Papa për Takimin global të turizmit rinor: përdoreni kohën mirë e me përgjegjësi
R.SH. – Vatikan
Me një videomesazh, Papa Françesku u drejtohet të rinjve, që marrin pjesë në Takimin global të turizmit rinor, i cili mbahet nga 27 qershori deri më 3 korrik, në Sorrento të Italisë. I fton ta përdorin si duhet kohën e pushimeve, gjatë së cilës nuk kanë shkollë e shkojnë për të shëtitur botën, por edhe për të takuar të afërmit e për t’iu kushtuar shumë gjërave të tjera.
“Përveç argëtimit dhe pushimit, - vëren Ati i Shenjtë - e di që disa prej jush e shfrytëzojnë këtë kohë për të dhënë vullnetarisht ndihmë në nisma solidariteti; të tjerët u përkushtohen punëve të vogla për t’i dhënë një dorë familjes, ose për të paguar studimet; të tjerë akoma rezervojnë disa ditë heshtjeje dhe lutjeje për të ndenjur me Zotin dhe për të marrë prej Tij dritën, që u shndrit rrugën. Në çdo rast, ju nxis ta përdorni mirë dhe me përgjegjësi kohën, që keni në dispozicion: kështu rriteni dhe përgatiteni për të marrë përsipër detyra më të vështira”.
Papa e përfundon videomesazhin, duke u uruar të rinjve “të jenë lajmëtarë të shpresës e të rilindjes për të ardhmen”
Dialog ndërmjet të rinjve dhe drejtuesve të turizmit
Janë më se 130 - nga 12 deri në 18 vjeç – të rinjtë e ardhur nga 60 vende në bregdetin e mrekullueshëm italian. Takimi – i pari i këtij lloji – është menduar nga Organizata Botërore e Turizmit. Synimi është që dialogu ndërmjet të rinjve dhe drejtuesve të industrisë së turizmit, ndër të cilët edhe politikanë e figura të rëndësishme nga bota e sportit, gastronomisë, argëtimit dhe inovacionit, “të ndihmojë në krijimin e një trashëgimie të qëndrueshme, duke e pajisur rininë me aftësitë dhe njohuritë për të shndërruar turizmin jo vetëm në bashkësitë e tyre, por kudo”, siç pohon Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës, Zurab Pololikashvili.
Ndër pjesëmarrësit, edhe përfaqësues nga Ministria e Turizmit në Shqipëri, që së bashku me funksionarë të nivelit të lartë nga vende të tjera po diskutojnë me të rinjtë sfidat dhe mundësitë e turizmit global, duke vënë theksin mbi Agjendën 2030 të Kombeve të Bashkuara dhe mbi 17 objektivat e saj për zhvillimin e qëndrueshëm, sidomos në fushën e biolarmisë, të teknologjive të reja, por edhe të luftës kundër shpërdorimit të ushqimit në strukturat turistike.