Françesku: nga Çelestini V, mësimi për faljen, e vetmja armë kundër luftës
R.SH. – Vatikan
48 orë para mbërritjes në L'Aquila, Papa Françesku u drejtohet akuilanëve për t'i përforcuar “në shpresën e Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ringjallur”, por edhe për t'i inkurajuar ata “ta kthejnë në thesar mesazhin që Papa Çelestini i la gjithë Kishës”, duke shpjeguar se “përvujtëria, dashuria, afërsia, falja, mëshira, janë mënyrat më të bukura për kumtimin e Ungjillit”. Papa flet kështu nga faqet e gazetës “Il Centro”, së cilës i ka dhënë një intervistë, botuar sot. Në të, Ati i Shenjtë reflekton mbi rindërtimin e qytetit italian, i cili ka të bëjë jo vetëm me “shtëpitë, por edhe me vetë shpirtin e njerëzve”, falenderon “Kishën e L'Aquila-s për dëshminë e këtyre viteve” dhe shton se “vetëm uniteti bën të mundur ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme”. Duhet t’i lëmë pas të gjitha gjërat që na ndajnë dhe të vlerësojmë gjithçka na bashkon, thekson Papa, sepse vetëm në këtë mënyrë “shpresa nuk do të jetë vetëm utopi, por siguri mbi të cilën do të mbështetet e ardhmja dhe impenjimi i të gjithëve”.
Kini besim te Zoti, në errësirën e dhimbjes dhe të vuajtjes
Papa Françesku u përgjigjet katër pyetjeve. Përballë tragjedisë së tërmetit të 6 prillit 2009, që ia ndryshoi historinë qytetit dhe njerëzve, ai vëren se “dhimbja dhe vuajtja janë gjithmonë mister” e se nuk mjafton “ndonjë arsyetim bindës” për të qendë “i sigurt se nuk prekesh nga humbëtira e disa përvojave”. Edhe Jezusi, kujton Papa, “e jetoi këtë errësirë, u ndie i vetmuar, i mundur”, por “na mësoi se pikërisht kur gjithçka duket e humbur” mund të mbështetemi tek Ati Qiellor. “Nuk mund të ketë rilindje pa këtë”, pohon Françesku, duke kujtuar se për besimtarin kjo jetë është vetëm një “kalim” drejt “jetës, që nuk kalon".
Kulturë paqeje për ta bërë të mundur faljen
Të dielën, Françesku do të hapë Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Marisë së Collemaggio, duke nisur kremtimet e Faljes së 728-të Çelestiniane, Ndjesës së plotë që Papa Çelestini V përcaktoi për ata, që pasi pendohen dhe rrëfehen, shkojnë në një vend kulti nga mbrëmësoret e datës 28 gusht deri në ato të ditës së nesërme. Pikërisht për faljen mendon Papa, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe “konfliktet e tjera, që mundojnë mijëra njerëz, sidomos, njerëzit e pafajshëm”. “E keqja nuk mundet kurrë me të keqen, por vetëm me të mirën” dhe “duhet më shumë forcë për të falur sesa për të bërë luftë”. Falja, nënvizon Françesku, kërkon "pjekuri të madhe”. Të gjithë “të kultivojnë kulturën e paqes, që kalon pikërisht nga maturimi i një faljeje të mundshme", përndryshe, mbetemi "në logjikën e së keqes, që lidhet me logjikën e interesit të atyre, që përfitojnë nga këto konflikte për t'u pasuruar dhe për të shfrytëzuar", prandaj, "falja është e vetmja armë e mundshme kundër çdo lufte" .
Qëndrimi ndaj varfërisë i atyre, që janë vërtet të lirë
Së fundi, në faqet e para të gazetës abruceze, Papa reflekton mbi varfërinë dhe saktëson se duhet dalluar ndërmjet varfërisë si “fryt i padrejtësisë" dhe "varfërisë ungjillore, që është liria nga pasja". “E para duhet luftuar me drejtësi dhe solidaritet – vëren ai – e dyta duhet zgjedhur si rrugë, që çon në përjetimin e paqes së vërtetë”. Françesku shton se vetëm kur njeriu nuk është "skllav i pasjes" përjeton “atë liri të brendshme, që na bën të ndiejmë gëzim për gjithçka në jetë". Sepse varfëria për të krishterin, përfundon Papa, "është mënyrë për të qenë në botë", "është qëndrimi i njeriut vërtet të lirë".