Maria Martini në janar 1991, gjatë Luftës së Gjirit Persik: “Ndërmjetësim do të thotë të vendosesh aty ku ndodh konflikti, ndërmjet dy palëve në konflikt… Është gjesti i Jezu Krishtit në kryq”. Në kohë lufte, si kjo e sotmja, nënvizoi Papa, ky reflektim është veçanërisht i rëndësishëm, pasi vetëm Jezu Krishti mund të na sjellë paqe dhe të shembë muret e armiqësisë. Prandaj, në vend të vetvetes, duhet të vendosim Jezusin në qendër të jetës, duke u larguar nga “tundimi i protagonizmit të kësaj bote”.
"Nuk mund dhe nuk duhet të jemi ne në qendër, por Ai!"
Duke vënë në dukje se Kolegji Nepomuçen ka përfshirë shumë kombësi të ndryshme, Papa e përfundoi fjalën e tij me nënvizimin se larmia e ndryshimet janë mënyrë për të praktikuar ndërtimin e "urave" më të mira, si "shërbëtorë të kulturës së takimit, të aftë për të parë tek tjetri origjinalitetin e tij të veçantë e, njëkohësisht, edhe humanitetin e përbashkët”.