Tek Papa, mitropoliti Antonij i Punëve të Jashtme të Patrikanës së Moskës
R.SH. – Vatikan
Një takim, që bën pjesë në kontaktet ekumenike ndërmjet Papës dhe Patrikanës së Moskës. Pason bisedën në distancë të Françeskut me Patrikun Ortodoks të Moskës, Kirill, që u zhvillua më 16 mars. Audiencat e sotme në Vatikan të Papës u hapën pikërisht nga Mitropoliti Antonij i Volokolamskut, i cili qershorin e kaluar, zëvendësoi Mitropolitin Hilarion në krye të Departamentit të Punëve të Jashtme të Patrikanës së Moskës.
Kujtojmë se Hilarion, i cili tani është Mitropolit i Budapestit, ishte ulur pranë Kirillit gjatë videokonferencës në mars, kur Papa i shprehu Patrikut të gjithë Rusisë bindjen se, përsa i përket luftës në Ukrainë, detyra e të krishterëve dhe e barinjve të tyre është të “bëjnë gjithçka” “për të ndihmuar paqen, për të ndihmuar ata që vuajnë “dhe për të ndalur zjarrin, sepse “ata që paguajnë çmimin e luftës janë njerëzit”.
Më pas, më 25 prill, Françesku i dërgoi një letër urimesh Patrikut Kirill me rastin e Pashkëve të Kishave Katolike dhe Ortodokse, që ndjekin kalendarin julian. “Shpirti Shenjt – shkruante Papa në një pjesë të letrës – na i shndërroftë zemrat dhe na bëftë veprimtarë të vërtetë të paqes, veçanërisht për Ukrainën e shkatërruar nga lufta”, ndërsa “ndjejmë gjithë peshën e vuajtjeve të familjes sonë njerëzore, të dërrmuar nga dhuna, lufta dhe padrejtësitë e shumta”.