Papa: shërbimi për të afërmin të mos jetë asistencializëm, por bamirësi
R.SH. – Vatikan
Vazhdoni të luftoni kundër skllavërive të reja, trafikimit të qenieve njerëzore e të organeve, kundër punës së fëmijëve dhe prostitucionit. Papa Françesku ua kërkoi këtë pjesëmarrëseve në Kapitullin e përgjithshëm të Urdhrit të të Shenjtnueshmit Shëlbues të Shën Brigjidës dhe në atë të Motrave Misionare Komboniane. Të dyja bashkësitë i priti sot në Vatikan.
Thashethemet janë murtajë për jetën e shuguruar
Para së gjithash, Ati i Shenjtë u kujtoi murgeshave se duhet të heqin dorë nga thashethemet, murtajë e jetës së shuguruar, si në bashkësitë e grave, ashtu edhe në ato të burrave. Më pas, duke pasur parasysh Ditën Botërore Misionare, që kremtohet nesër, 23 tetor, shtoi: “Ju inkurajoj të imitoni zjarrin apostolik të Shën Daniel Kombonit, i cili, 150 vjet më parë, i frymëzuar nga dashuria për Zotin dhe nga pasioni për Ungjillin, ndieu thirrjen për të themeluar Institutin tuaj, duke menduar për më të varfërit dhe më të braktisurit në Sudan, viktima të skllavërisë. Duke imituar dhembshurinë dhe butësinë e Themeluesit tuaj, do të jeni në gjendje të viheni në shërbim të viktimave të skllavërive moderne, të cilat fatkeqësisht, në formën e plagëve shoqërore, vazhdojnë të jenë të pranishme në shkallë të gjerë në gjithë botën. Ato veprojnë përmes prostitucionit, në trafikimin njerëzor, në punën e detyruar, në shitjen e organeve, në përdorimin e drogës, në punën e fëmijëve të shfrytëzuar në mënyrë të turpshme, në emigrantët, që janë viktima të interesave të fshehta”.
Skllavëritë nuk mund të kapërcehen pa eliminuar shkaqet më të thella
"Problemi i këtyre skllavërive nuk mund të kapërcehet pa eliminuar shkaqet e tyre më të thella, ndër të cilat, varfëria, pabarazia, diskriminimi", shtoi Françesku. "Përballë, madje, në mes të këtyre realiteteve, ju propozoni përgjigjen e krishterë, që nuk është thjesht konstatimi i gjendjes, por bamirësia, e cila, e gjallëruar nga besimi në Provaninë Hyjnore, di ta dojë kohën që jetojmë dhe, me përvujtëri, dëshmon Ungjillin. Duke bërë kështu, jeni të vetëdijshme se shkoni kundër rrymës, duke u ndeshur me kulturën e individualizmit dhe të indiferencës, e cila shkakton vetmi dhe mënjanon shumë jetë”.
Kujtimi liturgjik i Shën Gjon Palit II
“Të dashura motra brigjidine, të dashura motra komboniane, sot kremtohet kujtimi liturgjik i Shën Gjon Palit II”, vijoi më tej Papa. “Ai ishte njeri i Zotit, sepse lutej shumë, gjente kohën të lutej, pavarësisht nga impenjnimet e shumta e të rënda të shërbesës së tij. Dëshmonte kështu konkretisht se detyra e parë e një të krishteri, e një të shuguruari, e një meshtari dhe e një ipeshkvi është të lutet dhe se lutja personale nuk duhet lënë pas dore për asnjë arsye”.
“Një aspekt tjetër i jetës dhe i dëshmisë së këtij Pape shenjt ishte afërsia me popullin e Zotit, që shprehej në kërkimin e kontaktit me njerëzit dhe në udhëtimet në të gjitha kontinentet, për të qenë pranë të gjithëve, të rriturve dhe fëmijëve, të shëndetshmëve dhe të sëmurëve, të afërmve dhe të largtëve”, nënvizoi Bergoglio. "Nëse frymëzoheni prej tij do t'ju bëjë mirë, që ta shikoni realitetin me sytë e Zotit Jezus; si edhe do t'ju ndihmojë të ecni me gëzim, të bindura ndaj Shpirtit Shenjt, duke e kthyer karizmën tuaj në profeci të mishëruar”.
Përmasa bamirëse e veprimtarisë
Kështu, veprimtaria juaj në shoqëri, përfundoi Papa Françesku, nuk do të jetë “asistencializëm, por hapje ndaj tjetrit, afërsi, ndarje; me një fjalë: bamirësi. Përmasa bamirëse, si fryt i zhvillimit shpirtëror, kërkon të jetohet sidomos në përditshmërinë e jetës në bashkësi. Ashtu si në familje, aty shihet dashuria, në kujdesin për njëra-tjetrën, duke u lënë hapësirë gjesteve të vogla të vëmendjes dhe të shqetësimit, duke e mbrojtur zemrën e duke i matur fjalët”.