Kërko

Kardinali Jozep Tomko Kardinali Jozep Tomko

Telegram i Papës për vdekjen e “vëllait të urtë” Tomko

Françesku shpreh ngushëllimet e tij për vdekjen e kardinalit sllovak, Jozep Tomko, duke e kujtuar si njeri me “fe të thellë dhe me vështrim largpamës”, që “i shërbeu Ungjillit dhe Kishës me përvujtëri e vetëmohim”

R.SH. – Vatikan

         “Vëlla i vlerësuar dhe i urtë”, kështu shkruan Papa Françesku, në telegramin drejtuar imzot Bernard Bober, kryeipeshkvit të Košices, për të shprehur ngushëllimet për vdekjen e kardinalit Jozep Tomko, prefekt nderi i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve dhe i Komitetit Papnor për Kongreset Eukaristike Ndërkombëtare, “zi, që preku gjithë bashkësinë kishtare dhe kombin sllovak”.

         Kardinali Tomko, 98 vjeç, ndërroi jetë dje në banesën e tij në Romë, pas problemeve shëndetësore. Funerali do të kremtohet më 11 gusht në Bazilikën e Shën Pjetrit në orën 11.00. Më pas, ai do të varroset në katedralen e Shën Elizabetës në Košice, kryeipeshkvi e vendlindjes.

“Fe e thellë dhe shikim largpamës”

Françesku kujton se kardinali kishte “fe të thellë dhe shikim largpamës” e me to i shërbeu “Ungjillit dhe Kishës, me përvujtëri e vetëmohim”.

“Mendoj me mirënjohje – shkruan Papa - për punën e tij të gjatë dhe të frytshme në Selinë e Shenjtë si bashkëpunëtor i zellshëm dhe i matur i paraardhësve të mi. Mendoj edhe për frymën e lutjes që e nxiti, edhe pse në moshë të shtyrë, të thoshte me këmbëngulje, çdo mbrëmje, Rruzaren në Sheshin e Shën Pjetrit”.

Pikërisht përmes kësaj lutjeje mariane, kardinali Tomko u dha shtegtarëve e turistëve - kujton Papa në telegram - një “dëshmi të bukur dhe publike të dashurisë për Virgjërën Shenjte”. Së fundi, Françesku u shpreh mirënjohjen motrave të Mëshirës së Shën Vincenc de Paoli-Satma'rok, të cilat - nënvizon ai – “u kujdesën për të me dashuri të veçantë”.

09 gusht 2022, 13:33