Kërko

Papa me pjesëmarrësit e Kapitujve të Përgjithshëm Papa me pjesëmarrësit e Kapitujve të Përgjithshëm  

Papa: Të mos e harrojmë martirizimin e Ukrainës

Duke pritur pjesëmarrësit në tre Kapituj të ndryshëm të Përgjithshëm, Françesku kujtoi dhimbjen e atyre që jetojnë në luftë dhe vijën e Kishës për temën e abuzimit: tolerancë zero! Duke folur me - e për Urdhrat e pranishëm, Papa u kërkoi përsëri të rrinë larg përgojimeve, sepse “vrasin e shkatërrojnë”.

R.SH. - Vatikan

Në zemër të Papës ka dhimbje, që nuk mund të harrohen, siç është dhimbja për Ukrainën, e cila zë vendin e dytë, të paktën në gazeta. Dhimbje që Papa Françesku e ndan me anëtarët e Urdhrit të Nënës së Zotit, të Kongregatës së Misionit, që po mbyllin punimet e kapitullit tё tyre dhe me përfaqësuesit e Urdhrit Bazilian të Shën Jozafatit, që sapo e filluan, duke i pritur nё Vatikan. Një audiencë, me tre urdhra të ndryshëm – shpjegon Papa Françesku - e cila prish “ngjinesën” (pushimin) e muajit korrik e “ndokujt mund t’i shkojë mendja për një “sallatë” institutesh, por të bukur - shton ai – sepse Kongregatat e Instiutet e ndryshme te jetёs sё kushtuar rregulltare janё si shumëllojshmëria e Kishës”. Duke iu drejtuar veçanërisht rregulltarёve bazilianë ukrainas, Papa u shprehu afërsinë e tij:

“Dua t’ju them se jam pranë jush, e gjithë Kisha është pranë, e gjitha! Ne ju shoqërojmë sa mundemi në dhimbjen tuaj. Shpesh mendoj se një nga rreziqet më të mëdha tani është harrimi i dramës së Ukrainës. Dikush mësohet, mësohet… dhe pastaj nuk i duket aq e rëndësishme … Pak ditë më parë pashë në një gazetë se lajmi për luftën ishte në faqen 9! Nuk i intereson kujt! Problem interesi! Po kjo është e keqe, është e keqe. E është edhe arsyeja pse jemi pranë jush dhe duhet t’i shikojmë të gjithë sepse ju po martirizoheni. E unë uroj që Zoti të ketë dhembshuri për ju dhe të jetë pranë jush me paqen, me dhuratën e paqes”.

Tolerancë zero

Urgjenca tjetër, që theksoi Papa Françesku, ka të bëjë me problemin e abuzimeve në Kishë. Mos harroni – u kujtoi Papa të pranishmëve - vijën që duhet ndjekur: “tolerancë zero”.

Ne jemi meshtarë për t’i çuar njerëzit te Jezusi, jo për t’i “ngrënë” njerëzit me epshin tonë. Edhe dhunuesi shkatërron, “e ha” të keqtrajtuarin me epshin e tij. Tolerancë zero! Mos ki turp të denoncosh: “Ky bëri këtë, ai tjetri atë...” “Unë të shoqëroj, je mëkatar, je i sëmurë, por të tjerët ama duhet t’i mbroj”. Ju lutem! Jua kërkoj këtë: zero tolerancë. Kjo nuk zgjidhet me transferim. “Ah, ishte në këtë kontinent, e dërgoj në kontinentin tjetër ...”. “Jo! Kjo nuk mund as duhet bërë!”.

Thashethemet vrasin!

Ndërsa kujtonte gëzimin, që lind nga jeta në bashkësi, Papa nënvizoi një nga rreziqet më të mëdha, pikërisht përgojimin, thashethemet, që “shkatërrojnë jo vetëm bashkësinë, por edhe përgojuesin".

“Përgojimi nuk është punë burrash, i bën të cektë njerëzit, që jetojnë duke mbartur fjalë nga njëra anë në tjetrën! Ju lutem, frenojeni gjuhën! E di se nuk është e lehtë t’i shmangesh llafeve në një kongregatë rregulltare. Një herë dikush më tregoi se ka një ilaç të mirë për këtë: të kafshosh gjuhën në kohën e duhur. Do të enjtet paksa, por të paktën... Ju lutem: larg thashethemeve! Vrasin, shkatërrojnë!”.

