Kërko

Papa: feja jep harmoni në familje, në Kishë, në botë

Papa Françesku priti sot paradite nё audiencë familjen e Pedro Maria Guimarães de Mello, e cila ka ardhur në një shtegtim në Vatikan. Ati i Shenjtё u kujtoi tё pranishmёve se lutja na ndihmon ta mbajmё gjallё fenё dhe i nxiti të mbajnë shikimin e tyre të fiksuar në Jezusin e Kryqëzuar

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite nё audiencë, nё Vatikan, familjen Pedro Maria Guimarães de Mello, e cila ka ardhur në një shtegtim pranë varrit tё Shën Pjetrit në Vatikan. Ati i Shenjtё Bergoglio u kujtoi tё pranishmёve se lutja na ndihmon ta mbajmё gjallё fenё dhe i nxiti të mbajnë shikimin e tyre të fiksuar në Jezusin e Kryqëzuar. Më poshtë fjalimi i plotë i Papës:

Përshëndetje dhe mirëserdhët!

Ju jeni një familje e madhe dhe e bashkuar. Ju falënderoj për dëshminë e dashurisë suaj për Kishën dhe për shtegtimin tuaj pranë varrit tё Shën Pjetrit. Është besimi në Jezusin që ju ka sjellë këtu dhe ju ka bashkuar. Është bukur të shohësh një familje të bashkuar dhe të pёrforcuar nga dhurata e fesё. Duke parë familjen tuaj dhe duke menduar për familje si tuajat, mё vjen në mendje Psalmi 133 qё thotё: “Shiko, sa bukur dhe sa e ëmbël është kur vëllezërit jetojnë së bashku! Është si vaji i çmuar i derdhur mbi kokë, qё zbret nё mjekër, nё mjekrёn e Aronit, që zbret në cepin e petkave të tij” (Ps 133,1-2).

Vaji është një imazh i bukur i bashkimit, i lumturisë së të qenurit së bashku dhe tё bashkuar. Por vaji është gjithashtu edhe një imazh i fesё që i pёrforcon lidhjet tona dhe, nëpërmjet Shpirtit Shenjt Zot, e bën të mundur harmoninë në familje, në Kishë, në botë. Ju inkurajoj të mos e lini kurrë të mbarojë vaji i fesë në llambat tuaja (krh. Mt 25, 1-13). Në këtë mënyrë duhet tё bashkëpunojmë me hirin e Zotit që përjetojmë në takimin tonë me Të. Po praninë e Zotit e përjetojmë në shumë rrethana, por veçanërisht në sakramente dhe në meditimin e Fjalës së tij.

Lutja na ndihmon ta mbajmë të gjallë fenё; vaji i besimit ruhet duke i kthyer shpesh mendimet tona te Zoti: na ndihmon shumë kur e vёshtrojmё imazhin e kryqёzuarit, prandaj ta fiksojmë shikimin tonё te Jezusi në kryq. Është një mënyrë e bukur për t'u lutur.

Si familje dhe si individë, ju ftoj të ecni përpara në rrugëtimin tuaj të fesё, duke besuar në mirësinë e Zotit dhe në mbrojtjen e Zojës sё Bekuar, të cilën ju e nderoni aq shumë nё Fatime. Ju kёrkoj të lutemi për mua dhe ju bekoj pёrzemёrsisht.

26 gusht 2022, 12:48