Kërko

Papa: pleqëria është premtim, të duash rininë e përjetshme është marrëzi

Duke vazhduar ciklin e katekizmit kushtuar pleqërisë, në audiencën e përgjithshme, Françesku foli sot për të si për një kohë, në të cilën takimi i afërt me Zotin jetohet me më shumë maturi. Mosha e shtyrë është periudhë për të dëshmuar Krishtin e për të pritur përmbushjen e premtimit të Tij për jetën e amshuar. E pamundur, ta ndalësh kohën. Marrëzi, të dëshirosh rininë e përjetshme

R.SH. – Vatikan

Pas pushimeve të korrikut dhe reflektimeve të javës së kaluar kushtuar udhëtimit të tij në Kanada, Papa, në Sallën Pali VI të mbushur me besimtarë, shqiptoi katekizmin e tij të gjashtëmbëdhjetë kushtuar moshës së tretë, duke e parë si kohë të përshtatshme për të dëshmuar Krishtin, pavarësisht nga brishtësitë.

Kohë në pritje të Krishtit

         Pleqëria, shpjegoi Papa, është kohë në pritje të Krishtit, kohë kur të moshuarve u duhet të kalojnë nëpër sfida të vështira si sëmundja, ose mungesa e forcave, por edhe kohë bekimesh e ndjenjash më të zjarrta fetare. Prandaj, të moshuarit janë të aftë, pikërisht në këtë moshë, të bëjnë shumë vepra feje, që i afrojnë me të tjerët e me Mbretërinë e Hyjit. Sipas Françeskut, kjo mënyrë për të pritur takimin me Zotin, duhet inkurajuar nga Kishat lokale, të cilat duhet ta gjallërojnë këtë shërbesë të veçantë, duke i nxitur të moshuarit të ndjekin thirrjen e tyre personale dhe pjesëmarrjen në jetën e bashkësisë, pavarësisht nga përvoja e tyre e mëparshme.

         “Pleqëria, që konsumohet në dëshpërimin për rastet e humbura, sjell dëshpërim për veten dhe për të tjerët. Përkundrazi, pleqëria e jetuar me ëmbëlsi, e jetuar me respekt për jetën reale e zgjidh përfundimisht keqkuptimin se jemi një lloj fuqie, që duhet t’i mjaftojë vetvetes dhe të mendojë veç të ketë suksese. Madje, zgjidh edhe keqkuptimin se Kisha u përshtatet kushteve të kësaj bote, duke menduar se mund të administrojë në mënyrë shteruese përkryerjen dhe përmbushjen”.

Të destinuar të shkojmë përtej vdekjes

         Kur çlirohemi nga pretendimi për të qenë gjithmonë të përsosur dhe të shëndetshëm, energjikë dhe plotësisht të suksesshëm, “koha e plakjes, që na dhuron Zoti”, sqaroi Papa, “është në vetvete një nga ato veprat ‘më të mëdha’, që Jezusi na premton se do të përmbushim, nëse besojmë në Të, përveç atyre të përmbushura nga Ai vetë”. Duke u nisur nga kjo, Papa vuri në dukje cili është kuptimi i jetës njerëzore.

         “Jeta nuk është bërë për t’u mbyllur në vetvete, në një lloj përkryerje imagjinare tokësore: ajo është e destinuar të shkojë përtej, përmes kalimit nëpër vdekjen. Sepse vdekja është kalim. Në fakt, vendi ynë i qëndrueshëm, pikëmbërritja jonë nuk është këtu, është pranë Zotit, atje ku Ai banon përgjithmonë”.

Në tokë fillojmë udhën drejt Zotit

         Në tokë, shpjegoi Papa, jemi gjithnjë çirakë, mësojmë vazhdimisht si ta kalojmë jetën e, ndër mijëra vështirësi, vlerësojmë praninë e Zotit, dhuratat e tij, pranojmë përgjegjësinë për t’i ndarë e për t’i bërë të frytshme edhe për të tjerët. Në këtë kuptim, nënvizoi Françesku, jeta mbi tokë është hir e të duash ta ndalësh kohën do të thotë të ndalësh udhën drejt Zotit. Dëshira për rini të përjetshme, mirëqënie pa kufi, pushtet absolut, përveçse është e pamundur për t’u realizuar, është marrëzi, shtoi Ati i Shenjtë.

         “Ekzistenca jonë në tokë është koha e fillimit të jetës, është jetë, por që të çon në një jetë më të plotë, është fillimi i asaj më të plotës; një jetë që përmbushet veç në Zotin. Që në fillim jemi të papërkryer dhe mbetemi të tillë deri në fund. Me përmbushjen e premtimit të Hyjit, marrëdhëniet përmbysen: hapësira e Zotit, të cilën Jezusi e përgatit për ne me shumë kujdes, është më e gjerë se koha e jetës sonë të vdekshme. Ja pra: pleqëria e afron shpresën e kësaj përmbushjeje. Në pleqëri e njohim tashmë ndjenjën e kohës dhe kufizimet e vendit ku i jetojmë fillimet e jetës. Pleqëria është e urtë, pikërisht për këtë arsye: të moshuarit janë të urtë, pikërisht për këtë”.

Pleqëria është e fisme e s’ka nevojë për grim

         Prandaj, në pleqëri e kuptojmë se duhet të gëzohemi nga kalimi i kohës, se nuk kemi nevojë për t’u dukur ndryshe nga ç’jemi, pasi mosha të jep fisnikëri, nuk ka nevojë për makijazh. Pleqëria ta thellon vështrimin e fesë, bën të duket qartë premtimi i Jezu Krishtit, duke e projektuar njeriun drejt Qytetit të Shenjtë për të cilin flet Libri i Zbulesës. E ashtuquajtura “moshë e tretë”, përfundoi Papa, është perspektiva e kalimit drejt jetës së amshuar.

         “Pleqëria është faza më e përshtatshme e jetës për të përhapur lajmin e mirë se jeta është fillimi, nisja e përmbushjes përfundimtare. Të moshuarit janë premtim, një dëshmi premtimi. E kohë më të mira pritet ende të vijnë. Më e mira nuk ka ardhur akoma: është si mesazhi i të vjetrit dhe së vjetrës besimtare, kohë më të mira do të vijnë. Zoti na dhëntë të gjithëve një pleqëri në gjendje ta dëshmojë këtë!”

10 gusht 2022, 11:10

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >