Papa për FOCSIV: jetojmë qytetërimin e konfliktit, na duhet takim
R.SH. - Vatikan
FOCSIV do të thotë Federata e Organizmave të Krishtera të Shërbimit Ndërkombëtar e të Vullnetariatit e në të bëjnë pjesë 90 organizata, që shërbejnë në më se 80 vende të botës. Anëtarët e kësaj Federate, me qendër në Itali, priti sot Papa në Vatikan, me rastin e 50-vjetorit të themelimit. Në fillim të fjalëve, shqiptuar lirisht, pasi u dorëzoi fjalimin zyrtar, Françesku u tha se puna vullnetare është një nga tiparet më të zhvilluara në Itali, së bashku me oratoriumet në famulli e shoqatat për ndihmë ekonomike.
Vullnetari del për të takuar e del për të dhuruar
Duke vënë në pah aspektin e punës vullnetare, Ati i Shenjtë nënvizoi se çdo vullnetar vendos, me dëshirë, për të dalë nga bota e vet e nga jeta e vet e përditshme, në ndihmë të të tjerëve. “Nuk ka vullnetariat nga tryeza – theksoi Papa – nuk ka vullnetariat para televizorit. Vullnetari është gjithnjë në dalje, me zemrën e hapur, me dorën e shtrirë, me këmbët gati për të ecur. Del për të takuar e del për të dhuruar”.
Qytetërimi i konfliktit kërkon vullnetarë takimi
Papa u thellua edhe më tej në këto dy fjalë të fundit. Duke vënë në dukje se po përjetojmë një qytetërim konflikti e një luftë të tretë botërore pjesë-pjesë, Françesku theksoi se është më e lehtë të thuash “unë jam kundër këtij e atij”, në vend që të thuash “unë jam me këtë apo atë”. Kjo është më e lodhshme, por është pa dyshim puna e vullnetarëve si ata të FOCSIV, që dalin për të takuar gratë e burrat nevojtarë për ndihmë, duke ecur bashkë me ta e jo kundër tyre.
“Ky është vullnetariati juaj – pohoi Ati i Shenjtë – dhe e bëni pa pagesë; po, ndoshta, ju japin diçka për autobusin, për biletën, por asgjë më tepër. Pa pagesë, jo për të fituar, por për thirrje, për vokacion. Është investim i kohës suaj, që e bën të frytshme jetën e të tjerëve”.
Kërkoni të vërtetën, edhe me diskutime të zjarrta
Kur hasni në probleme, i këshilloi Papa vullnetarët e FOCSIV, mos e fshihni kokën nën dhe si struci, por diskutoni, madje, edhe grinduni, sepse nganjëherë, diskutimi i zjarrtë bën mirë e çon në zgjidhjen e problemeve, ashtu siç ndodh ndërmjet vëllezërish. Françesku dha si shembull familjen e tij me pesë vëllezër e motra, ku grindjet përfundonin me një të puthur në faqe, pa e prishur lidhjen vëllazërore.
“Këtë duhet të bëjmë ne, të kërkojmë të vërtetën e, nëse ka këndvështrime të ndryshme, të diskutojmë, por vëllazërimi nuk preket, mbetet përgjithmonë. E puna vullnetare është himn për vëllazërimin, është himn për të ecur përpara kështu. Prandaj, vazhdoni të ecni dhe t’i ndihmoni njerëzit, duke ua shtrirë atyre dorën”, përfundoi Ati i Shenjtë.