Papa: “mos e përdorni grurin si armë lufte!”
R.SH. - Vatikan
Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku foli edhe një herë për pasojat e konfliktit në Ukrainë: “Duhet bërë çdo përpjekje që të garantohet e drejta e njeriut për t’u ushqyer”- theksoi.
Bllokada e eksportit të drithit nga Ukraina, nga e cila varet jeta e miliona njerëzve, veçanërisht e vendeve më të varfra, është tejet shqetësuese. Sot paradite, gjatë audiencës së të mërkurës në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku foli sërish për pasojat e konfliktit në Ukrainë:
“Bëj thirrje të mos kursehen përpjekjet për të zgjidhur këtë çështje dhe për të garantuar të drejtën universale të njeriut për t’u ushqyer” – theksoi:
“Ju lutemi, mos e përdorni grurin, ushqimin kryesor, si armë lufte”!
E duke iu drejtuar shtegtarëve të gjuhës portugeze, të pranishëm në shesh, kujtoi edhe:
“Në fund të muajit maj, i drejtuam Zojës lutjen tonë këmbëngulëse për paqe. Mbetemi të bashkuar me Të, duke pritur Rrëshajë të reja e duke kërkuar që dhurata e Shpirtit Shenjt të na ndihmojë të rizbulojmë shtigjet e dialogut dhe unitetit”.