Papa: kushdo që i beson sigurisë së tij, pengon veprimin e Shpirtit Shenjt
R. SH. - Vatikan
Përshëndetja e Papës në Sallën Klementine, pas fjalëve të eprorit të ri të përgjithshëm, At Rogério Gomes, nuk u drejtohej vetëm 140 redentoristëve të pranishëm, por të gjithë misionarëve që jetojnë e kryejnë misionin në 85 vendet, ku vepron Kongregata e Shën Shëlbuesit, rregulltareve e laikëve, që i përkasin familjes karizmatike, themeluar nga Shën Alfons Maria de' Liguori. Françesku u foli lirisht në gjuhën spanjolle.
Të rimendohet karizma “në dritën e shenjave të kohës"
Në fjalimin e përgatitur e të dorëzuar, për një studim më të thellë, Papa shkruan se “të kremtosh Kapitullin e Përgjithshëm nuk është formalitet kanonik. Është të jetosh Rrëshajët, që kanë forcë t’i bëjnë të reja të gjitha sendet”. Kujton, më pas, pesë temat kryesore, që po trajton Kongregata këto ditë: identiteti, misioni, jeta e shenjtëruar, formimi dhe qeverisja. Janë tema themelore - kujton – që të nxisin ta rimendosh karizmën “në dritën e shenjave të kohës”:
“Ju inkurajoj të guxoni, duke pasur si kufi të vetëm Ungjillin dhe Magjisterin e Kishës. Mos kini frikë të merrni rrugë të reja, të dialogoni me botën, nën dritën e traditës suaj të pasur të teologjisë morale. Mos kini frikë t’i ndotni duart në shërbim të nevojtarëve dhe njerëzve që kanë pak e aspak rëndësi në sytë e botës”.
“Besnikëria krijuese”, baza e rinovimit
Redentoristët - vazhdon teksti i Papës - në kushtetutat e tyre kanë një fjalë të bukur, që nuk duhet harruar: “gatishmëri”. Gatishmëri “për të përballuar çdo sprovë e për t’ua çuar të gjithëve shëlbimin e Krishtit” dhe gatishmëri për ta “rimenduar karizmën në dritën e shenjave të kohës”, veçanërisht në këtë “çast të pashembullt historik” në të cilin - pohoi Françesku - Kisha dhe jeta rregulltare kanë mundësi të përtërihen, për t’iu përgjigjur me besnikëri krijuese misionit të Krishtit”. Një risim i cili – theksoi Papa Françesku - kërkon kthesën e zemrës dhe të mendjes, por edhe ndryshimin e strukturave.
“Nganjëherë duhet t’i thyejmë amforat e vjetra, trashëguar nga traditat tona, që sollën shumë ujë, por që tashmë e kryen funksionin e tyre. E t’i copëtosh amforat plot me dashuri, me zakone kulturore e me histori, nuk është detyrë e lehtë, është e dhimbshme, por edhe e nevojshme, nëse duam të pimë ujin e ri, që vjen nga burimi i Shpirtit Shenjt, burim i çdo përtëritjeje. Ata që mbeten të lidhur me siguritë e tyre, rrezikojnë të bien në sklerokardi, gjë që e pengon veprimin e Shpirtit Shenjt në zemrën njerëzore”.
Përvujtëri, lutje, unitet: Krishti, gjithmonë në qendër
Në këtë proces - vëren Papa - nuk duhen harruar tri shtylla. Janë: qendërsia e misterit të Krishtit, jeta komunitare dhe lutja. Mund të jepni fryt vetëm duke mbetur në bashkim me Zotin. Braktisja e jetës komunitare dhe e lutjes është dera e shterpësisë në jetën e kushtuar, vdekja e karizmës dhe mbyllja e zemrës për vëllezërit. Përkundrazi, bindja ndaj Shpirtit të Krishtit të shtyn t’i ungjillëzosh të varfërit, sipas kumtimit të Shëlbuesit në sinagogën e Nazaretit, konkretizuar në kongregatë nga Shën Alfons Maria de’ Liguori. Ky mision, i kryer nga shenjtorët tuaj, nga martirët, të lumët, të nderuarit, i shtyn Redentoristët e mbarë botës të japin jetën për Ungjillin dhe të shkruajnë histori ringjalljeje në faqet e librit të kohës sonë.
Duhet “përvujtëri unitet, urti dhe aftësi dalluese” për të udhëhequr Kongregacionin sot! E këtë i uron Papa kryesisë së re, duke kujtuar se ai që punon është gjithmonë Zoti dhe ne jemi shërbëtorët e tij.
“Ata që e përvetësojnë funksionin e udhëheqjes për një interes personal - përfundoi Papa - nuk i shërbejnë Zotit që u lau këmbët dishepujve, por idhujve të botës dhe egoizmit”.