Françesku: shkolla dhe universiteti të jenë hapësira integrimi për më të ligështit
R.SH. – Vatikan
Në fund të kongresit mbi “Nismat në fushën e edukimit të refugjatëve dhe emigrantëve”, që u mbajt për tri ditë me radhë në Universitetin Papnor Gregorian, Papa Françesku priti sot në audiencë pjesëmarrësit, duke theksuar rëndësinë e dëgjimit të dëshirave të atyre - veçanërisht të rinjve - të cilët detyrohen të emigrojnë e të çrrënjosen kështu, nga vendet e tyre të origjinës. Ati i Shenjtë u ndal në tri aspektet e punimeve të konferencës: puna kërkimore, mësimdhënia, promovimi shoqëror.
E drejta për të mos emigruar
Papa iu referua “konflikteve, që shkatërrojnë shumë rajone të botës”, por edhe “abuzimit me shtëpinë tonë të përbashkët”, të cilin e quajti “dhunë” të vërtetë. Duke kujtuar se “planeti është ligështuar nga shfrytëzimi i tepërt i burimeve të tij dhe i rrënuar nga dekada të tëra ndotjeje” - për të cilën gjithnjë e më shumë njerëz detyrohen të largohen nga tokat, që janë bërë të pabanueshme, - Françesku i bëri thirrje botës akademike - në këtë rast, asaj katolike - të ketë një rol të dorës së parë në përgjigjen për sfidat ekologjike.
“Duke u bazuar në të dhënat shkencore, ju mund të kontribuoni në shndritjen dhe në drejtimin e vendimeve të qeveritarëve për kujdesin vërtet të frytshëm ndaj shtëpisë së përbashkët”.
Universitetet ta lehtësojnë njohjen e titujve të studimit
Është bërë shumë, pohoi Papa, në fushën e edukimit të refugjatëve, “por ka ende shumë për të bërë”.
“Ka rëndësi t’u jepet vazhdimisht përparësi më të ligshtëve. Në këtë drejtim, mund të jetë me rëndësi organizimi i kurseve, që plotësojnë nevojat e tyre, kurset e mësimdhënies në distancë dhe caktimi i bursave, që lejojnë integrimin e tyre”.
Papa shpreson që universitetet ta lehtësojnë njohjen e titujve të studimit dhe profesionalitetin e migrantëve dhe të refugjatëve, edhe për të mirën e shoqërive, që i mirëpresin. Sepse, saktëson ai:
“Shkollat dhe universitetet janë hapësira të privilegjuara jo vetëm për mësimdhënien, por edhe për takim e integrim”.
Vëmendje për fenomenin migrator nga perspektiva e drejtësisë
Duke përmendur Mesazhin për Ditën Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve 2022, Françesku ftoi të formohen si duhet veprimtarët, që punojnë me emigrantët. Ai theksoi rëndësinë e organizimit të takimeve me protagonistët e migracionit, për t’i njohur nga afër historitë e tyre dhe uroi:
“Universitetet katolike janë të thirrura t’i edukojnë studentët e tyre, të cilët nesër do të jenë administratorë, sipërmarrës dhe protagonistë të kulturës, që të dinë t’i interpretojnë me kujdes fenomenet migratore, në perspektivën e drejtësisë, të bashkëpërgjegjësisë globale dhe të bashkimit pavarësisht nga ndryshimet”.
Larmia është pasuri
Papa kujton atë që tha të dielën e kaluar, në Ditën Botërore të Emigrantëve dhe Refugjatëve, përsa i përket nevojës për të ndërtuar një të ardhme së bashku me emigrantët. Ati i Shenjtë uroi që veçanërisht të rinjtë të mësohen të ndihmojnë më të pambrojturit dhe përfundoi me kërkesën:
“Të gjitha institucionet arsimore duhet të jenë vende mikpritëse, ku të gjithë të mbrohen, të promovohen e të integrohen, pa përjashtuar askënd”.