Papa: njeriu, në çdo moshë, vijon ta pyesë veten: “çfarë kërkoj?”
R. SH. - Vatikan
Papa sot ishte në mes të një grupi me djem dhe vajza, ardhur në Vatikan të shoqëruar nga Imzot Camillo Cibotti, ipeshkëv i Isernia-Venafro, së bashku me priftërinj, edukatorë dhe drejtues të ndryshëm të Alpha-s, dhe kryetarin e bashkisë së Macchia d'Isernia, seli e kampit të tyre. “Të shoqërosh” është fjalë kyçe për Kishën, theksoi. E në vijim u kujtoi të rinjve çka është themelore për jetën: përgjigjja e pyetjes “Çfarë po kërkoj?”.
Njeriu ka etje për amshimin
Duke u folur të rinjve italianë dhe nga vende të tjera evropiane, Papa u ndalua tek mjedisi ku lindën e jetojnë, që vetëquhet “i shekullarizuar”, ku kultura nuk sundohet nga përmasa e shenjtërisë, por nga mendësia e botës. E megjithatë…:
“… etja për amshimin nuk mungon kurrë në zemrën e njeriut. Madje edhe në shpirtin tuaj, që rriteni me teknologjinë e informacionit, lindin pyetjet e mëdha të të gjitha kohërave: nga vijmë? Cila është zanafilla e gjithë kësaj? Po kuptimi i jetës? E pastaj, pse ka kaq shumë vuajtje? Pse preken edhe të vegjlit dhe të pambrojturit?...”.
Pyetje me e pa përgjigje
Një mori pikëpyetjesh, që shpesh mbeten pa përgjigje. Po Zoti i do shumë pyetjet - vijoi Papa - në një farë mënyre, i do më shumë se sa përgjigjet. E pas këtyre pyetjeve, Françesku shfletoi figurativisht faqen ungjillore, në të cilën Jezusi, dy të parëve që e ndoqën një ditë në brigjet e lumit Jordan, u drejtoi pikërisht këtë pyetje tejet nevralgjike: “Çfarë po kërkoni?” (Gjn. 1. 38). Para se të japim përgjigje - vijoi - vetë Jezusi na mëson t’ia bëjmë vetes këtë pyetje themelore: “Çfarë po kërkoj?”. Nëse dikush e bën këtë pyetje, ai është i ri, edhe po i pati kaluar të tetëdhjetat. Po nëse nuk e bën, është i vjetër, edhe pse njëzet vjeç. A jeni dakord?
Të rinjtë indigjenë e evropianë, në kujtesën e Papës
Nga atmosfera ungjillore, Papa kaloi në atmosferën kanadeze. Kujtoi se Javën e kaluar ishte në Kanada, ku u takua me popujt indigjenë, paraardhësit e të cilëve banojnë në të njëtat toka ku ishin edhe përpara kolonizimit. Ata janë ruajtës të vlerave dhe traditave stërgjyshore, por jetojnë në një vend shumë modern, shumë të laicizuar. Tani, duke ju parë ju, po mendoja për të rinjtë e atyre popujve indigjenë. Kaq të ndryshëm nga ju, por kaq të ngjashëm: kaq të barabartë.
Të barabartë në kuptimin e humanizmit, asaj që e cilëson qenien tonë njerëzore, pra lidhjes me Zotin, me të tjerët, me krijimin dhe me veten në liri e në dhurimin e vetvetes. Kjo marrëdhënie shpreh “mospërkryerjen”, dëshirën për përsosuri, për jetë, gëzim, kuptim të përsosur. E kjo përsosuri është vetë Jezu Krishti.
Një letër drejtuar të rinjve: “Krishti jeton!”
Disa vite më parë - vijoi të kujtojë - u pata shkruar një letër të gjatë të rinjve të botës duke e nisur kështu:
“Krishti jeton. Ai është shpresa jonë dhe rinia më e bukur në këtë botë. Gjithçka që prek, bëhet e re, rinohet, mbushet me jetë. [...] Ai jeton dhe të do të gjallë! Ai është në ju! Ai është me ju dhe nuk largohet kurrë. Sado që të largohesh, i Ngjalluri pranë teje është, të thërret dhe të pret të fillosh nga e para”.
Kur ndjehesh i plakur nga trishtimi, inati, frika, dyshimet ose dështimet, Ai do të jetë aty për ta kthyer forcën dhe shpresën"(Nxitja Apostolike Christus vivit, 1-2). Jezusi mbetet gjithmonë fillimi dhe fundi, alfa dhe omega.
Nga Ungjilli, te Alpha
Më pas Papa, duke lidhur ngushtë Ungjillin - me Alfën dhe me metodën e ungjillizimit, që e frymëzon, theksoi:
“Alpha është sinonim i lindjes, fillimit, agimit të jetës... Krishti është “alfa”, pra fillimi, e Ai është edhe ‘omega’, pra fundi, përmbushja, plotësia. Kështu, me Krishtin, ky mikrokozmos që është njeriu mund të shpëtohet nga humnera e vdekjes dhe e së keqes e të hyjë në hullinë e Zotit, të jetës, të dashurisë. I bashkuar me Jezusin, secili prej nesh bëhet farë e paracaktuar të mbijë, të rritet dhe të japë fryte. Por duke ndjekur Atë!”
Kjo porosia që u dha Papa të rinjve të pranishëm, të cilët i ftoi t’i thonë jo egoizmit, egocentrizmit, dëshirës për t’u dukur më shumë se vlejmë! Si i lumi Carlo Acutis – i porositi - hiqni dorë nga logjika e dukjes, sepse Zoti nuk do fotokopjet, por origjinalin:
“Jo. Të jesh vetvetja, të mos fryhesh, madje, ta dish sa të vlen lëkura! Kjo është përvujtëria e vërtetë”.
Françesku i ftoi të rinjtë të mos ikin përballë së keqes, të mos arratisen nga realiteti, të mos mbyllen në vetvete, por secili të marrë mbi vete pjesën e vet të përgjegjësisë - Jezusi thotë “kryqin e vet” - dhe ta mbartë me dashuri, me gëzim. Gjithmonë me Jezusin: Ai përpara, ne pas Tij.
Në përfundim, urimi:
“Djem e vajza, ju lë me këtë dëshirë: Jezusi u bëftë miku juaj i madh, bashkëudhëtari juaj. Jezusi i gjallë u bëftë jeta juaj! Çdo ditë dhe përgjithmonë e jetës. Faleminderit qe erdhët! Kamp të mbarë e dhe rrugë e mbarë!”.