Kërko

Papa Françesku me pleqtë Papa Françesku me pleqtë 

Françesku: në një botë me luftë, duhet butësia e të moshuarve

Tweet i Papës në @Pontifex me rastin e ditës së sotme ndërkombëtare për të moshuarit, themeluar nga OKB-ja.

R. SH. - Vatikan

Përkëdheljet, përqafimet, thirrja me emër, janë të dëshiruara nga të gjithë e nga secili. E nuk e njohin filtrin e moshës. Vlejnë për çdo njeri, pavarësisht nga kultura, feja a përkatësia e ndryshme politike. E, natyrisht, edhe nga mosha. Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve, e cila festohet çdo vit në ditën e parë të tetorit, synon të kthejë në qendër të vëmendjes rolin e rëndësishëm që kanë të moshuarit në shoqëri, të drejtat, që nuk pakësohen me kalimin e viteve, dinjitetin e çdo qytetari, pavarësisht nga data e lindjes së tij. Me këtë rast, Papa përmes një Twitteri shpreh edhe një herë shqetësimin për këtë kategori burrash dhe grash, që gjithnjë më shpesh janë viktima të kulturës së flakjes e të harresës. Në faqen e tij e internetit @Pontifex në nëntë gjuhë, sot Françesku shkruan:

“Ne të moshuarit shpesh e ndjemë fort nevojën për kujdes, për reflektim, për dashuri. Jemi, ose mund të bëhemi, mjeshtra të butësisë. Kemi nevojë, në këtë botë të mësuar me luftën, për një revolucion të vërtetë butësie! #IDOP

Urtia popullore  na kujton

I riu ecën më shpejt se i moshuari, por i moshuari e njeh më mirë udhën!

Familja që ka në gjirin e vet një të moshuar, ka stolinë më të bukur e thesarin më të çmuar.

Edhe pamja përmirësohet me kalimin e kohës: të rinjtë shohin më mirë,  pleqtë më larg!

U duhet kujtuar të rinjve se bota ishte edhe para tyre, e të moshurave, se do të jetë edhe pas tyre!

Fëmija ka përpara gjithë jetën, po plaku, amshimin!

01 tetor 2022, 14:32