Papa: feja dhe arsyeja janë në harmoni, ta kuptosh të ndihmon t’i kapërcesh fanatizmat
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku priti sot anëtarët e shoqatës së Shën Tomës së Akuinit, pak muaj pas vdekjes së themeluesit argjentinas, fra 'Aníbal Fosbery, dëshira e të cilit ishte “të jepte ndihmesën për zbatimin e mësimeve që lindën nga Koncili II i Vatikanit”. Françesku u foli lirisht, pa letër, të pranishmëve, ndërsa në fjalimin e përgatitur dhe të dorëzuar, ndërmjet risive konciliare, nënvizon ndërgjegjësimin më të madh “për të drejtat dhe detyrat e laikëve lidhur me misionin ungjillëzues”. Veçanërisht ata e kanë përgjegjësinë për të çuar dritën e Ungjillit në realitetet e kohës, pohon Françesku:
“Është gjithmonë befasuese të shohësh se si Shpirti Shenjt bëhet rrugë në çdo realitet të njeriut, përmes talenteve që frymëzon në dishepujt e Jezusit. Dhe sot shohim se si Vëllazëria juaj pranoi mesazhin konciliar dhe nisi realizimin e projekteve të ndryshme për ungjillizimin e kulturës, të rinisë dhe të familjes, duke krijuar një larmi të madhe institucionesh edukative, si shkolla, universitete dhe qendra universitare në vende të ndryshme të botës”.
Feja dhe arsyeja janë në harmoni të natyrshme
Papa vërejti se rrethanat historike, në të cilat jetoi Toma i Akuinit, Pajtor i Vëllazërisë, ishin plot me sfida të ndryshme, duke shpjeguar, më pas, se në shekullin e 13-të shkrimet e filozofit grek Aristotelit po rizbuloheshin në Perëndim, jopa rezistencë. E kjo, ngaqë disa druheshin se “mendimi i tij pagan ishte në kundërshtim me fenë e krishterë". Po Shën Toma zbuloi harmoninë ndërmjet veprave të Aristotelit dhe Zbulesës së krishterë- theksoi Françesku, që vazhdoi të shpjegojë:
“Shën Toma arriti të dëshmojë se ndërmjet fesë e arsyes ekziston një harmoni e natyrshme. Kur ndërgjegjësohemi për këtë pasuri, themelore për kapërcimin e fondamentalizmave, fanatizmave dhe ideologjive, hapet një rrugë e gjerë për ta bërë mesazhin e Lajmit të Mirë të arrijë në kultura të ndryshme, gjithmonë me propozime të pranueshme nga inteligjenca e njeriut, që respektojnë identitetin e çdo populli”.
Lutja zbulon praninë e Perëndisë në botë
Papa Françesku vuri më pas theksin mbi dëshminë e “marrëdhënies së tij të thellë me Zotin”, që dukej veçanërisht në adhurimin e Jezusit në Eukaristi. Përshpirtëria e tij e ndihmoi të zbulonte misterin e Zotit - theksoi Papa - fakt i rëndësishëm sepse “për të zbërthyer praninë e Zotit në botë e në ngjarjet e saj, është e nevojshme të lutesh, ta kesh zemrën të bashkuar me atë të Jezusit”:
“Kështu shpirti ynë ushqehet, forcohet, mundësitë njerëzore, si inteligjenca, përsosen dhe ne jemi në gjendje ta shohim çdo situatë në një mënyrë transhendente, madje edhe ato që përballë logjikës njerëzore, mund të duken si panoramë dëshpëruese. Feja dhe arsyeja, kur ecin dorë për dore, janë të afta të forcojnë kulturën e qenies njerëzore, të mbushin botën me kuptim dhe të ndërtojnë shoqëri më njerëzore, më vëllazërore dhe, rrjedhimisht, më përplot me Zotin”.
Përvujtëria, e nevojshme për t'u afruar me të gjithë
Edhe sot - thekson Papa - në botë vijojnë të duken kultura të reja, disa prej të cilave propozojnë edhe “orientime të reja për jetën”, herë pas here në kundërshtim me Ungjillin, realitet ky, që vë në dyshim edhe Vëllazërinë:
“Sfida juaj ungjillëzuese si shoqatë, veçanërisht në rrethanat e qyteteve shumëkombëshe, shumëkulturore dhe shumëfetare, kërkon përvujtëri të madhe nga ana juaj për t’iu afruar të gjithëve, pa përjashtuar askënd, madje as ata që nuk e kanë besimin tonë, as vlerat tona, e për të hyrë në dialog me njerëzit, me ëndrrat e tyre, me historitë e tyre, me plagët dhe mundin e tyre, pasi çdo gjë që është njerëzore është e denjë të përqafohet nga dashuria dhe mëshira e Zotit”.
Edukimi ndihmon për t’u ndriçuar nga drita e Krishtit
Karizma e Fraternidad de Agrupaciones Santo Tomás de Aquino (Vëllazërisë së Shën Tomës së Akuinit) realizohet nëpërmjet edukimit - kujtoi Papa Françesku - që është vepër e mëshirës shpirtërore. Nuk kufizohet vetëm me disa njohuri, por përpiqet të nxjerrë në dritë “ç’ka më të mirë çdo njeri”, atë diamant “me të cilin Zoti i stolis të gjithë”:
“Edukimi kontribuon për të siguruar që ky diamant ta lejojë të kalojë Dritën, që është Krishti! Të kalojë, e kështu të shkëlqejë në mes të botës. Por ne kujtojmë edhe fjalët që Jezusi na drejton, përmes Ungjillit të Mateut: ‘Ju jeni drita e botës [...] llamba nuk ndizet për ta vënë nën maxhe, por mbi shandan, për t’i ndriçuar të gjithë ata, që janë në shtëpi’. Ose që Zoti na bën pjesëmarrës të dritës së tij, të vetë natyrës së tij, dhe për këtë arsye secili nga dishepujt e tij ndriçon botën, duke e davaritur errësirën dhe duke e shndërruar realitetin”.
Papa e përfundoi fjalën. Duke ia besuar të pranishmit Marisë e cila – kujtoi - të mëson të jesh ungjillëzues, duke u sjellë të gjithëve “dashurinë hyjnore” dhe dëshirën që Zoti t’i shumëfishojë “frytet e mira të kësaj vepre në shoqëri”.
Vëllazëritë e Grupeve të Shën Tomës së Aquinit
Fraternidad de Agrupaciones Santo Tomás de Aquino (FASTA) është një bashkësi laikësh, priftërinjsh dhe grash të kushtuara të Kishës Katolike, lindur në Argjentinë në vitin 1962, me nismën e At Aníbal Fosbery, rregulltar i Urdhrit të Predikatarëve (Dominikanëve). Shoqata ka në qendër të vëmendjes së saj arsimin dhe aktualisht, përveç Argjentinës, është e pranishme në Ekuador, Spanjë, Peru dhe në Republikën Demokratike të Kongos me universitete, kolegje, shkolla, rezidenca universitare, grupe të rinjsh, sindikata prindërish, bashkësi feje dhe apostullimi.