Kërko

Papa Françesku, gjatë audiencës në Vatikan me pjesëmarrësit e konferencës “Shenjtëria sot” Papa Françesku, gjatë audiencës në Vatikan me pjesëmarrësit e konferencës “Shenjtëria sot”

Françesku: të vlerësojmë shenjtërinë e njerëzve të thjeshtë, kujdes nga mistifikimet

Papa Françesku priti në audiencë pjesëmarrësit në konferencën “Shenjtëria sot”, organizuar nga Dikasteri për Çështjet e Shenjtorëve: “Shenjtëria është gëzim, jo sakrifica, përpjekje dhe fytyra të zymta”. Ati i Shenjtë këshillon “një shoshitje të urtë e të thellë” kur është fjala për të gjykuar “cilësinë e famës së shenjtërisë”

R.SH. – Vatikan

Përmendi shenjtorë të mëdhenj si Gjon Pali II, Carlo Acutis dhe Shën Françesku, por e përqendroi vëmendjen sidomos mbi të ashtuquajturit “shenjtorë të vegjël”, ata të portës përballë, që i kemi fqinjë, njerëz normalë, që bëjnë pjesë në “Popullin e Zotit” dhe në “jetën e përditshme të familjes, studimit, punës, në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike”. Këto janë modelet e shenjtërisë, që propozoi Papa Françesku, gjatë audiencës në Vatikan me pjesëmarrësit e konferencës “Shenjtëria sot”, që u zhvillua nga 3 tetori e deri më sot në Augustinianum. E organizuar nga Dikasteri për Çështjet e Shenjtorëve, mblodhi në Universitetin Papnor ekspertë, studiues, postulatorë, për të analizuar përkufizimin aktual të virtyteve heroike dhe të famës së shenjtërisë në epokën dixhitale.

Populli i Zotit ka “nuhatje” për shenjtorët

“Është e rëndësishme që çdo Kishë e veçantë të kujdeset për t’i kuptuar dhe për t’i vlerësuar shembujt e jetës së krishterë në gjirin e popullit të Zotit, i cili gjithmonë ka pasur një lloj ‘nuhatjeje’ të veçantë për t’i njohur këto modele shenjtërie, dëshmitarë të jashtëzakonshëm të Ungjillit”, pohoi Papa. Prandaj, nënvizoi, duhet “marrë parasysh konsensusi i njerëzve rreth këtyre figurave shembullore të krishtera”. E nëse përdorimi i mjeteve të komunikimit mund ta favorizojë njohjen e përvojës ungjillore të një kandidati për lumnim, duhet, gjithsesi, të mos biem në mistifikimin e tyre, që shpesh është i pranishëm në rrjetet shoqërore.

“Në të vërtetë, nuk mund të mohohet se besimtarët - saktësoi Françesku - janë të pajisur nga Hiri Hyjnor me një lloj perceptimi shpirtëror për të identifikuar dhe për të njohur, në jetën konkrete të disa të pagëzuarve, ushtrimin heroik të virtyteve të krishtera”. E ashtuquajtura “fama sanctitatis” nuk vjen nga hierarkia, por nga besimtarët. Është Populli i Zotit, protagonisti i ‘fama sanctitatis’, pra, i mendimit të përhapur në mesin e besimtarëve për integritetin e jetës së një personi, të perceptuar si dëshmitar i Krishtit dhe i lumnive ungjillore”.

Të verifikohet me kujdes “fama e shenjtërisë”

“Megjithatë, duhet verifikuar nëse kjo famë shenjtërie është spontane, e qëndrueshme, e vazhdueshme dhe e përhapur në një pjesë të konsiderueshme të bashkësisë së krishterë. Vërtet, ajo është e mirëfilltë kur u reziston ndryshimeve të kohës, modave të çastit dhe, ka pasoja të shëndetshme për të gjithë, siç mund të shohim në përshpirtërinë popullore”, vazhdoi Ati i Shenjtë.

“Në ditët tona, përdorimi korrekt i mediave mund të favorizojë njohjen e përvojës ungjillore të një kandidati për lumnim, ose kanonizim. Megjithatë, në përdorimin e mediave dixhitale, veçanërisht të rrjeteve shoqërore, mund të hasim në rrezikin e mistifikimeve të diktuara nga interesa jo fort fisnike”. Prandaj, Papa u kërkoi një shoshitje të urtë të gjithë atyre, që duhet të vendosin për cilësinë e famës së shenjtërisë së një personi.

“Nga ana tjetër - përfundoi Papa - një element që dëshmon famën e shenjtërisë, ose famën e martirit është gjithmonë e ashtuquajtura ‘fama signorum’. Pra, kur besimtarët binden për shenjtërinë e një të krishteri, ata i drejtohen – madje, në mënyrë masive dhe plot pasion – duke i kërkuar ndërmjetësimin e tij qiellor; plotësimi i lutjes nga Zoti është konfirmim i kësaj bindjeje”.

Gëzim, jo "fytyrë e zymtë"

Papa Françesku u përqendrua edhe në një element tjetër, thelbësor për të identifikuar shenjtorin: gëzimi, pa të cilin "feja reduktohet në një ushtrim shtypës, plot trishtim”. “Nuk bëhesh shenjtor me ‘fytyrën e zymtë’: duhet zemra e gëzuar, e hapur ndaj shpresës. Për këtë shenjtëri, të pasur me humor të mirë, na jep shembullin e vet i Lumi i ri Gjon Pali I. I Lumi Carlo Acutis është modeli i gëzimit të krishterë për fëmijët dhe të rinjtë”. Po kështu, edhe shën Françesku i Asizit, me gëzimin e çiltërsinë e tij të përhershme, ia mbush shpirtin çdo njeriu. Por, tërhoqi vëmendjen Papa, duhet pasur parasysh edhe se shenjtërimi i jetës nuk kërkon domosdoshmërisht përpjekje të vështira e heqje dorë nga jeta. “Nuk është fjala për gjimnastikë shpirtërore”, por për vetëdijen se Zoti na do falas e na mëshiron. Pikërisht kjo na jep sigurinë se mund t’i bëjmë ballë gjithçkaje me hirin e guximin, që na vjen prej Hyjit. Ky është shenjtërimi i jetës.

06 tetor 2022, 15:19