Kërko

Kremtimi i meshës Kremtimi i meshës 

Papa: shërbesat e ndryshme në Kishë janë pasuri, por nuk duhen “klerikalizuar” laikët

U hap dje pasdite (22 gusht) në Salerno të Italisë, Java e 72-të Liturgjike Kombëtare Italiane. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, u çoi pjesëmarrësve një mesazh, në emër të Papës Françesku, në të cilin urohet thellimi në realitetin e ministereve kishtare, në këndvështrimin e një Kishe të orientuar gjithnjë e më shumë kah shërbimi

R.SH. – Vatikan

         Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, u bë zëdhënës i përshëndetjes së Papës Françesku për pjesëmarrësit e Javës së 72-të Liturgjike Kombëtare Italiane, që filloi dje pasdite në Salerno, me temë “Ministere në shërbim të një Kishe sinodale”. Kardinali përmend në një mesazh, fjalët e Atit të Shenjtë, kur i nxiti të gjithë besimtarët ta jetojnë itinerarin e Sinodit, duke u bërë “ekspertë në artin e takimit” dhe të gatshëm për ta ndihmuar njëri-tjetrin “që shumëllojshmëria e karizmave, thirrjeve dhe shërbesave të na pasurojë”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit sqaron çfarë pret Papa Françesku nga ditët e studimit, që sapo kanë nisur dhe që mbledhin së bashku ipeshkvij, meshtarë, diakonë, rregulltarë e laikë. “Shpresa e Atit të Shenjtë – shkruhet në mesazh – është që ky kuvend i kualifikuar, i cili vihet në shërbim të baritorisë së Kishave në Itali… të kontribuojë në thellimin teologjik-liturgjik-baritor të realitetit të shërbesave, duke hapur perspektiva për reflektimin baritor të bashkësisë kishtare”.

Magjisteri papnor për shërbesat në Kishë

Kardinali Parolin kujton magjisterin papnor për ministeret apo shërbesat në Kishë. 50 vjet më parë, Shën Pali VI, me Motu proprio “Ministeria quaedam”, “rishikoi të gjitha çështjet e urdhrave të vegjël duke ruajtur ato të Lektoratit dhe të Akolitatit si shërbesa, që nuk u rezervohen më vetëm kandidatëve për sakramentin e Urdhrit Shenjt”. Papa e shihte rinovimin e Kishës gjithnjë e më shumë drejt bashkësisë e më pak në drejtimin klerikal. Me Motu proprio “Spiritus Domini”, Papa Françesku e kapërcen kufizimin, që i përjashtonte gratë nga këto dy shërbesa, ndërsa me Motu proprio “Antiquum Ministerium”, ai i jep Kishës “figurën e shërbesës së Katekistit”. Çdo shërbesë e Kishës, kujton kardinali Parolin në mesazh, duhet të frymëzohet nga shërbimi i Jezu Krishtit dhe duhet verifikuar gjithnjë nëse është e dobishme për jetën kishtare.

Duhet të vlerësohen laikët, pa ngatërruar rolet

Një Kishë e kuptuar si një “mister bashkimi”, vijon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, e vë më shumë theksin tek roli i laikëve, që duhen ndërgjegjësuar për thirrjen e tyre. Por, “duhet pasur kujdes që të mos ngatërrohet meshtaria e përbashkët me meshtarinë ministrore, duke interpretuar arbitrarisht konceptin e “zëvendësimit”, duke “klerikalizuar” dhe duke rrezikuar kështu krijimin e një Kishe paralele”. Kardinali Parolin e mbyll mesazhin duke u siguruar të gjithë pjesëmarrësve në kuvendin, që do të përfundojë më 25 gusht, lutjen dhe bekimin e Papës Françesku, së bashku me urimin e tij personal “për suksesin e plotë të kësaj nisme të rëndësishme baritore”.

23 gusht 2022, 15:22