Kërko

Varret masive ne Bucha, Ukrainë Varret masive ne Bucha, Ukrainë 

Françesku: jetojmë një luftë botërore, të ndalemi!

Një thirrje, thuajse klithmë, ajo e Papës në Sheshin e Shën Pjetrit, drejtuar besimtarëve të grumbulluar, me rastin e audiencës së përgjithshme, e edhe mbarë njerëzimit, që secili ta ndjejë thirrjen e përgjegjësinë për rikthimin dhe ruajten e paqes

R.SH. - Vatikan

Në Ukrainë është dita e 196-të e luftës: “toka vijon të dridhet e populli ukrainas, të qajë”, kujtoi në mesazhin e tij të fundit kreu i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës, Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, me sytë e ngulur mbi luftimet, që vazhdojnë në rajonet Kharkiv, Donetsk, Luhansk. Ashtu si sytë e Papës Françesku, ngulur pikërisht atje, edhe gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit ku shikon, në turmë, edhe flamuj me ngjyrat verdh dhe blu të tokës ukrainase:

“Dhe nuk e harroj ukrainen e martirizuar. Aty ka flamuj”.

 Papa: po jetojmë luftën e tretë botërore

Por fjalët e Françeskut bëhen sakaq thirrje, gati-gati klithmë, e cila u kujton të gjithëve përgjegjësinë përballë kësaj tragjedie, sepse, siç  e kujtoi edhe të mërkurën e kaluar në audiencën e përgjithshme, lufta tashmë është botërore:

“Përballë të gjithë skenareve të luftës së kohës sonë, u kërkoj të gjithëve të jenë ndërtues të paqes dhe të luten, që mendimet dhe projektet e harmonisë dhe të pajtimit të përhapen në mbarë botën. Sot po jetojmë një luftë botërore, të ndalohemi, ju lutem!”

Marisë, së cilës ia ka kushtuar Rusinë dhe Ukrainën e së cilës i lutet vazhdimisht, me Rruzaren, Françesku iu drejtua sërisht, duke iu lutur të marrë nën mbrojtje këdo që vuan më shumë në këto çaste:

“Virgjërës Mari ia besojmë viktimat e çdo lufte, veçanërisht popullsinë e dashur ukrainase”.

07 shtator 2022, 12:57