Dita e tretë e shtegtimit të Papës Françesku në Kanada
R.SH. - Vatikan
Dita e sotme, 27 korrik, e treta e shtegtimit të Papës Françesku në Kanada, zhvillohet e tëra në Québec, në mbrëmje vonë, sipas orës evropiane. Karakterizohet nga takimet me autoritetet civile.
Veprimtaria e parë e sotme e Atit të Shenjtë zhvillohet në Citadelle de Québec, rezidenca zyrtare e Guvernatorit të Përgjithshëm të Kanadasë, por edhe fortesa më e madhe britanike e Amerikës së Veriut. Aty, Ati i Shenjtë do të bisedojë me zonjën Mary May Simon, guvernatoren aktuale të përgjithshme, bijë e popullit Métis. Vërtet, e lindur në Nunavik (Québec), i ati anglez ka qenë tregtar gëzofesh, ndërsa e ëma, indigjene Inuk. Që në vitet ’70, May Simon ka qenë protagoniste e betejave për të drejtat e popullsisë autoktone, sidomos të Inuitëve, që banojnë kryesisht në veriun e skajshëm të Kanadasë. Për dy mandate me radhë, ka kryer detyrën e presidentes së shoqatës Inuit Tapiriit Kanatami. Më 26 korrik 2021, indigjenia Inuk, e martuar e me tre fëmijë, bëhet e para e popullsive autoktone, që betohet si Guvernatore e përgjithshme e Kanadasë.
Pikërisht ajo i uron mirëseardhjen Papës Françesku, para se ta takojë zyrtarisht në fortesën e madhe në formë ylli, ndërtuar nga inxhinierët mbretërorë britanikë, ndërmjet viteve 1820 e 1850 dhe frymëzuar nga sistemet mbrojtëse franceze. Vërtet, aty e ka selinë Regjimenti i 22-të Mbretëror, i vetmi i fanterisë së Forcave Kanadeze, që flet frëngjisht. Një kuriozitet: në Citadelle de Québec (tashmë, trashëgimi ndërkombëtare e UNESCO-s), ndërmjet viteve 1943 e 1944, u mbajt Konferenca, gjatë së cilës Winston Churchill, Franklin D. Roosvelt e William Lyon Mackenzie King diskutuan strategjinë e Luftës II Botërore.
Pas Guvernatores së Përgjithshme, Ati i Shenjtë takon kryeministrin e Kandasë, Justin Trudeau, ish-kryetar i Partisë Liberale, në mandatin e tij të dytë në krye të qeverisë. Në sallën pranë, do të zhvillohet veprimtaria më e rëndësishme e Papës Françesku gjatë ditës së sotme, takimi i tij me autoritetet civile, me përfaqësuesit e popullsive indigjene dhe me Trupin diplomatik të akredituar në Kanada. Këtu, Ati i Shenjtë do të mbajë një fjalim të shumëpritur, sipas parashikimeve, rreth orës 22.45, me orën evropiane. Më pas, do të shkojë në kryeipeshkvinë e Québec-ut, për darkën e pushimin e natës.
Disa të dhëna për Québec-un. Qyteti, pasuri e UNESCO-s, ka më se 500 mijë banorë dhe është i dyti i Kanadasë Lindore për nga popullsia, pas Montreal-it. Ka shpirt evropian, arkitekturë të stilit francez, pasi është themeluar më 1608 nga eksploratori francez Samuel de Champlain, megjithëse historia e këtij qyteti nis që në shekullin XVI, me eksploratorin tjetër francez Jacques Cartier. Emri i tij, Québec, rrjedh nga një fjalë indigjene, që do të thotë “aty ku ngushtohet lumi”. Pësoi mjaft luftëra, sidomos nga SHBA-të e sapolindura, që dëshironin ta përfshinin në territorin e tyre gjithë Kanadanë, por më ‘900 u afirmua si kryeqendra e provincës së Québec-ut. Këtu ngrihet kisha e Notre-Dame-des-Victories (1688), më e vjetra e ndërtuar në gur në gjithë Amerikën e Veriut. Kisha të tjera të njohura janë katedralja e Notre- Dame de Québec, kisha e Shën Dominikut, ajo e Shën Patricit dhe ajo e Shna Rrokut. Në këtë qytet, ashtu si në gjithë provincën e Québec-ut ka shumë shqiptarë, të cilët janë organizuar në shoqata e në organizma të ndryshme kulturore e jo, duke u përfaqësuar edhe në këshillin bashkiak.