Papa Françesku bekon Zojën e stepave të Kazakistanit
R. SH. - Vatikan
Në çastin e përshëndetjes me bashkësinë katolike vendase dhe me të gjithë Kazakistanin, Papa Françesku bekoi ikonën e madhe “Yly Dala Anasy”, “Nënën e Stepave të Mëdha”, vendosur në Kishën më të madhe mariane në Ozornoe, në Azinë Qendrore, për të cilën katolikët vendas kanë devocion të veçantë. Autori i ikonës është artisti kazak Dosbol Kasymov, i cili e kujtoi përvojën e kësaj vepre të veçantë, në Catholic-kazachstan.
Dashuria për Nënën, burim frymëzimi për vepra arti
Burimi i parë i frymëzimit për ikonën - rrëfen autori - ishte “dashuria për Nënën”, të cilën e ndjejnë burrat e të gjitha kulturave, ndonëse me nuanca të veçanta. Tradita kazake e quan nënën “Ana”. Në pikturë Maria mban në duar Krishtin Fëmijë, të veshur me petkun kombëtar, që quhet "chapan", duke parashikuar të ardhmen e tij si burrë, ndërsa ajo vetë, e veshur me “kimeshek”, petk i grave të martuara, që e mbajnë nënat pas lindjes së fëmijës së tyre të parë. Nuk është fustan luksoz, por megjithatë, nxjerr në pah bukurinë dhe dinjitetin e gruas së përvuajtur, gruas së varfër të stepës.
I pyetur sesa kohë iu desh për ta përfunduar ikonën, Kasymov shpjegon se “në një farë mënyre, e punoi gjatë gjithë jetës së tij”, se është vepra e tij më e përkryer, figurë, që mishëron tërë frymën e tij krijuese”. E tani, edhe ikonë e bekuar nga vetë Papa.
Në kulturën kazake, Nëna, për antonomazi, është “Umay”, rojtarja e gjithë krijimit, gjë që pasqyrohet në shpirtin e të gjitha nënave të tokës, të vetmet qenie të afta për ta bashkuar njerëzimin.
Zoja është e pakohë
Përballë fytyrës së Nënës ndjen “dashuri, butësi, madje edhe shqetësim”. Të duket sikur do të dalë nga piktura, për të hyrë në jetën e njerëzve, që kanë aq shumë nevojë për praninë e saj. E edhe prej kanuneve artistike dhe kufijve njerëzorë. Është e pakohë: “ikonë për jetë të jetës". Në ikonën e Ozornoe, besimi i krishterë në Nënën e Zotit shprehet sipas kanuneve të artit kazak. Artisti, që e deshi pikërisht kështu, pohon: “Kënaqem kur shoh se Zoja komunikon me nënat tona. Me gratë e stepave”.
Këngëtari i Nënës së Stepave
I lidhur me Nënën e Stepave është edhe këngëtari të famshëm bashkëkohor kazak, Dimash Kudaybergen, i cili “këndon për t’u kuptuar nga çdo njeri mbi dhe, ndaj duhet e duartrokitet kudo”. E kjo, sepse “arti i vërtetë flet me një gjuhë të kuptueshme për çdo qenie njerëzore, për të gjithë botën”: qoftë fjalë, a ngjyrë, a tingull! Frymëzimi është proces i natyrshëm në të cilin historia vetjake shkrihet me atë të njerëzve të vet si dhe me burimet e shumta të jashtme, që nuk mund të shpjegohen me fjalë. Atëhere rroftë paleta, ngjyrat, mermeri, tingujt…
Bekimi i Papës
Bekimi i Françeskut ishte një çast tronditës. Papa i ftoi të gjithë të jenë misionarë të paqes dhe të dashurisë. E në këtë ditë, ndërmjet tyre e me ta, edhe Papa iu lut “Nënës së Stepave” të nxjerrë nga i Biri, që e mban me shumë dashuri ndër krahë, hirin e madh të paqes, aq të dëshiruar sot nga e gjithë bota!