Kërko

2022.10.24 Comunità Accademica del Pontificio Istituto Teologico Giovanni Paolo II per le Scienze del Matrimonio e della Famiglia 2022.10.24 Comunità Accademica del Pontificio Istituto Teologico Giovanni Paolo II per le Scienze del Matrimonio e della Famiglia

Papa: Kisha e shteti t'u qëndrojnë pranë familjeve konkretisht

Institutit Papnor Gjon Pali II për Shkencat e Martesës dhe Familjes, pritur sot në audiencë, Françesku i theksoi nevojën për të përpunuar një këndvështrim të krishterë jo vetëm për lidhjen bashkëshortore, por edhe për të qenit prindër e bij, për vëllazërimin brenda familjes për gjithë bashkësinë njerëzore. Familja mbetet “gramatikë antropologjike” e pazëvendësueshme e marrëdhënieve themelore njerëzore

R.SH. – Vatikan

“Cilësia e martesës dhe e familjes përcakton cilësinë e dashurisë së një njeriu dhe të lidhjeve në vetë bashkësinë njerëzore. Prandaj, është përgjegjësi e shtetit dhe e Kishës t’i dëgjojnë familjet, me afërsi plot dashuri, solidaritet dhe frytshmëri”.

         Papa Françesku u kërkoi institucioneve civile dhe kishtare të kujdesen për familjet, gjatë audiencës së sotme me bashkësinë akademike të Institutit Teologjik Papnor Gjon Pali II për Shkencat e Martesës dhe Familjes. Pesë vite pas Motu proprio-s “Summa familiae cura”, Ati i Shenjtë kujtoi se me të deshi t'i jepte Institutit të themeluar nga Papa shenjt Wojtyla më 1981, "energji të re dhe zhvillim më të madh, për t'iu përgjigjur sfidave, në fillim të mijëvjeçarit të tretë", por edhe “kompetencat e nevojshme për të dalluar vlerat e marrëdhënieve në bashkësinë familjare”.

Kujdes nga ideologjitë!

Papa shpjegoi, para së gjithash, se teologjia duhet "të përpunojë një këndvështrim të krishterë për të qenit prindër e bij, për vëllazërimin, – pra, jo vetëm për lidhjen bashkëshortore – brenda përvojës familjare, në horizontin e gjithë bashkësisë njerëzore”.

“Kultura e fesë, në fakt, duhet të matet, pa naivitet dhe pa nënshtrim, me shndërrimet, që karakterizojnë vetëdijen aktuale të marrëdhënieve ndërmjet burrit e gruas, ndërmjet dashurisë dhe brezit të kohës, ndërmjet familjes dhe bashkësisë”.

Ati i Shenjtë nënvizoi se, meqë është Papnor, Instituti Teologjik Gjon Pali II duhet "t’i shërbejë Kishës në vazhdën e shërbesës së shën Pjetrit", duke marrë parasysh realitetin aktual të universit familjar. “Misioni i Kishës – vërejti Papa - kërkon urgjentisht integrimin e teologjisë së lidhjes bashkëshortore me një teologji më konkrete mbi gjendjen familjare”.

“Duhet ta ruajmë familjen, por jo ta mbërthejmë si në burg, duhet ta bëjmë të rritet si duhet. Kushtojuni vëmendje ideologjive, që ndërhyjnë për të shpjeguar familjen nga pikëpamja e tyre. Familja nuk është ideologji, është realitet. Familja rritet me gjallërinë e realitetit. Por kur vijnë ideologjitë për të shpjeguar, ose për t’i dhënë një bojë familjes, gjithçka shkatërrohet. Familja ka hirin e burrit dhe të gruas, që e duan njëri-tjetrin dhe krijojnë jetën e, për ta kuptuar familjen duhet të mendojmë konkretisht, jo sipas ideologjive. Ideologjitë shkatërrojnë, ideologjitë ndërhyjnë për të hapur udhë shkatërrimi. Kujdes nga ideologjitë!”

Familja, “gramatikë antropologjike” e marrëdhënieve njerëzore

         Prandaj, kur merren në shqyrtim arsyet e krizës, theksoi Françesku, nuk duhen harruar kurrë "edhe shenjat ngushëlluese, madje, edhe prekëse të kapacitetit, që vazhdojnë të dëshmojnë lidhjet familjare: në favor të bashkësisë së besimtarëve, të shoqërisë civile, të bashkëjetesës njerëzore”, veçanërisht “në çaste të vështira e krize”.

         “Familja mbetet ‘gramatikë antropologjike’ e pazëvendësueshme e marrëdhënieve themelore njerëzore. Forca e të gjitha lidhjeve të solidaritetit dhe të dashurisë i mëson sekretet e saj atje, në familje. Kur kjo gramatikë lihet mënjanë, ose shpërfytyrohet, i hapen plagë gjithë rendit të marrëdhënieve njerëzore dhe shoqërore”.

Gëzimi i aventurës familjare

         Papa u tha anëtarëve të Institutit Teologjik të mos presin që familja të jetë e përsosur, por të kujdesen menjëherë për thirrjen e saj e ta inkurajojnë në misionin që ka. Kujtoi këshillën, që u jep gjithnjë të sapomartuarve, për të mos shkuar të flenë pa u pajtuar, sado të jenë zënë e të jenë mërzitur më parë. Martesa e familja do të jenë të përsosura vetëm në Qiell, nënvizoi Ati i Shenjtë, por këtu, në tokë, duhet t’ia paraqesim Zotit të gjitha problemet, që hiri i sakramentit martesor ta bekojë atë, së cilës i është besuar transmetimi i kuptimit të jetës, jo vetëm i asaj fizike.

         “Dua t'ju tregoj për një përvojë timen në sheshin [e Shën Pjetrit], kur kaloja për të përshëndetur, para pandemisë – u tha, së fundi, Ati i Shenjtë të pranishmëve. - Një çift, dukeshin të rinj - 60 vjet martesë! - po, ishin të rinj, se kur u martuan, ajo ishte 18, ai 20 vjeç, dhe unë i pyeta: “A nuk mërziteni pas kaq vitesh? Shkoni mirë?". Ata shikuan njëri-tjetrin, unë nuk lëviza, pastaj, u kthyen drejt meje në lot: "Ne duhemi". Kjo ishte përgjigjja pas 60 vitesh. Kjo është teologjia më e mirë, më e bukur për familjen, që kam parë”.

Papa uroi që në shoqërinë e sotme, pikërisht në këtë mënyrë mund të gjendet gëzimi i aventurës familjare “të frymëzuar nga Zoti”, që Instituti Teologjik Gjon Pali II duhet ta mbështesë e ta ndihmojë.

24 tetor 2022, 12:40