Papa: pasuria e luajtshme e Selisë së Shenjtë të administrohet nga IOR
R.SH. – Vatikan
Instituti për Veprat e Fesë (IOR) do të ketë juridiksion ekskluziv mbi administrimin e pasurive të luajtshme të Selisë së Shenjtë dhe të institucioneve të lidhura me të. Vendimi u mor nga Papa Françesku, i cili boton sot një Reskript për këtë qëllim, në gazetën vatikanase “L'Osservatore Romano”.
Françesku nënvizon se ky Reskript interpreton dispozitat në fuqi, pra, Kushtetutën Apostolike “Praedicate Evangelium”, e cila ia kalon APSA-s (Administrimi i Trashëgimisë së Selisë Apostolike) të gjithë administrimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme të Selisë së Shenjtë, por të gjitha operacionet financiare që kanë të bëjnë me to, ia cakton IOR-it. Pika qendrore e Reskriptit është interpretimi i paragrafit 3 të nenit 219 të Kushtetutës. Papa shkruan se ai duhet të kuptuar kështu: “veprimtaria e administruesit patrimonial dhe e depozituesit të pasurive të luajtshme të Selisë së Shenjtë dhe të institucioneve të lidhura me Selinë e Shenjtë është përgjegjësi ekskluzive e Institutit për Veprat e Fesë”.
Për këtë arsye, Selia e Shenjtë dhe institucionet e lidhura me të, “titullarë veprimtarish financiare dhe likuiditeti, që ruhen në çfarëdo lloj forme, në institucione financiare të ndryshme nga IOR-i duhet të informojnë IOR-in dhe t’i transferojnë ato sa më shpejt të jetë e mundur, brenda 30 ditëve nga 1 shtatori 2022”. Reskripti papnor hyn në fuqi menjëherë, me botimin e tij në gazetën e Selisë së Shenjtë.
Duhet theksuar se deri tani, institucionet e Vatikanit kanë pasur mundësinë të investonin ku të donin, përmes bankave që preferonin. Centralizimi i tanishëm, që përforcohet përditë e më shumë, vjen edhe nga nevoja për të ushtruar një kontroll më të madh mbi administrimin financiar të dikastereve vatikanase, me IOR-in që vepron si depozitues dhe me APSA-n si bankë qendrore dhe si fond sovran investimesh.