Kërko

Papa Françesku gjatë audiencës me pjesëmarrësit në Ditët Baritore të bashkësive katolike franceze nëpër botë Papa Françesku gjatë audiencës me pjesëmarrësit në Ditët Baritore të bashkësive katolike franceze nëpër botë

Papa: për të qenë sinodale, Kisha të zhvillojë dëgjimin, por jo e shpërqendruar

Françesku takoi bashkësitë frëngjishtfolëse, që dëshirojnë ta jetojnë vëllazërimin, duke shkëmbyer përvojën mbi temën e sinodalitetit në Kishë, në Ditët Baritore të Romës: mos u mbyllni në një izolim të shterpët, por bëhuni pjesë aktive e bashkësisë suaj kishtare

R.SH. – Vatikan

 “Sinodaliteti presupozon dëgjimin: duhet ta zhvillojmë dëgjimin në Kishë. Në këtë mënyrë, Zoti na e tregon rrugën që duhet të ndjekim, duke na bërë të largohemi nga rutina, duke na thirrur të ndërmarrim rrugë të reja si Abrahami. Kemi nevojë ta dëgjojmë Zotin që na flet, por jo të shpërqendruar”. Këtë theksoi Papa Françesku gjatë audiencës me pjesëmarrësit në Ditët Baritore të bashkësive katolike franceze nëpër botë, që po mbahen në Romë.

 “Fjala e Zotit - nënvizoi Papa - është e gjallë, e frytshme dhe më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe. Pikërisht dëgjimi i Fjalës së tij na e hap mendjen për shoshitjen e gjërave dhe na e shndrit atë. Nëse Fjala nuk është qendrën dhe në bazën e sinodalitetit, ka rrezik ta reduktojmë këtë kohë hiri në një tjetër mbledhje kishtare, ose në një bisedë studimore, ose në një lloj parlamenti”. “Sinodi - kujtoi Papa, duke lënë mënjanë fjalimin e përgatitur - nuk është parlament, kjo duhet të jetë e qartë. Është tjetër gjë. Pse nuk është parlament? Sepse personi më i rëndësishëm në Sinod është Shpirti Shenjt. Natyrisht, ne flasim, por ai nuk është parlament”.

Kujtojmë se Sinodi mbi sinodalitetin ka filluar që vitin e kaluar në nivelin dioqezan. Tashmë ai ka hyrë në fazën kontinentale, ndërsa vitin e ardhshëm, ipeshkvijtë nga e gjithë bota do të mblidhen në Vatikan për të diskutuar mbi rezultatet e këshillimeve me të gjithë besimtarët katolikë e për të përvijuar udhën e ardhshme të Kishës.

14 tetor 2022, 14:20