Qyteti i Materas priti hareshëm Papën Françesku
R. SH. - Vatikan
Gjithçka ishte gati për të mirëpritur Papën Françesku i cili, me Meshën, që po e kremton sot në Stadiumin e XXI shtatori, duke nisur nga ora 9.00, po mbyllë Kongresin e 27-të Kombëtar Eukaristik me temë: “Të kthehemi te shija e Bukës. Për një Kishë Eukaristike dhe Sinodale”, organizuar nga Kisha Italiane, në bashkëpunim me Dioqezën e Matera - Irsina.
Papa në Matera
Sot në mëngjes, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, për shkak të kushteve të trazuara të motit, Françesku u largua nga Shtëpia e Shën Martës drejt aeroportit Romë-Ciampino në orën 6.30. Pas mbërritjes së tij private në Gioia del Colle, u zhvendos në Matera me makinë. Si mbërriti në fushën e shkollës së atletikës "Raffaele Duni", e si ndërroi makinën, rreth orës 8:45 Ati i Shenjtë shkoi në Stadiumin Komunal XXI Shtatori, ku u prit nga Kreu i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinali Matteo Zuppi, imzot, Antonio Giuseppe Caiazzo, kryeipeshkëv i Matera-Irsina, presidenti i rajonit të Bazilikatës, Vito Bardi, prefekti i Matera-s, Sante Copponi, kryetari i bashkisë, Domenico Bennardi dhe kryetari i provincës, Piero Marrese. Në stadium e pritën rreth 12500 besimtarë, që nisën të grumbullohen nga ora 6.30 deri në 8 të mëngjesit, ndërsa në qendrën historike të Materas dhe në stadium janë vendosur ekrane të mëdha për besimtarët, që po ndjekin kremtimin e Papës. Ndërmjet tyre, shtegtarë nga Bazilikata, por edhe nga Pulia e Molise. Hekurudhat Appulo Lucane, që lidhin Barin me Materën qendrore, siguruan një lidhje metropolitane pa ndalesë që nga agimi i mëngjesit të sotëm, për të lehtësuar mbërritjen e besimtarëve në Meshë. Në përfundim, Papa do të kthehet në Vatikan.