Papa njofton se do të emërojë dy gra në Dikasterin për Ipeshkvijtë
R.SH. – Vatikan
Në intervistën me gazetarin Phil Pullella të agjencisë Reuter, pjesa e tretë e së cilës u botua sot, Papa Françesku njofton se do të emërojë dy gra në Dikasterin për Ipeshkvijtë, duke i përfshirë kështu në procesin e zgjedhjes së barinjve të rinj dioqezanë të Kishës. Ati i Shenjtë i përgjigjet një pyetjeje mbi praninë e grave në Vatikan, një tjetre mbi dispozitat e Kushtetutës së re apostolike "Praedicate Evangelium", e cila reformon Kurien Romake e së fundi, sqaron cilat dikastere mund t'i besohen në të ardhmen një burri, ose një gruaje laike.
“Unë jam që t’u jepet mundësia për këtë. Tashmë, Guvernatorati ka një zëvendësguvernatore... E, tani, në Kongregatën e Ipeshkvijve, në komisionin për zgjedhjen e ipeshkvijve, do të shkojnë për herë të parë dy gra. Në këtë mënyrë, hapemi pak”. Më pas, Françesku shton se në të ardhmen, është e mundur të caktohen laikë për të udhëhequr dikastere si “ai për Laikët, Familjen dhe Jetën, ai i Kulturës dhe Edukimit, ose për të drejtuar Bibliotekën, që është pothuajse një lloj dikasteri”.
Papa Françesku kujton se vitin e kaluar, për herë të parë, emëroi një grua në pozicionin numër dy të Guvernatoratit të Vatikanit, motrën Raffaella Petrini. Përveç kësaj, Ati i Shenjtë caktoi motrën Nathalie Becquart, rregulltare franceze e Motrave Misionare Ksaveriane, zv.sekretare të Sinodit të Ipeshkvijve, si edhe motrën Alessandra Smerilli e Bijave të Zojës Ndihmëtare, si numrin dy të Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor. Ndër gratë laike, që tashmë kanë poste të nivelit të lartë në Vatikan janë: Barbara Jatta, drejtoresha e parë femër e Muzeve të Vatikanit, Nataša Govekar, në krye të Drejtorisë teologjiko-baritore në Dikasterin për Komunikimin dhe Cristiane Murray, zv.drejtoreshë e Sallës së Shtypit të Vatikanit. Të trija u emëruan nga Papa Bergoglio.
Muajin e kaluar, kardinali Kevin Joseph Farrell, prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, me shaka pohoi se, me shpalljen e Kushtetutës së re për Kurien, ai mund të jetë kleriku i fundit, që drejton atë dikaster.