Papa mësuesve katolikë: kujdes nga kolonizimi ideologjik
R.SH. - Vatikan
“Kini kujdes t’i bëni mësuesit të kuptojnë çfarë është risia që na bën të rritemi dhe çfarë, ideologjizimi, kolonizimi ideologjik”. “Sot kolonizimet ideologjike shkatërrojnë personalitetin njerëzor e, kur hyjnë në arsim, shkaktojnë masakra”. Këtë nënvizoi Papa Françesku gjatë takimit me pjesëmarrësit në Asamblenë e Përgjithshme të Unionit Botëror të Mësuesve Katolikë (Umec-Wuct), “rrjet kolegësh në profesion dhe vëllezër e motra në besim, i cili - shpjegon Papa - në frymën dhe stilin e miqësisë, mikpritjes, njohjes së ndërsjellë dhe rritjes së përbashkët shpirtërore, vihet në shërbim të të gjithë mësuesve katolikë për të ruajtur identitetin dhe për të kryer misionin”:
“Do të thosha se në këtë detyrë jeni ‘bashkëpunëtorë të Papës’: e kjo, sepse misioni i Pasardhësit të Pjetrit është pikërisht t’i përforcojë vëllezërit në besim (krh. Lk 22,32). Kështu edhe ju, në botën e shkollave, bëni të pranishëm shërbimin e Kishës për të mbështetur mësuesit katolikë në fe, në mënyrë që ata të mund ta kryejnë sa më mirë punën dhe dëshminë e tyre, në situata shpesh të ndërlikuara në planin e marrëdhënieve e në atë institucional”.
Dëshmojeni fenë
“Prania e edukatorëve të krishterë në botën shkollore është me rëndësi jetike. E vendimtar, stili i asaj, apo atij! Edukatori i krishterë është thirrur të jetë në të njëjtën kohë plotësisht njerëzor dhe plotësisht i krishterë”. “Nuk duhet të jetë spiritualist e jashtë kësaj bote”. “Nuk ka humanizëm pa krishterim. As krishterim, pa humanizëm”. Prandaj, edukatori i krishterë “duhet të jetë i rrënjosur në të tashmen, në kohën e tij, në kulturën e tij. Është e rëndësishme që personaliteti i tij të jetë i pasur, i përzemërt, i aftë për të krijuar marrëdhënie të sinqerta me nxënësit, për t’i kuptuar nevojat e tyre më të thella, pyetjet e tyre, frikën, ëndrrat e tyre”:
“E duhet të jetë edhe i aftë të dëshmojë - para së gjithash me jetë e edhe me fjalë - se feja e krishterë rrok gjithë qenien njerëzore, se sjell dritën dhe të vërtetën në çdo fushë të jetës, pa përjashtuar asgjë, pa ua prerë flatrat e ëndrrave të rinjve, pa i varfëruar aspiratat e tyre”.
Lëre një shenjë!
Unioni Botëror i Mësuesve Katolikë - kujton Françesku - përjetoi periudha të vështira në historinë e tij të fundit, “madje edhe me çaste dyshimi dhe çkurajimi”. Por edhe “në këto kohë të stuhishme”, nuk mungoi angazhimi “në frymën e fesë dhe të shpresës së krishterë”. Umec sot thirret “për të mbështetur mësuesit e të gjitha moshave dhe në të gjitha kushtet e punës: si ata me një përvojë të gjatë - të pasur me kënaqësi por edhe vështirësi - ashtu edhe brezat e rinj, mësues të gjallëruar nga entuziazmi dhe dëshira për të punuar, edhe me dobësitë dhe paqartësitë, që nuk mungojnë në vitet e para të mësimdhënies”:
“Të gjithë këta mësues - nëse i shikojmë në këndvështrimin e krishterë, për të cilin ndonjëherë ata vetë nuk ndjehen plotësisht të vetëdijshëm - janë në gjendje të lënë gjurmë, për mirë apo për keq, në jetën e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, të cilët u janë besuar për një kohë të gjatë. Çfarë përgjegjësie! Dhe çfarë mundësie për t’i edukuar, me urtësi dhe respekt, në shtigjet e botës dhe të jetës, duke i shoqëruar mendjet e tyre për të njohur të vërtetën, të bukurën, të mirën. Ne e dimë, nga përvoja personale, sa e rëndësishme është të kesh mësues të mirë dhe edukatorë të mençur në vitet e formimit!”.
Së fundi, Papa u drejtoi një ftesë anëtarëve të Unionit Botëror të Mësuesve Katolikë.
“Një ftesë - kujtoi - që e kam shumë për zemër dhe që lidhet me Paktin Global të Arsimit, nismë, që synon të bashkojë përpjekjet në një aleancë të gjerë arsimore për të formuar njerëz të pjekur, të aftë për të kapërcyer fragmentimet dhe konfliktet dhe për të rindërtuar strukturën e marrëdhënie për një njerëzim më vëllazëror”.
Kam besim - shtoi në përfundim Françesku - në angazhimin tuaj për të përfshirë mësuesit anëtarë të Umecit në këtë projekt, i cili synon të vërë në qendër njeriun me dinjitetin dhe bukurinë e tij si dhe familjet si subjekte kryesore edukative.