Françesku emëron dy gra në detyra me përgjegjësi në Vatikan
R. SH. - Vatikan
Shtohet në Kurien Romake dhe në entet që lidhen me të, numri i grave në detyra me përgjegjësi. Emërimet e sotme papnore kanë në plan të parë figura femërore: në Komisionin Papnor për Arkeologjinë Kishtare, drejtimin e të cilit Papa e përtriu, duke emëruar president imzot Pasquale Iacobone, deri tani sekretar dhe anëtar i tij, Ati i Shenjtë caktoi si sekretare e anëtare, Raffaella Giuliani-n, deri tani zyrtare e të njëjtit institucion. Romake, e martuar, Raffaella Giuliani është autore e shumë teksteve mbi katakombet. Më 16 shtatorin e kaluar, Papa e kishte emëruar "Magjister" të Akademisë Papnore Cultorum Martyrum.
Si nënsekretare e Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin, Papa thirri profesoreshën Antonella Sciarrone Alibrandi, prorektore e Universitetit të Zemrës së Krishtit dhe profesoreshë e së Drejtës Ekonomike pranë Fakultetit të Shkencave Bankare, Financiare dhe të Sigurimeve në Universitetin Katolik të Milanos. Ndër të tjera, profesoresha është edhe kryetare e Shoqatës së Profesorëve të së Drejtës në Ekonomi.
Françesku emëroi sekretar të Akademisë Papnore të Shën Tomës së Akuinit, profesor Luca Tuninetti, dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit Papnor Urbanian.