Kërko

Papa, Kongos dhe Sudanit të Jugut: kthejeni faqen e hapni rrugë pajtimi

Ditën kur duhej të nisej për shtegtimin e tij apostolik në dy vendet afrikane, shtyrë për terapinë e gjurit, Papa Françesku përsërit, në një videomesazh, shpresën për t’i takuar “sa më shpejt” popullatat e dashura, të cilat i fton të ndërtojnë shtigjet e faljes, të bashkëjetesës paqësore dhe të zhvillimit, duke i ulur armët dhe duke shkruar faqe të reja të vëllazërisë, veçanërisht për të rinjtë e shumtë.

R. SH. - Vatikan

“Mos lejoni t’ju rrëmbehet shpresa!”. Lotët dhe lutjet tuaja nuk janë të kota, sepse Zoti ka “plane paqeje, jo fatkeqësish” për ju. Misioni juaj i madh është “të ktheni faqen për të hapur shtigjet e reja” të pajtimit, faljes, bashkëjetesës paqësore dhe zhvillimit, për ju dhe për të rinjtë tuaj. Ky është thelbi i video-mesazhit të Papës Françesku, drejtuar popullatës së Republikës Demokratike të Kongos dhe të Sudanit të Jugut me të cilat do të takohej në udhëtimin e tij apostolik, planifikuar më 2 deri më 7 korrik, shtyrë për një datë që do të përcaktohet pasi të përfundojnë mjekimet e gjurit, të cilave po i nënshtrohet. Në ditën kur duhet të kishte nisur shtegtimin e paqes në trojet e largëta, Papa u përsërit “miqve të tij të dashur kongolezë dhe sudanezë të jugut” keqardhjen e tij të madhe “që u detyrua të shtynte këtë vizitë të shumëdëshiruar dhe të shumëpritur”.

Por, ta ndjekim video-mesazhin e Papës Françesku:  

“Të dashur vëllezër dhe motra të Republikës Demokratike të Kongos dhe Republikës së Sudanit të Jugut, mirëmëngjes!

Siç e dini, sot duhet të isha nisur për një shtegtim paqeje dhe pajtimi në trojet tuaja. Një Zot e di sa e madhe është keqardhja ime, që u detyrova ta shtyja këtë vizitë kaq të dëshiruar dhe të shumëpritur. Por le të mos e humbasim besimin dhe të shpresojmë se do të takohemi sa më shpejt, sapo të jetë e mundur.

Ndërkaq dua t’ju them se, veçanërisht në këto javë, ju kam në zemër më shumë se kurrë. I kam më shumë se kurrë, në lutje, vuajtjet që pësuat për një kohë të gjatë, shumë të gjatë. Mendoj për Republikën Demokratike të Kongos, për shfrytëzimin, dhunën dhe pasigurinë që pëson, veçanërisht në lindje të vendit, ku vazhdojnë ndeshjet e armatosura, që shkaktojnë vuajtje të panumërta dhe dramatike, të rënduara nga indiferenca dhe rehatija e shumëkujt. Mendoj për Sudanin e Jugut, thirrjen për paqe të popullit të tij i cili, i rraskapitur nga dhuna dhe varfëria, pret fakte konkrete nga procesi i pajtimit kombëtar, për të cilin dëshiroj të kontribuoj jo i vetëm, por duke u endur ekumenikisht së bashku me dy vëllezërit e dashur: kryeipeshkvin e Canterbury dhe Moderatorin e Asamblesë së Përgjithshme të Kishës së Skocisë.

Të dashur miq kongolezë dhe sudanez jugorë, në këtë çast nuk mjaftojnë fjalët, për t’ju përcjellë afërsinë, që do të doja t’ju shprehja dhe përzemërsinë, që ndjej për ju.

Dua t'ju them: mos lejoni që t’jua rrëmbejnë shpresën!

 Mendoni, ju që jeni kaq të dashur për mua, sa më të çmuar dhe më të dashur jeni para syve të  Zotit, që nuk i zhgënjen kurrë ata që shpresojnë në Të!

Ju të gjithë keni një mision të madh, duke nisur nga liderët politikë: të hapni një faqe të re, për të hapur shtigje të reja, shtigje pajtimi, rrugë faljeje,   bashkëjetese paqësore dhe zhvillimi.

Është mision, që duhet marrë përsipër me sytë drejtuar nga e ardhmja, nga të rinjtë e shumtë që popullojnë tokat tuaja pjellore e të plagosura, duke i mbushur me dritën dhe ardhmërinë që e ëndërrojnë, ndërsa meritojnë t’i shohin këto ëndrra të realizuara, të shohin ditë paqeje: për ta, në veçanti, është e nevojshme të dorëzohen armët, të harrohen inatet, të shkruhen faqe të reja vëllazërimi.

Do të doja t’ju them edhe një gjë: lotët që derdhni në tokën tuaj dhe lutjet që lartoni drejt Parajsës nuk janë të kota. Ngushëllimi i Zotit do të vijë, sepse ai ka “plane paqeje”, jo “fatkeqësish” (Jr 29:11):

“Tashmë në pritje për t’ju takuar, kërkoj që paqja e Zotit të zbresë në zemrat tuaja. E ndërsa shtohet dita-ditës pritja për t’i parë fytyrat tuaja, për t’u ndjerë si në shtëpinë time, në shtëpinë tuaj, në bashkësitë tuaja të krishtera plot gjallëri, për t’ju përqafuar të gjithëve dhe për të bekuar tokat tuaja, lutja ime bëhet gjithnjë më e zjarrtë. E, ashtu si lutja, edhe dashuria për ju dhe për popujt tuaj. Ju bekoj me gjithë zemër, duke ju kërkuar të vazhdoni të luteni për mua!”.

02 korrik 2022, 12:40