Kërko

Papa në Edmonton: t'i mbrojmë të moshuarit, që janë rrënjët tona, për të ndërtuar të ardhmen

Të gjithë jemi bij të një historie për t'u ruajtur, por edhe artizanë të së ardhmes së re, "ku të moshuarit nuk hidhen poshtë, sepse funksionalisht ‘nuk duhen më’; ku vlera e njerëzve nuk gjykohet vetëm nga çka prodhojnë; ku askush nuk e përsërit historinë e dhunës dhe të mënjanimit, vuajtur nga vëllezërit dhe motrat tona indigjene”. Kështu, Papa Françesku, në homelinë e meshës në Edmonton, në festën e Shën Joakinit e të Shën Anës

R.SH. - Vatikan

Pas takimit mallëngjyes të djeshëm me popullsitë indigjene të First Nations (Kombet e Para), ata që kolonizatorët i patën quajtur indianë lëkurëkuq, Papa Françesku ia kushtoi ditën e sotme, e dyta e udhëtimit të tij në Kanada, festës liturgjike të Shën Anës. Fillimisht, rreth orës 18 (me orën evropiane), ai kremton meshën në Stadiumin Commonwealth të Edmontonit, ndërsa më pas, bashkohet me shtegtimin e kanadezëve në Lac Ste. Anne, liqen i mirënjohur nga indigjenët e First Nations, që e konsiderojnë vend shërimi.

Vërtet, ata vijnë çdo vit këtu, së bashku me shtegtarë të tjerë katolikë nga Kanadaja e nga veriu i SHBA-ve, për t’u larë në ujrat jo të thella të liqenit e për t’u lutur. Quajtur Wakame, “Liqeni i Zotit”, nga Nakota Sioux dhe “Liqeni i Shpirtit” nga populli Cree, iu dha emri “Lac Ste.Anne” nga Át Jean-Baptiste Thibault, i pari, që ngriti një mision katolik në këtë vend të provincës së Albertës, në vitin 1842. Kisha e parë u ndërtua ndërmjet viteve 1844 e 1852 dhe iu besua Oblatëve të Zojës së Papërlyer. Shtegtimin e parë e organizuan pikërisht ata, në korrik 1889. Që atëherë, është traditë e përvitshme për festën e Shën Anës, më 26 korrik. Kisha e sotme është ajo e rindërtuar më 2009, pasi u dogj e vjetra, më 1928.

Festa e gjyshërve të Jezusit

 Por le t’i kthehemi meshës së parë të sotme të Papës Françesku, në Stadiumin Commonwealth të Edomontonit, ku ndodheshin rreth 50 mijë vetë.

“Sot është festa e gjyshërve të Jezusit – tha Ati i Shenjtë që në krye të homelisë – Zoti deshi të takoheshim kaq të shumënumërt, pikërisht me këtë rast kaq të dashur për ju e për mua. Në shtëpinë e Joakinit e të Anës, Jezusi i vogël njohu të moshuarit dhe provoi afërsinë, ëmbëlsinë dhe urtinë e gjyshërve”.

Papa i ftoi të gjithë të mendojnë për gjyshërit e të reflektojnë për dy aspekte të rëndësishme: “jemi bij të një historie për t’u ruajtur” e “jemi artizanë të një historie për t’u ndërtuar”.

Jemi bij të një historie për t’u ruajtur

 Duke pasur parasysh festën e sotme liturgjike të Shën Anës e të Shën Joakinit, gjyshërve të Jezu Krishtit, Ati i Shenjtë vuri në dukje trashëgiminë, që i lënë kësaj bote të moshuarit. “Një trashëgimi që, përtej zotësisë apo autoritetit të disave, inteligjencës apo krijimtarisë së të tjerëve në këngë apo poezi, e ka qendrën në drejtësinë, në besnikërinë ndaj Zotit, ndaj vullnetit të tij”. Këtë na përcjellin gjyshërit, theksoi Papa, prandaj duhet t’i njohim këto rrënjë, sepse janë historia jonë. Duke i kuptuar, jemi të vetëdijshëm nga vijmë e ku shkojmë.

“Gjyshërit na kanë vulosur me mënyrën e tyre të të jetuarit, duke na dhënë dinjitet, besim te vetja dhe te të tjerët – pohoi Françesku. - Ata na kanë transmetuar diçka, që nuk mund të zhduket kurrë nga shpirti ynë dhe, njëkohësisht, na kanë lejuar të jemi njerëz unikë, origjinalë dhe të lirë”.

Kisha të mësojë nga gjyshërit

Kështu bënë edhe Joakini e Ana me Marinë e, ajo me Jezusin, duke i dhënë një dashuri, që nuk e pengoi e as e mbyti, por e ndihmoi për të kryer misionin e tij në këtë botë.

“Le të përpiqemi ta mësojmë këtë, si individë dhe si Kishë: kurrë të mos shtypet ndërgjegjja e tjetrit, kurrë të mos lidhet me zinxhir liria e njerëzve, që kemi përballë e, sidomos, kurrë të mos mungojë dashuria dhe respekti për ata, që na kanë paraprirë e për ata, që na janë besuar, thesarë të çmuar, që ruajnë një histori edhe më të madhe se ata vetë”.

