Kërko

Françesku: misioni ynë është të dhurojmë ç’kemi më të mirë nga vetja

Në një videomesazh falenderimi dhe inkurajimi i Papës për misionin e solidaritetit të famullisë argjentinase të Zojës së Madhe ndër të fundmit e bashkësisë indigjene Wichi, në malet kufitare ndërmjet Bolivisë dhe Paraguait

R.SH. – Vatikan

         “Të jesh misionar do të thotë të dalësh nga vetvetja për të dhënë ç’ke më të mirë nga vetja e më të mirën, që na dhuron Zoti e, kjo është diçka shumë e bukur”. Kështu pohon Papa Françesku në një videomesazh për pjesëmarrësit në misionin e solidaritetit të famullisë së Zojës së Madhe, e cila ndodhet në Argjentinë, në dioqezën e Rio Cuarto.

Pjesëmarrësit në mision
Pjesëmarrësit në mision

Ëndrrat realizohen së bashku

         Gjatë një jave, që prej tre vitesh, 30 vetë, të rinj e të rritur, marrin pjesë në një mision, i cili e merr temën nga Enciklika “Fratelli tutti”. Kësaj radhe, tema është “Ëndrrat realizohen së bashku” e misionarët kanë shkuar në gjirin e popullsive indigjene të Salta, Victoria Este dhe dioqezës së Oràn-it, ku shërben atë Mariano Cordeiro. Pikërisht këtij meshtari, Ati i Shenjtë i dërgon bekimin dhe falënderimin për të gjithë. “Faleminderit për gjithçka bëni – u thotë Papa – faleminderit për këtë punë. Ecni përpara”. Françesku i inkurajon, duke u siguruar lutje, pa harruar t’u kërkojë lutje edhe për të. E pastaj, i nxit të gjithë: “kthejuni misionit”.

Një çast nga misioni
Një çast nga misioni

Ndër më të varfërit, ku shihet fytyra e Krishtit

         Zona e misionit është një nga më të varfrat në vend, ku njerëzit ushqehen keq, u mungon uji i pijshëm, kujdesi mjekësor dhe shëndetësor. Është fjala për bashkësinë indigjene Wichi, që jeton në malet kufitare ndërmjet Bolivisë dhe Paraguajit. Át Mariano shpjegon se prania katolike ndër ta do të thotë mundësi “për të kremtuar Pagëzimet e meshën, për të bërë festë, për të shoqëruar familjet, për të luajtur me fëmijët, për t’u sjellë Fjalën e Zotit, për të ndarë me ta jetën dhe fenë, për t’u pasuruar me kulturën e autoktonëve, për të takuar më të varfërit ndër të varfër. Jemi në gjendje të prekim korpin e Krishtit në këta njerëz. Në mes të varfërisë së skajshme, që na lëndon dhe na bën të pafuqishëm, Jezusi na shikon dhe na buzëqesh në fytyrën e çdo vëllai”.

At Mariano gjatë kremtimeve
At Mariano gjatë kremtimeve

Ku rreh zemra e Mbretërisë së Zotit

         “Dëshira jonë - vazhdon meshtari - është të jemi gjithnjë e më shumë miq me këto bashkësi indigjenësh, të jemi shokët e tyre: për këtë arsye, i vizitojmë dy herë në vit dhe përshkojmë më se 5000 kilometra për të arritur në periferi, në malet ku rreh zemra e Mbretërisë sonë të dashur, Mbretërisë së Krishtit, Mbretërisë së të varfërve, Mbretërisë së të vegjëlve”.

Solidariteti i famullisë së Zojës së Madhe në Argjentinë
Solidariteti i famullisë së Zojës së Madhe në Argjentinë
10 gusht 2022, 12:33