Il logo del viaggio papale in Canada Il logo del viaggio papale in Canada

Shtegtimi i Françeskut në Kanada: traditat e popullit indigjen, treguar në një logo

Edhe Shtegtimi i 37-të apostolik i Papës në Kanada, si çdo shtegtim tjetër, ka moton dhe logon e tij: një kurorë në formë rrethi, krijuar nga artisti i talentuar vendas, Shaun Vincent.

R.SH. - Vatikan

“Marcher ensemble”; “Walking together”; “Të ecim  së bashku”. Fjalët Udhë për t’u bërë së bashku”, shkruar në gjuhët zyrtare kanadeze, frënge dhe angleze, e shprehin mirë kuptimin e 'shtegtimit pendestar', siç e quajti Papa Françesku këtë vizitë në Kanada, këtë përqafim ideal me bashkësitë indigjene, që iu nënshtruan për rreth 100 vjet, në Kanadanë e sapolindur, procesit shpesh dramatik të çrrënjosjes nga kulturat dhe origjina e tyre. Udhëtimi synon të vazhdojë udhën e pajtimit, të faljes, të ngushëllimit, theksuar tashmë prillin e kaluar, kur Papa mirëpriti përfaqësuesit e popujve indigjenë në Vatikan.

Jeta e vendasve, në një skicë

Një histori e gjatë, ajo e anëtarëve të Bashkësive të Kombeve të Para, Metis dhe Inuit, skicuar admirueshëm me pak penelata domethënëse nga artisti indigjen, Shaun Vincent: kjo është logoja e udhëtimit papnor. Vërejmë një rreth, që simbolizon rendin natyror të ciklit të jetës, por edhe Diellin, Tokën dhe shkrimet shenjte. Në kurorën, e cila kalon nga bluja e thellë - në blunë e qiellit, ka simbole që ndërthuren me njëri-tjetrin, duke të kujtuar historinë e banorëve të lashtë e të rinj të këtyre trevave.

Paqe dhe respekt për krijimin

Në pjesën e sipërme fluturon një pëllumb, simbol i Shpirtit Shenjt, i shpresës, i kishës dhe i fesë katolike. Pak më poshtë, çelësat e Shën Pjetrit: edhe kjo një nga ikonat më domethënëse që të kujton Papën, Kishën, Parajsën. Më të djathtë të rrethit shikojmë pendët e shqiponjës të cilat, sipas traditës së vendasve, simbolizojnë të vërtetën, ndershmërinë, familjen dhe dashurinë. Menjëherë pas kësaj, një salmon, peshk që popullon lumenjtë e Kanadasë i cili, në gjuhën inuit, simbolizon falënderimin e Tokës, që u siguron njerëzve ushqimin e nevojshëm.

Duke i kushtuar sërish vëmendje vizatimeve të shumta që shfaqen në kurorë, mund të soditen tufat e buallicave dhe karibuve, simbole të forcës së bashkësisë. Nuk mund të mungonin as simbolet e stilizuara të Krijimit: toka, qielli, uji, natyra, aspekte që të çojnë përsëri në shtëpinë e përbashkët, me të cilën popujt autoktonë jetojnë një marrëdhënie respekti dhe jo shfrytëzimi. Më në fund rrethi mbyllet me simbolin e pafundësisë, tipik për kulturën Mètis dhe historinë e saj.

23 korrik 2022, 11:05