Kërko

Thirrja e Mateut në tregimin e Papës Françesku

Shën Mateu dhe Ungjilli: ku ta gjejmë dritën dhe mbështetjen për rrugëtimin tonë në jetë. Ftesa përmbahet në tweet-in e sotëm të Papës Françesku, me rastin e përkujtimit liturgjik të ungjilltarit. Ju propozojmë rrëfimin e Papës për të, marrë nga programi “Fytyrat e Ungjijve”

R.SH. – Vatikan

Në ditën kur Kisha kujton Shën Mateun, thirrja e apostullit, ish-tagrambledhës, rijeton në tregimin e Papës Françesku, marrë nga programi “Fytyrat e Ungjijve”, që po e propozojmë sërish. Emisioni i realizuar nga Dikasteri për Komunikimin në bashkëpunim me Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, Muzetë e Vatikanit dhe Rai Cultura, ia beson Papës historinë e takimeve të Jezu Krishtit, që tregohen në Ungjij. Transmetuar të Dielën e Pashkëve në Rai Uno, autorët e tij janë Andrea Tornielli dhe Lucio Brunelli, me regji e fotografi të Renato Cerisola-s, si edhe me muzikë të Michelangelo Palmacci-t.

Në rrëfimin e Papës, thirrja e Mateut është një nga skenat ungjillore më prekëse: ai është tagrambledhësi, të cilit Jezu Krishti i hedh vështrimin në Kafarnaum, ndërsa e takon të ulur në tryezën e taksave. Ai vështrim, ia ndryshon përgjithmonë jetën, duke e bërë ndjekës të Krishtit e autor të njërit prej Ungjijve.

E lexohej pikërisht Ungjilli sipas tij më 21 shtator 1953, ditën kur Jorge Mario Bergoglio e kuptoi se do të bëhej meshtar. Fjalët e Françeskut të ilustruara nga filmimet e regjisorit Cerisola e çojnë shikuesin “brenda” pikturës së famshme të Caravaggio-s, që përshkruan skenën. “Çfarë ndodhi atje? - pyet Papa - Ajo është forca e vështrimit të Jezusit. Me siguri, e pa me shumë dashuri, me shumë mëshirë; ai vështrim i Jezusit të mëshirshëm: 'Ndiqmë, eja'. E ai tjetri, që shihte anash... me njërin sy Zotin, me tjetrin paratë, ashtu i tërhequr nga paratë, siç e pikturoi Caravaggio: pikërisht ashtu, pas parave. E, edhe me një vështrim të vrenjtur dhe të ashpër. Ndërsa Jezusi, i dashur, i mëshirshëm. E kështu, rezistenca e atij njeriu, që donte para – sepse ishte skllav i parave - bie. ‘E ai u çua dhe e ndoqi’”.

21 shtator 2022, 13:43