Kërko

Dita e Krijimit, Papa: t’i përgjigjemi me fakte “klithmës së hidhur” të Tokës

Po arrijmë në një pikë, nga e cila s’mund të kthehemi më mbrapsht, kemi nevojë për një kthesë ekologjike individuale dhe komunitare. Papa ia kërkon këtë bashkësisë së kombeve, para dy Takimeve vendimtare, COP27 dhe COP15, kushtuar krizës së dyfishtë të klimës dhe të reduktimit të biolarmisë. Të lutemi që këto sfida të përballohen me vendosmëri: këtë uron Ati i Shenjtë në Mesazhin për Ditën Botërore të Lutjes kushtuar Kujdesit për Krijimin, që do të kremtohet më 1 shtator

R.SH. – Vatikan

Nëna Tokë ngre zërin, klithin krijesat e gjalla, të varfërit, popujt indigjenë dhe fëmijët, kur e hedhin vështrimin drejt së ardhmes: degradimi dhe shfrytëzimi i natyrës janë “sfida”, që kërkojnë përgjigje. Kemi nevojë për kthesë ekologjike individuale dhe komunitare: kush mundet, të veprojë. Kjo është fryma e Mesazhit të Papës Françesku për 1 shtatorin, Ditën Botërore të Lutjes kushtuar Kujdesit për Krijimin, që u bë i njohur sot (21 korrik). Me këtë ditë hapet “Koha e Krijimit”, e cila vazhdon deri në të kremten e Shën Françeskut, më 4 tetor: “Çast i veçantë për gjithë të krishterët që të luten dhe të kujdesen së bashku për shtëpinë tonë të përbashkët”. Fillimisht e frymëzuar nga Patrikana Ekumenike e Kostandinopojës, kjo Ditë - shpjegon Françesku – është “mundësi për të kultivuar ‘kthesën tonë ekologjike’, inkurajuar nga Shën Gjon Pali II si përgjigje ndaj ‘katastrofës ekologjike’ të denoncuar nga Shën Pali VI që në vitin 1970”.

Zëri i Krijimit: lavd, por edhe një kor britmash të hidhura

Tema e “Kohës së Krijimit” - e cila frymëzon Mesazhin e Papës - është “Dëgjoje zërin e Krijimit”. Ky zë, pohon Françesku, është “një lloj disonance”: “nga njëra anë, këngë e ëmbël lavdi për Zotin dhe Krijuesin”; nga ana tjetër, “klithmë e hidhur, që ankohet për keqtrajtimin nga ana e njeriut”, madje, një “kor klithmash të hidhura”. Është klithma e Tokës, që na lutet të mos e shkatërrojmë, shpjegon Papa, por është edhe britma e të varfërve, që vuajnë më shumë nga kriza klimatike, britma e “vëllezërve dhe motrave të popujve autoktonë”, objekt i “grabitqarëve”, që i kanë pushtuar e shkatërruar. Së fundi, është klithma e fëmijëve të kërcënuar nga një “egoizëm miop”, që “kërkojnë me ankth prej të rriturve” të bëjnë ç’është e mundur për ta “parandaluar, ose të paktën, për ta kufizuar shkatërrimin e ekosistemeve”.

Pendesa dhe kthesa ekologjike nuk janë thjesht alternativa

Duke dëgjuar këto klithma të hidhura - shkruan Papa – “duhet të pendohemi dhe të ndryshojmë stilet e jetesës dhe sistemet e dëmshme”: degradimi i shtëpisë sonë të përbashkët, vëren ai, është sfidë që kërkon të njëjtën vëmendje si “krizat e rënda shëndetësore dhe konfliktet me armë”. Nuk është fjala për ndonjë alternativë: të kujdesesh për veprën e Zotit është pjesë themelore e një “jete të virtytshme”. E kthesa ekologjike kërkon “një frymë bashkëpunimi maksimal”, duke filluar nga bashkësia e kombeve në OKB.

Thirrjet për COP 27 dhe COP 15

Papa ka parasysh dy ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare: samitin COP 27 të planifikuar në Egjipt, në nëntor dhe samitin COP 15, të planifikuar në Kanada, muajin e ardhshëm. I pari do të përqendrohet në objektivin e reduktimit global të emetimeve të gazeve serrë, për të kufizuar rritjen e temperaturave në 1.5°C, siç kërkohet nga Marrëveshja e Parisit, me të cilën është bashkuar edhe Selia e Shenjtë. “Është fjala – nënvizon Françesku – për ndryshimin e modeleve të konsumit dhe të prodhimit, si edhe të stilit të jetesës, në një drejtim, që respekton më shumë Krijimin e Zotit e zhvillimin e gjithanshëm të të gjithë popujve”. Baza e gjithçkaje – saktëson Ati i Shenjtë - duhet të jetë “aleanca ndërmjet njeriut dhe ambientit”, që për ne besimtarët, është pasqyrë e dashurisë krijuese të Zotit.

Vëmendja më e madhe duhet t’u kushtohet më të prekurve nga ndryshimet e klimës. Po aq i rëndësishëm edhe Takimi i Kanadasë, COP15, kushtuar mbrojtjes së biolarmisë dhe miratimit të një Marrëveshjeje të re shumëpalëshe për “të ndalur shkatërrimin e ekosistemeve dhe zhdukjen e specieve”. Thirrja e Papës bëhet tejet e fuqishme: “Të lutemi dhe t’i ftojmë kombet të bien dakord mbi katër parime kryesore: krijimin e një baze të qartë etike për transformimin e nevojshëm për të shpëtuar biolarminë; luftën kundër humbjes së biolarmisë, mbështetjen e ruajtjes dhe të rimëkëmbjes së saj dhe plotësimin e nevojave të njerëzve në mënyrë të qëndrueshme; promovimin e solidaritetit global, duke pasur parasysh se biolarmia është pasuri e përbashkët globale, që kërkon një angazhim të përbashkët; vendosjen e njerëzve më të brishtë në qendër, duke përfshirë më të prekurit nga humbja e biolarmisë, siç janë popujt indigjenë, të moshuarit dhe të rinjtë”.

Të veprohet me vendosmëri

Për të dyja Takimet, Papa u kërkon kombeve më të pasura të bëjnë hapa më ambicioze, pasi përgjegjësia e tyre për ndotjen e ambientit është më e madhe, prandaj kanë një “borxh ekologjik” me vendet më të varfra. Edhe këto të fundit nuk janë pa përgjegjësi, por ato janë të ndryshme nga vendet e tjera. Ati i Shenjtë vë në dukje sidomos amullinë dhe mosmarrjen përsipër të përgjegjësive, që u takojnë. “Të gjithë duhet të veprojmë me vendosmëri”. “Po arrijmë në një ‘pikë, nga e cila s’është më e mundur të kthehemi mbrapsht’”.

Thirrja përfundimtare e Papës Françesku, e cila i bën jehonë enciklikës “Laudato si'”, shoqërohet me ndjetin e lutjes për Kohën e ardhshme të Krijimit: “Të lutemi - kërkon Papa - që drejtuesit e COP 27 dhe të COP 15 ta bashkojnë familjen njerëzore që t’i bëjë ballë me vendosmëri krizës së dyfishtë të klimës dhe të reduktimit të biolarmisë”. Më pas, duke kujtuar nxitjen e Shën Palit apostull, Françesku pohon: “të derdhim lot me britmën e hidhur të Krijimit, ta dëgjojmë dhe t’i përgjigjemi me fakte që ne dhe brezat e ardhshëm të gëzohemi ende me këngën e ëmbël të jetës dhe të shpresës së krijesave”.

21 korrik 2022, 13:47