Kërko

Përmbytje në Marche Përmbytje në Marche 

Françesku, pranë të përmbyturve në Marche

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi viktimat e përmbytjeve të tri ditëve më parë, së bashku me familjarët e të dëmtuarit e tjerë. Vijojnë ndihmat gjatë gjithë këtyre trojeve të përmbytura dhe kërkimi i të humburve, me aktivizimin edhe të Caritasit vendas.

R. SH. - Vatikan

Viktimat e përmbytjeve në Marche kanë arritur në njëmbëdhjetë. Vendi është pushtuar nga dhimbja, nga pritja, nga lotët, por edhe nga solidariteti.   Në rajonin e Marche-ve - ku natën ndërmjet së enjtes së kaluar dhe të premtes stuhia e tërbuar dhe përmbytja rrënuan 11 jetë, ndërsa dy të tjera i  zhdukën - duke përfshirë një fëmijë 8-vjeçar, në kërkim nga brigada e zjarrit - afërsia e Papës ndjehet fort dy herë në ditë, me gojë dhe me shkrim.

Sot në mesditë, pas lutjes së Engjëllit, e menjëherë pas thirrjeve për t’u dhënë fund konflikteve në Kaukaz dhe Ukrainë, Françesku u ndal tek tragjedia që po përjeton rajoni italian:

“Dëshiroj të siguroj lutjet e mia për njerëzit në Marche, të prekur nga përmbytja e dhunshme. Lutem për të vdekurit dhe për familjet e tyre, për të plagosurit dhe për ata që kanë pësuar dëme të rënda. Zoti i dhëntë forcë kësaj bashkësie!”.

Ndihmat

Bashkësi njerëzish, që panë si humbiste jeta në baltë dhe që tani janë kapur pas ndihmës dhe ndërhyrjeve më urgjente, në vijim. Mbrojtja Civile po ndihmon duke vënë në dispozicion 5 milionë euro, ndërsa kryetari i zonës  Marche, Francesco Acquaroli, një kontribut prej 400 deri në 900 euro për familjet, të cilave u janë dëmtuar banesat.

Edhe Kisha vendase,  përmes Caritas-it, është mobilizuar për të ndihmuar zonat më të prekura, me organizimin e pritjes së të shpërngulurve ndërmjet dioqezave Senigallia, Fano dhe Fabriano, mbështetur nga furnizimi me gjërat e nevojshme. Moti  i pushoi për ca çaste shfrimet e tmerrshme, gjë që krijoi mundësitë për rifillimin e evakuimit dhe pastrimin e shtëpive, dyqaneve e zyrave, mbytur në ujë e në baltë! Shqetësuese, rrjedha në bregun e djathtë të lumit Misa, përmbytur dy ditë më parë, e edhe në lagjen Borgo Molino, qysh pardje nën ujë.

Papa: e njëjta vëmendje për klimën, si për Covidin

Shkatërrimi i pësuar nga Marchet ripropozon në mënyrë dramatike nevojën e ndërhyrjeve të nevojshme për të siguruar territoret e shumta të vendit, nënshtruar kritikës për shkak të motit të keq, që po i sulmon gjithnjë e më shumë e në forma të panjohura për këto gjerësi gjeografike. Temë e dashur për Papën, pasqyruar sot në intervistën e botuar në numrin e gazetës “Il Mattino”:

“Përmbytja, që shkaktoi pikëllim, rrënoja dhe dhimbje në të gjithë vendin përfaqëson - lexojmë ndër të tjera - pohimin  se sfida klimatike meriton të njëjtën vëmendje si Covid dhe si lufta".

18 shtator 2022, 13:47