Vëllazëria ungjillëzuese

Ungjillëzimi, vëllazërimi, gëzimi. Këto janë fjalët që Papa përsëriti disa herë në audiencë, duke theksuar ato, që kanë më tepër rëndësi: “të jesh i Krishtit”, por edhe i falur prej Tij. Gëzim - kujtoi - që vezullon në sy e që është ngjitës!

“Është gëzimi i shenjtorëve dhe shenjtoreve që, nëse janë themelues, nuk u bënë që kur lindën. Themeluesit nuk lindën të tillë! Njeriu bëhet kështu nga forca tërheqëse: në kuptimin e dyfishtë që Krishti e tërheq para së gjithash atë burrë ose grua tek vetja; dhe pastaj e bën të aftë për të tërhequr të tjerët tek Ai. E theksojmë këtë ‘tek Ai’: shenjtin nuk e tërheq vetja, por gjithmonë Zoti. Prandaj, përvujtëri e thjeshtësi zemre dhe gëzim. Kjo është rruga e një vëllazërie ungjillëzuese. E pamundur për njerëzit, por jo për Zotin!”.

Dëgjimi i Shpirtit

Papa kujtoi edhe se kapitulli është “çast shqyrtimi”, i cili sot, për fat, mund të realizohet në prani. Kështu mund të verifikohet se në çfarë mase je besnik ndaj karizmës, ndaj dëgjimit të Shpirtit, ‘protagonistit’ të vërtetë të Kapitullit”. Është një nga përvojat më të forta kishtare - kujtoi Papa - ndërsa  për karizmat, kujtoi rëndësinë e interpretimit të tyre në dritën e ungjillëzimit, sepse ndihmojnë në fuqizimin e Kishës.

“Mendoni se thirrja e Kishës është të ungjillëzojë, madje ky është gëzimi i Kishës! Janë fjalët e Shën Palit VI, shkruar në atë Letër, që edhe sot, pas kaq shumë vitesh, mbetet aktuale e që titullohet “Evangelii Nuntiandi”. Thirrja e Kishës është të ungjillëzojë, gëzimi i Kishës është të ungjillëzojë”.

Ungjillëzimi nuk është prozelitizëm

Duke kujtuar shenjtorët, që themeluan urdhrat e ndryshëm, si Shën Gjon Leonardi, Shën Jozafati dhe Shën Vincenc de’ Pauli, Papa i quajti “ungjillëzues me Shpirtin Shenjt”, që luten dhe punojnë.

“Ungjillëzues, jo prozelitë, sepse ungjillëzimi nuk është prozelitizëm, nuk kanë të bëjnë njëri-me-tjetrin”.

Gëzimi në bashkësi

Në vijim, Françesku i ftoi të pranishmit ta pyesin veten: “A bëj adhurim? A e di të adhuroj? Të adhuroj në heshtje?”. Pyetja tjetër, për të cilën i nxiti të reflektojmë lidhej me gëzimin e bashkësisë, shprehje e jetës vëllazërore, “sfida e madhe e jetës së përbashkët, e pakonceptueshme për mendësinë e botës” që “kërkon kthesë të përditshme, kërkon gatishmëri për të pyetur veten: a është ‘e përshtatshme’ vigjilenca ndaj ngurtësisë si dhe ajo ndaj tolerancës së tepruar? Mbi të gjitha kërkon përvujtëri dhe thjeshtësi zemre’. Është vëllazëri e lirë, ‘jo gjë e çuditshme, as harmoni fasade, as një homogjenitet i sheshuar nga personaliteti i eprorit apo i ndonjë lideri”:

“Dhe që këtu vjen gëzimi. Kështu bëhet pyetja ‘A adhuroj?’, që secili prej jush duhet të bëjë: E pas ‘A di të adhuroj në heshtje?’. Do të ​​bëja edhe një tjetër: ‘A jam i gëzuar në profesionin tim, apo shkoj si të mundem duke e kërkuar gëzimin diku tjetër?’. Një gëzim të vërtetë, jo formal, jo gëzim me buzëqeshjen që nuk thotë asgjë, jo buzëqeshje artificiale, jo thirrja ‘vëlla, vëlla’ që më pas ta ngul thikën pas shpine! Ndodh, ndodh, ne e dimë. Gëzimi nuk duhet të jetë formal, as buzëqeshja artificiale”.

Duke iu lutur Shpirtit Shenjt dhe Virgjërës Mari, Françesku u kërkoi në fund të audiencës të pranishmëve të luten për të “sepse - përfundoi - kjo punë nuk është e lehtë"

14 korrik 2022, 14:00