Ipeshkvijtë katolikë në Rusi: lufta nuk ka qenë kurrë zgjidhje e problemeve ndërmjet kombeve
R.SH. – Vatikan
“Konflikti i ashpër në Ukrainë, i degjeneruar në një luftë në shkallë të gjerë, që tashmë ka marrë mijëra jetë, vijon të minojë besimin e unitetin ndërmjet vendeve e popujve dhe të kërcënojë gjithë botën. …Ne dëshirojmë të ndjekim mësimet e Kishës, sipas Ungjillit dhe Traditës së lashtë të krishterë: lufta nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë mjet për zgjidhjen e problemeve ndërmjet kombeve; ‘asgjë nuk humbet me paqen, gjithçka mund të humbet me luftën’ (Piu XII, 1939)”. Kështu nis thirrja e Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Rusisë, pas kërkesës së presidentit Putin për mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve në Federatën Ruse. Thirrja, publikuar këto ditë e nënshkruar nga imzot Paolo Pezzi, kryeipeshkëv metropolit i dioqezës së Nënës së Zotit në Moskë, në emër të Konferencës Ipeshkvnore, u jep disa orientime besimtarëve katolikë rusë, të cilët janë të detyruar të marrin një vendim të vështirë. Edhe më i vështirë bëhet tani që Moska do të aneksojë Donetskun, Luhanskun, Kherson dhe Zaporizhzhian, duke ia bërë të qartë gjithë botës, përmes deklaratës së sotme të zëdhënësit Dmitry Peskov, se po të sulmohen këto rajone, sulmohet Rusia si e tillë.
Papa Françesku: “Të mos mësohemi me luftën”
Në thirrjen e ipeshkvijve, ndër të tjera, kujtohet se Kushtetuta e Federatës i mbron ata, që refuzojnë përdorimin e armëve, për arsye ndërgjegjeje. Pavarësisht se është e pamundur t’u jepet ngjarjeve një rrjedhë tjetër, me qëllim shmangien e gjakderdhjes së mëtejshme, ipeshkvijtë kërkojnë të mbahen parasysh fjalët e Papës Françesku në Astana të Kazakistanit, gjatë udhëtimit të fundit apostolik: “Të mos mësohemi me luftën, të mos e konsiderojmë të pashmangshme. T’i ndihmojmë të vuajturit dhe të ngulim këmbë që njerëzit të përpiqen vërtet për të arritur paqen. Çfarë duhet të ndodhë akoma, sa viktima duhet të presim para se konfliktet t’i lënë vendin dialogut për të mirën e njerëzve, popujve dhe njerëzimit? E vetmja rrugëdalje është paqja dhe e vetmja udhë për ta arritur është dialogu”.
Armët, vetëm për mbrojtjen e ligjshme
Konferenca Ipeshkvnore e Rusisë vë në dukje se në situata të caktuara, qeveritë kanë nevojë të përdorin armët dhe t’u kërkojnë qytetarëve të përmbushin detyrën e tyre për atdheun e për të mirën e përbashkët. Por, nënvizojnë prelatët, “kjo është e vërtetë vetëm nëse aksioni ushtarak synon t’i japë fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur, duke shmangur shumëfishimin e viktimave”.
Në dokument përmenden edhe tekstet e Doktrinës Shoqërore të Kishës, që shërbejnë për ta kuptuar këtë frazë, si paragrafi III i nenit 5 të Katekizmit të Kishës Katolike, i cili pranon përdorimin e forcës ushtarake vetëm për mbrojtjen e ligjshme e, edhe në këtë rast, vetëm në kushte të caktuara. Gjithsesi, Konferenca e Ipeshkvijve nënvizon se, në fund të fundit, vendimi për pjesëmarrjen në luftë i takon çdo qytetari e ndërgjegjes së tij. Nga ana tjetër, vë në dukje se si Katekizmi i Kishës Katolike (§2311), ashtu edhe paragrafi i tretë i nenit 59 të Kushtetutës së Federatës Ruse mbrojnë ata që, për arsye ndërgjegjeje dhe besimi fetar, refuzojnë përdorimin e armëve.
Asnjë alternativë për ata, që kundërshtojnë, për shkak të ndërgjegjes
Ipeshkvijtë prononcohen pas komunikimit zyrtar të datës 25 shtator në faqen qeveritare të internetit “Objasnjaem.ru”, që u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve rusë. Në të njoftohet se gjatë periudhës së mobilizimit, qytetarët që nuk duan të shkojnë në front, për shkak se nuk ua lejon ndërgjegjja, e kanë të pamundur të ofrojnë ndonjë shërbim alternativ. Pra, mundësia për të mos marrë pjesë në luftë mohohet pa e ndryshuar Kushtetutën, duke mos lejuar alternativën e mundshme. Të thirrurve u mbetet vetëm një opcion: të shkojnë në front.
Pjesëmarrja e të shuguruave në luftë është kategorikisht e ndaluar
Përsa i përket meshtarëve e rregulltarëve katolikë, Konferenca Ipeshkvnore e Rusisë kujton se pjesëmarrja e tyre në luftë është kategorikisht e ndaluar, si nga Tradita e Kishës së shekujve të parë, ashtu edhe nga konventat ndërkombëtare në fuqi. Sipas informacioneve të Agjencisë katolike të lajmeve Fides, disa priftërinj ortodoksë rusë janë thirrur ditët e fundit nga komisariatet ushtarake. Nuk janë nisur për në front, por vendimi nuk u motivua me statusin e tyre fetar: u paraqitën arsye të tjera, gjë që vë në rrezik të shuguruarit e tjerë në vend, pasi ato arsye mund të mos vlejnë për ta. Dokumenti përfundon me një thirrje për gjithë katolikët në Rusi që të luten dhe të agjërojnë “për paqen e drejtë dhe të sigurt”. Meshtarëve u kërkohet t’i kremtojnë meshët me lutje të veçanta për këtë qëllim.