Kërko

Papa Françesku, në audiencën me anëtarët e Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore Papa Françesku, në audiencën me anëtarët e Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore 

Papa: ekumenizmi të frymëzohet nga jeta dhe vuajtjet e njerëzve

Një ekumenizëm "pagëzimor, baritor dhe lokal". Këto janë tri pikat rreth të cilave reflektoi Papa Françesku në audiencën me anëtarët e Komisionit të Përbashkët Ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore

R.SH. – Vatikan

Një ekumenizëm me rrënjë në jetën e përditshme, në ndihmën për lehtësimin e vuajtjeve të njëri-tjetrit, pikënisje për një përshtatje teologjike të doktrinës. Këto janë disa këshilla të Papës Françesku në audiencën e sotme me anëtarët e Komisionit të përbashkët ndërkombëtar për Dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore.

Ekumenizëm lokal

Duke folur për ekumenizmin lokal, një realitet që jetohet sidomos në Lindjen e Mesme dhe në mesin e emigrantëve në Perëndim, Papa foli për "ekumenizmin e jetës së përditshme të familjeve të tyre, të punës, të frekuentimit të përditshëm”.

“Shpesh, përjetojnë së bashku ekumenizmin e vuajtjes, në dëshminë e përbashkët në emër të Krishtit, nganjëherë, duke e paguar me jetë. Prandaj, ekumenizmi teologjik duhet të reflektojë jo vetëm mbi dallimet dogmatike të së kaluarës, por edhe mbi përvojën aktuale të besimtarëve. Me fjalë të tjera, dialogu mbi doktrinën mund t’i përshtatet teologjikisht dialogut të jetës, që zhvillohet në marrëdhëniet lokale dhe të përditshme të Kishave tona, që janë një vend i vërtetë teologjik”.

Ekumenizmi i Pagëzimit

Duke falënderuar delegacionin për "punën e çmuar", sidomos për dokumentin e ardhshëm mbi sakramentet, që mund të shënojë "një hap të ri përpara drejt bashkimit të plotë", Françesku foli për ekumenizmin e pagëzimit dhe rëndësinë e tij.

“Pikërisht në Pagëzim gjendet themeli i bashkimit ndërmjet të krishterëve dhe dëshira për unitetin e plotë e të dukshëm. Falë këtij Sakramenti, mund të pohojmë bashkë me Shën Palin Apostull: ‘Të gjithë jemi pagëzuar me anë të një Shpirti të vetëm në një korp të vetëm’”.

Realiteti konkret

Ati i Shenjtë përmendi edhe ekumenizmin baritor e dokumentet e nënshkruara së bashku me disa Kisha Ortodokse Lindore, të cilat i lejojnë besimtarët, në rrethana të veçanta, ose në rastin e martesave të përziera, të marrin sakramentet e Pendesës, të Eukaristisë dhe të Vojimit të të sëmurëve.

“E gjithë kjo u bë e mundur, duke parë realitetin konkret të anëtarëve të Popullit të Zotit dhe të mirën e tyre, superiore ndaj ideve e divergjencave historike: duke parë rëndësinë që askush të mos mbetet pa ndihmën e Hirit të Tënzot”.

Të shndritur nga Shpirti Shenjt

Papa pyeti nëse është e mundur të zbatohen marrëveshjet baritore edhe në kontekste "në të cilat besimtarët janë pakicë, ose diasporë”

“Shpirti Shenjt na frymëzoftë mënyrat për të ecur përpara në këtë rrugë, e cila merr parasysh të mirën e njerëzve, të mirën e shpirtrave, të mirën e popullit të Zotit, tonën, gjithçka, dhe jo dallimet morale, teologjike apo ideologjike. Aty qëndron e mira, njerëzit… Jezu Krishti u mishërua, u bë njeri, anëtar i popullit besnik të Hyjit, nuk u bë ide: jo! U bë njeri. E ne duhet të kërkojmë gjithmonë të mirën e njerëzve dhe të popullit besnik të Zotit”.

Duke nënvizuar rëndësinë e udhës së përbashkët, Papa ia besoi përpjekjet ekumenike shën Marisë, Nënës së Zotit.

23 qershor 2022, 16:17