Papa: media dixhitale, mjet i fuqishëm për paqen
R. SH. - Vatikan
Në ditët e ngarkuara “me shpërthime të reja dhune dhe agresioni”, paqja duhet mbrojtur edhe në botën dixhitale, shpesh vend “helmatisës, që flet me gjuhën e urrejtjes dhe jep lajme të rreme”. Misioni, që Papa Françesku ua beson pjesëmarrësve në Kongresin Botëror Signis, anëtarë të shoqatës botërore katolike për komunikim, duhet realizuar në botën virtuale, me pasoja të thella mbi realitetin e sotëm. Takimi është planifikuar për 15 deri më 18 gushtin e ardhshëm, në Seul të Koresë së Jugut, “tokë - shkruan Papa në një mesazh anglisht - historia e ungjillizimit të së cilës dëshmon fuqinë e fjalës së shtypur dhe rolin themelor të laikëve në përhapjen e Ungjillit”. Kujton, më pas, historinë e Shën Andrew Kim dhe shokëve të tij martirë, 200 vjet më parë: historia e tyre - uron Françesku - “ju ndihmoftë në përpjekjet tuaja për ta përhapur Ungjillin e Jezu Krishtit në gjuhën e mediave bashkëkohore”.
Media dixhitale, mjet i fuqishëm dialogu e bashkimi
Nuk është angazhim për t'u nënvlerësuar - vëren Papa: “Revolucioni i medias dixhitale në dekadat e fundit tregon se janë mjet i fuqishëm në shërbim të bashkimit dhe dialogut në gjirin e familjes sonë njerëzore. Gjatë muajve të ngujimit, për shkak të pandemisë, e pamë qartë se mediat dixhitale mund të na bashkojnë, jo vetëm duke përhapur informacionin themelor, por edhe duke mbushur plot zbraztësinë e vetmisë e të izolimit e, në shumë raste, duke bashkuar familje të tëra dhe bashkësi kishtare në lutje e në adhurim”.
Çështje të rënda etike
Në të njëjtën kohë, përdorimi i mediave dixhitale, veçanërisht mediave sociale, ka krijuar një sërë “problemesh serioze etike”, që kërkojnë “gjykim të mençur dhe të thellë nga ana e komunikuesve dhe të gjithë atyre që merren me vërtetësinë dhe cilësinë e marrëdhënieve njerëzore”. Ndonjëherë “kanalet mediatike bëhen vende të helmatisura, që flasin me gjuhën e urrejtjes dhe të lajmeve të rreme” - kujton Papa Françesku - i cili e quan këtë sfidë të vërtetë, që duhet përballuar përmes “edukimit mediatik, rrjetëzimit të mediave katolike dhe aftësisë për t’iu kundërvënë gënjeshtrave dhe informimeve të gabuara e, ç’është më keq, të rreme”.
Edukimi i të rinjve
Këto përpjekje që komunikuesit e Signis janë thirrur t’i bëjnë, kanë gjithë mbështetjen e Papës - pohon Françesku - duke ftuar t’i kushtohet vëmendje e veçantë “nevojës për të ndihmuar njerëzit, veçanërisht të rinjtë, të punojnë me frymë të shëndetshme kritike, duke u mësuar të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra, të drejtën nga e shtrembëra, të mirën nga e keqja dhe për të vlerësuar rëndësinë e punës për drejtësinë, harmoninë shoqërore dhe respektin ndaj shtëpisë sonë të përbashkët”.
Përfshirja dixhitale
Ipeshkvi i Romës nuk i harron as “bashkësitë e shumta të botës sonë, që mbeten të përjashtuara nga hapësira dixhitale”: edhe ata duhet të përveshin mëngët, “duke e shikuar përfshirjen dixhitale si detyrë e dorës së parë”, në mënyrë që të japin “kontributin e tyre të rëndësishëm në përhapjen e kulturës së paqes, bazuar mbi të vërtetën e Ungjillit”.
Dëgjimi me "veshin e zemrës"
Në përfundim, Papa Françesku kujton Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Komunikimit të vitit 2022, përqendruar tek dëgjimi, parë si “elementi i parë dhe i domosdoshëm i dialogut dhe i komunikimit të mirë”. Dëgjim, për t’u realizuar me “veshin e zemrës”. Pikërisht ky “apostullim i dëgjimit” u përket komunikuesve katolikë - shkruan Papa: “Komunikimi nuk është thjesht profesion, por shërbim për dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet individëve dhe bashkësive më të gjera, në kërkim të paqes e të bashkëjetesës paqësore”.
Shtegtim sinodal
Dëgjimi - pohon më në fund Françesku - është po aq “themelor” për shtegtimin sinodal të ndërmarrë nga e gjithë Kisha vitet e fundit. “Të dëgjojmë njëri-tjetrin” dhe “të thellojmë vetëdijen për të marrë pjesë në një takim, që na paraprin dhe na bashkon”. Kjo, dëshira e Papës. Në këtë mënyrë – siguron - do të jetë e mundur "të krijohet një Kishë gjithnjë më “simfonike”, uniteti i së cilës shprehet në një polifoni plot harmoni e shenjtëri”.