Kërko

Shtegtimi apostolik në Kanada : Mbrëmësoret me  klerin në Katedralen e  Zojës. Shtegtimi apostolik në Kanada : Mbrëmësoret me klerin në Katedralen e Zojës. 

Shërbesat në Kishë, Papa nis një dialog me ipeshkvijtë

Mesazhi i Françeskut për përvjetorin e motu proprio “Ministeria quaedam” (Disa shërbesa) të Palit VI: është e dobishme të bisedojmë me konferencat ipeshkvnore të botës për përvojat e viteve të fundit, që ta vazhdojmë udhën pa u detyruar të zgjedhim “çka është fryt i vizioneve ideologjike”.

R. SH. - Vatikan

Kaluan pesëdhjetë vjet që nga motu proprio e Palit VI “Ministeria quaedam" që reformonte urdhrat e vegjël, e themelonte shërbesat laikale. Papa Françesku e kujton këtë përvjetor me një mesazh nënshkruar më 15 gushtin e kaluar dhe njofton se dëshiron të fillojë një dialog me konferencat ipeshkvore anembanë botës “që të mund të ndajnë pasurinë e përvojës së shërbesave, të vëna në jetë nga Kisha pesëdhjetë vjet, parë si shërbesa të krijuara (lexues, bashkëpunëtorë dhe, vetëm së fundmi, katekistë)  shërbesa të jashtëzakonshme dhe të faktit”. Qëllimi - shpjegon Papa në mesazh - është “ që të mund ta dëgjosh zërin e Shpirtit Shenjt dhe të mos e ndalësh procesin, duke u kujdesur të mos e detyrosh, duke imponuar zgjedhje që janë rezultat i vizioneve ideologjike”. Për këtë arsye, Françesku beson se “është e dobishme të shfrytëzohet përvoja e viteve të fundit, veçanërisht në atmosferën e udhës sinodale. Mund të japin këshilla të çmuara për të arritur në një vizion të harmonishëm lidhur me çështjen e shërbesave të pagëzimit dhe kështu të vazhdojmë në rrugën tonë”.

Udha e Papës Montini dhe letrat e Françeskut

Në mesazhin e tij, Françesku kujton se motu proprio e Palit VI jo vetëm që e përtriu  disiplinën e urdhrave të vegjël dhe të nëndiakonatit, “por i ofroi Kishës një perspektivë të rëndësishme, që kishte forcë për të frymëzuar zhvillime të mëtejshme". Siç vijon të kujtohet, mundësia e zhvillimit të mëtejshëm të shërbesave u diskutua gjatë Sinodit në Amazonë. Më pas, Papa Françesku e preku këtë çështje në dy Letra apostolike: e para, “Spiritus Domini”, e 10 janarit 2021, u hapi rrugën grave për shërbesën e Lektoratit dhe Akolitit. E dyta, “Antiquum ministerium”, e 10 majit 2021, krijoi shërbesën e Katekistit. “Këto dy ndërhyrje - shpjegon Papa - nuk duhet të interpretohen si shkapërcim i doktrinës së mëparshme, por si zhvillim i mëtejshëm i mundësuar, sepse bazohet në të njëjtat parime - në përputhje me reflektimet e Koncilit të Dytë të Vatikanit”, që frymëzuan Palin VI. Papa Montini, duke pranuar kërkesat e “jo pak” Etërve të Këshillit, pesëdhjetë vjet më parë, “u kishte njohur Konferencave Ipeshkvnore mundësinë për t'i kërkuar Selisë Apostolike të krijonte ato shërbesa, që konsideroheshin të nevojshme ose shumë të dobishme në viset e tyre. Edhe lutja e shugurimit të ipeshkvit, në pjesën e ndërmjetësimeve, kujton ndër detyrat e tij kryesore, atë të organizimit të shërbesave”.

Bazat e çdo shërbese

Françesku shpjegon se “tema është me rëndësi themelore për jetën e Kishës, sepse nuk ka asnjë bashkësi të krishterë që nuk kryen shërbesa”, siç lexohet në Letrat e Shën Palit, që përshkruan “një shërbesë të përhapur, e cila po organizohej mbi dy baza të caktuara: në zanafillën e çdo shërbese është gjithmonë Zoti që me Shpirtin e tij të Shenjtë punon gjithçka në të gjitha, ndërsa qëllimi i çdo shërbese është gjithmonë e mira e përbashkët, ndërtimi i bashkësisë”. Prandaj, çdo shërbesë është “thirrje nga Zoti për të mirën e bashkësisë”. Falë këtyre dy themeleve, bashkësia e krishterë mund të organizojë “larminë e shërbesave që ngjall Shpirti Shenjt në lidhje me situatën konkrete që jetohet”. Ky organizim - shkruan Papa – “nuk është thjesht fakt funksional, por, përkundrazi, është shqyrtim i kujdesshëm i përbashkët, që i sugjeron Shpirti Shenjt Kishës, në një vend konkret dhe në çastin e tanishëm të jetës së saj”. Kështu, “çdo strukturë shërbesore, që lind nga ky shqyrtim, është dinamike, e gjallë, e hepueshme, si veprimi i Shpirtit Shenjt: ajo duhet të zërë rrënjë gjithnjë e më thellë, për të mos rrezikuar që dinamizmi të bëhet pështjellim, gjallëria të rëgjohet në improvizim të jashtëzakonshëm e fleksibiliteti të shndërrohet në përshtatje arbitrare dhe ideologjike”.

Realitet më i lartë se ideja

Në mesazhin e tij, Françesku kujton se “ekleziologjia e bashkimit, sakramentaliteti i Kishës, harmonizimi i meshtarisë së përbashkët dhe i meshtarisë shërbyese si dhe dallimi liturgjik i çdo shërbese, janë parimet doktrinore të cilat, të frymëzuara nga veprimi i Shpirtit Shenjt, e bëjnë të harmonishme shumëllojshmërinë e shërbesave”. Çështja e shërbesave të pagëzimit prek aspekte të ndryshme që “sigurisht duhen pasur parasysh”, si: terminologjia e përdorur për të treguar shërbesat, themeli i tyre doktrinor, aspektet juridike, dallimet dhe marrëdhëniet ndërmjet shërbesave të veçanta, vlera e tyre profesionale, kurset formuese,  mundësimi i ushtrimit të një shërbese, përmasa liturgjike e çdo shërbese”.

Temat, në dukje të ndërlikuara që, pohon Papa, “sigurisht duhet të vazhdojnë të hulumtohen” por pa “pretenduar të përcaktohen dhe të zgjidhen për të kryer më pas shërbesën”, sepse duke vepruar në këtë mënyrë “ka shumë mundësi të mos jemi në gjendje të shkojmë shumë larg”. Kjo është arsyeja pse në mesazh Françesku përsërit atë që ishte shkruar tashmë në thirrjen “Evangelii gaudium”, domethënë se "realiteti është më i lartë se ideja" dhe "midis të dyve duhet të vendosim një dialog të vazhdueshëm, duke shmangur që ideja të përfundojë duke u ndarë vetë nga realiteti”. Për më tepër, Papa kujton se “koha është më e madhe se hapësira". Prandaj, “më shumë se fiksimi për rezultate të menjëhershme në zgjidhjen e të gjitha tensioneve dhe sqarimin e çdo aspekti, krijojnë kështu rrezikun e  kristalizimit të proceseve dhe, nganjëherë, të pretendimit të ndalimit të tyre, prandaj ne duhet të ndjekim veprimin e Shpirtit të Zotit”.

24 gusht 2022, 15:52