Papa pati parasysh Librin e Siracidit, kur u kërkoi të gjithëve të mos ua errësojnë “lavdinë” paraardhësve e të kujtohen gjithnjë për duart, që i kanë përkëdhelur e i kanë dashur, sepse në kujtimin e tyre gjejnë forcën, ngushëllimin e guximin për të përballuar sfidat e jetës. “Kjo do të thotë – theksoi Françesku – të kthehemi gjithnjë në atë shkollë, ku mësuam e jetuam dashurinë”.

A e kemi ruajtur Biblën e gjyshërve?

 Një sërë pyetjesh u dhanë të pranishmëve, e jo vetëm atyre, kriteret për të kuptuar nëse i kujtojnë ende pararadhësit e gjithçka të mirë kanë marrë prej tyre. “A e kemi ruajtur Biblën dhe rruzaren e të parëve? – nguli këmbë Ati i Shenjtë. – Që të lutemi për ta dhe në bashkim me ta, që t’i kushtojmë kohë kujtimit të tyre, që t’ua ruajmë trashëgiminë: në mjegullën e harresës, që endet mbi kohët tona tejet të përshpejtuara, është themelore të kultivojmë rrënjët. Kështu rritet pema, kështu ndërtohet e ardhmja”.

“Jemi artizanë të një historie për t’u ndërtuar”

Por, të kujtohemi për gjyshërit nuk mjafton. “Misteri i jetës njerëzore – vuri në dukje Bergoglio - është ky: ne jemi të gjithë fëmijët e dikujt, të lindur dhe të formuar nga dikush, por kur bëhemi të rritur jemi të thirrur të lindim, të bëhemi baballarët, nënat dhe gjyshërit e dikujt tjetër”. Prandaj, duhet të vendosim ç’duhet të bëjmë në jetë, a ta vazhdojmë rrugën e hapur nga të moshuarit e si ta bëjmë këtë. Çfarë duam t’u lëmë pasardhësve, pyet Papa, “një fe të gjallë apo ‘ujë trëndafili’, një shoqëri të themeluar mbi përfitimin e individëve apo mbi vëllazërimin, një botë në paqe a në luftë, një gjithësi të shkatërruar apo një shtëpi ende mikpritëse?”

Të mos biem në karikaturën e traditës

Papa vuri në dukje se kjo aftësi rigjeneruese e secilit prej nesh kalon nga poshtë lart, nga rrënjët tek trungu e tek frytet e, jo e kundërta.

“Të kemi kujdes që të mos biem në karikaturën e traditës, e cila nuk lëviz në vijë vertikale - nga rrënjët tek frutat - por në vijë horizontale - përpara / prapa – duke na çuar në kulturën e ‘kthimit mbrapsht’, kuptuar si strehë egoiste; e kjo s’bën tjetër veçse paketon të tashmen dhe e ruan me logjikën e ‘gjithmonë kështu është bërë’”.

Të mësojmë nga të moshuarit, por të sjellim diçka të re

Ata, që na paraprinë, vijoi më tej Papa, na kanë transmetuar një pasion, që na takon ne ta ringjallim, por edhe ta çojmë përpara në mënyrë të re, duke iu përgjigjur kohëve. Shpesh, vërejti Françesku, jeta matet me paratë e fituara, me karrierën e me suksesin, por këto nuk janë kritere rigjeneruese. Çështja është: a po rigjenerojmë jetën? Përmes një historie të re dashurie, përmes kumtimit të ri të Ungjillit, përmes ndihmës për dikë, për Kishën, për qytetin, për shoqërinë… E, Papa kapet edhe me kritikuesit e përjetshëm të situatës. “Është e lehtë të kritikosh, por Zoti nuk do që ne të jemi vetëm kritikë të sistemit, nuk do që të jemi të mbyllur dhe të “kthesave mbrapsht”, por artizanë të një historie të re, endës të shpresës, ndërtues të së ardhmes, paqebërës”

Shën Joakini e Shën Ana ndërmjetësofshin për ne

Së fundi, Ati i Shenjtë ua besoi shën Joakinit e shën Anës, gjyshërve të Jezusit, ndërmjetësimin për të gjithë njerëzit, që Zoti t’i ndihmojë ta ruajnë historinë e transmetuar nga të moshuarit e të ndërtojnë një histori rigjenerative, një të ardhme më të mirë. “Një e ardhme ku të moshuarit nuk hidhen poshtë, sepse funksionalisht ‘nuk duhen më’; një e ardhme, ku vlera e njerëzve nuk gjykohet vetëm nga çka prodhojnë; një e ardhme, jo indiferente ndaj atyre që, tashmë të shtyrë në moshë, kanë nevojë për më shumë kohë, dëgjim dhe vëmendje; një e ardhme, në të cilën askush nuk e përsërit historinë e dhunës dhe të mënjanimit, vuajtur nga vëllezërit dhe motrat tona indigjene. …Le të ecim së bashku, të ëndërrojmë së bashku”.

26 korrik 2022, 19:52