Papa kujton kardinalin Baawobr: “Bari i urtë në shërbim të nevojtarëve”
R.SH. – Vatikan
“Bari i urtë”, i cili “i shërbeu me bujari Kishës në Ganë, sidomos nevojtarëve”. Kështu e kujton Papa Françesku në një telegram ngushëllimi, figurën e kardinalit Richard Kuuia Baawobr, ipeshkëv i Wa, në Ganë, i cili ndërroi jetë më 27 nëntor. Prelati, që kishte titullin e Zojës së Papërlyer të Lurdës në Boccea, vdiq në moshën 63-vjeçare, për arsye shëndetësore. U krijua kardinal në Koncistorin e fundit, më 27 gusht, pikërisht nga Papa Françesku, por nuk mundi as të vinte në kremtim, sepse ishte i shtruar në spital, në Romë. Ndërroi jetë pas dy muajsh.
Ngushëllimet e Papës
Në telegramin dërguar nunciaturës apostolike të Ganës, Ati i Shenjtë pohon se e ka marrë vesh “me trishtim” lajmin dhe u shpreh ngushëllimet familjes dhe Misionarëve të Afrikës - apo Etërve të Bardhë siç njihen në popull – pasi atyre u përkiste kardinali Baawobr. Gjithashtu, Papa tregon afërsi edhe me klerin, rregulltarët e laikët e dioqezës së Wa. “Duke kujtuar me mirënjohje dëshminë besnike ndaj Ungjillit, karakterizuar nga shërbimi bujar për Kishën në Ganë, sidomos për më nevojtarët, bashkohem me besimtarët në lutje që Ati i Mëshirshëm ta shpërblejë këtë bari të urtë e xhentil për mundimet e tij e ta pranojë në dritën e në paqen e Qiellit”, shkruan Françesku. Të gjithëve, Ati i Shenjtë u jep bekimin e tij apostolik “në shpresën e sigurt të Ringjalljes”.